1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Daut Haradinaj "nuk ka bërë thirrje për spastrim etnik"

Bekim Shehu
11 Prill 2017

Ndërkombëtarët në Kosovë, thonë se "deklarata e një deputeti të Kosovës që përdori gjuhën e urrejtjes duke kërcënuar me spastrim etnik, është e papranueshme dhe shkakton shqetësime serioze". Daut Haradinaj shpjegon.

https://p.dw.com/p/2b2x9
Kosovo Prishtina - Bürgerprotestete bezüglich ehemaligen Premierminister Ramush Haradinaj
Fotografi: DW/B. Shehu

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Daut Haradinaj, tha se ai nuk ka bërë asnjëherë thirrje për spastrim etnik në Kosovë, por vetëm ka ngritur alarmin për provokimet e Serbisë ndaj Kosovës. Daut Haradinaj - vëllau i Ramush Haradinajt që po mbahet në Francë nga autoritetet franceze bazuar në një urdhërarrest të Serbisë - ditë më parë në një emision televiziv në RTV Dukagjini, duke komentuar mundësinë e ekstradimit të Ramush Haradinajt në Serbi, tha se "në rast se gabojnë dhe bëjnë kësi veprime, atëherë të bëhen gati për tema më serioze. "Nëse e duan Kosovën etnikisht pa serbë, atëherë le të bëjnë hajgare”.

Reagimet të ashpra

Menjëherë pas kësaj deklarate pasuan reagimet e shumta të përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe udhëheqësve të institucioneve të Kosovës. Deputeti Daut Haradinaj, sqaroi sot deklaratën e tij para Parlamentit të Kosovës, duke thënë se "ishte keqinterpretuar" për deklaratën e dhënë ditë më parë në lidhje me reagimet që mund të pasojnë nëse Ramush Haradinaj ekstradohet nga Franca në Serbi.

Frankreich Kosovarischer Ex-Regierungsschef Haradinaj festgenommen
Fotografi: picture alliance/dpa/AP Photo/J. F. Badias

"U bëj thirrje të gjithë atyre që e kanë interpretuar dhe e kanë kapur për bishti një deklaratë timen, se asnjëherë nuk kam thënë se do të ketë spastrim etnik. Por në rast se mendojnë që përmes një njeriu ose me transferimin e tij në Beograd do të arrijnë qëllimet e veta, atëherë duhet t'ia venë gishtin kokës dhe të kenë kujdes”. "Ata po duan të tentojnë ta spastrojnë Kosovën. Beogradi zyrtar donte ta spastronte Kosovën etnikisht, jo Daut Haradinaj, jo shqiptarët. E nëse duan të luajnë me zjarr puna e mbarë u qoftë", sqaroi të martën deputeti Daut Haradinaj.

Beogradi do të destabilizojë Kosovën

"Ata që sot po krekosen për serbët e Kosovës është mirë të na tregojnë neve hapur se si ndodhi vrasja e pandave në Pejë, e fëmijëve të Pejës, për t'i fajësuar shqiptarët e Kosovës. Unë kam folë dhe e përsëris edhe njëherë që të kihet kujdes se nuk luhet më me kombin tonë", u shpreh Daut Haradinaj Haradinaj, duke qenë i bindur siç tha se me ndalimin e Ramush Haradinajt, po mundohet të destabilizohet Kosova. "Këtë duhet ta dinë edhe përfaqësuesit diplomatik se po e mbajnë një njeri peng për qëllime të caktuara dhe e kanë shumë gabim”.

KFOR Soldaten in Kosovo
Fotografi: AP

Komenti i deputetit Daut Haradinaj, lidhur me mundësinë e ekstradimit të Ramush Haradinajt ne Serbi, se "në rast se gabojnë dhe bëjnë kësi veprime, atëherë të bëhen gati për tema më serioze - nëse e duan Kosovën etnikisht pa serbë, atëherë le të bëjnë hajgare”, pasoi me reagime të shumta nga përfaqësues vendor dhe ndërkombëtar në Kosovë.

Ndërkombëtarët kundër deklaratës

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zahir Tanin, në një komunikatë të lëshuar për medie tha se "deklarata e kësaj fundjave e një deputeti të Parlamentit të Kosovës, që përdori gjuhën e urrejtjes duke kërcënuar me spastrim etnik, është e papranueshme dhe shkakton shqetësime serioze". Ai u bëri thirrje të gjithë udhëheqësve të përgjegjshëm "që të dënojnë këtë deklaratë dhe autoritetet e drejtësisë të hetojnë dhe të marrin veprime në pajtim me ligjin".

Edhe zyra e Bashkimit Evropian, përmes një postimi në rrjetin social, tha se "dënon deklaratat kërcënuese ndaj komuniteteve dhe etnive të tjera. Ato nxisin gjuhën e urrejtjes të pakicat, pengojnë pajtimin si dhe dialogun”. Më herët gjatë fundjavës, pati reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, duke thënë se "kjo është një gjuhë e rrezikshme dhe nuk ka vend në Evropë”.

Thaçi kundër kërcënimeve me hakmarrje

Kosovo Einweihungszeremonie Präsident Hashim Thaci in Pristina
Fotografi: Reuters/A. Nimani

"Për institucionet dhe popullin e Kosovës, deklaratat kërcënuese ndaj etnive të tjera joshqiptare, nxisin mllef, urrejtje dhe hakmarrje, duke na kthyer në të kaluarën e hidhur. Për më tepër, bllokojnë dialogun për normalizim të marrëdhënieve, vënë në pikëpyetje pajtimin e domosdoshëm dhe perspektiven e Kosovës evropiane dhe shumëetnike. Nuk kemi lejuar një gjë të tillë as gjatë luftës dhe nuk do të lejojmë që të ndodhë as tani, sepse askush nuk e dëshiron", u shpreh Presidenti Thaçi.

Ramush Haradinaj është arrestuar me 4 janar në Basel nga autoritetet Franceze. Ai po mbahet në burg sipas një fletarresti të Serbisë, e cila e ngarkon ish-kryeministrin e Kosovës me krime lufte. Gjykata e Apelit në Colmar do të vendosë lidhur me kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Haradinajt në Serbi me 27 prill.