1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Afganistan: Alternativë tjetër përveç rindërtimit nuk ka

Anna Engelke20 Gusht 2006

Edhe pse gjendja e sigurisë në Afganistan është përkeqësuar qeveria federale gjermane nuk ka ndër mend të tërhiqet prej angazhimit të saj për rindërtimin e Afganistanit, i cili vazhdon të vuajë prej pasojave të luftës civile dhe regjimit të talebanëve

https://p.dw.com/p/Aqok
Treg në Kabul
Treg në KabulFotografi: AP

Vizita në Afganistan në postin e MPJ gjerman është për Steinmeierin premierë. Me këtë vizitë ai dëshiron të dëshmojë që edhe pse temë dominuese e politikës ndërkombëtare për momentin është Lindja e Mesme, Afganistani nuk është lënë në harresë. Jens Plëtner, zëdhënësi i MPJ, thekson:

"Afganistani mbetet një ndër pikat e rëndësishme të politikës së jashtme gjermane. Aty ne kemi një ndër projektet më të mëdha për rindërtimin në mbarë botën si dhe një ndër pranitë më të mëdha ushtarake."

Në Hindukush janë stacionuar aktualisht në kuadrin e ISAF-it rreth 2.700 ushtarë gjermanë. Detyra e tyre është të ndihmojnë për stabilizimin dhe rindërtimin e vendit. Ky mision ka qenë gjithmonë i rrezikshëm, por që prej fillimit të vitit gjendja është përkeqësuar. Gjatë vizitës së tij në muajin korrik, ministri gjerman i mbrotjes, Jung, tha se shqetësimin më të madh e përbëjnë sipas tij bombat e improvizuara, IED (improvised explosive devices).

"Shtimi i antentateve me bomba IED, fakti që ushtarët tanë janë qëlluar edhe me një predhë tanku si dhe atentatet vetëvrasëse tregojmë se këtu kemi të bëjmë me një cilësi të re."

Pas atentateve fshihet dora e talebanëve që duan të pengojnë rindërtimin e vendit dhe të dobësojnë qeverinë e presidentit Hamida Karsai. MPJ Steinmeier dëshiron që vizitës së tij që do të vazhdojë deri të martën të njihet personalisht me gjendjen në vend.

Përveç takimeve me presidentin Karsai dhe me homologun e tij afgan, Steinmeier do të vizitojë edhe ushtarët gjermanë në Masar i Sharif, trupat që marrin pjesë në rindërtimin e vendit në Kundush si dhe përfaqësuesit e disa projekteve që zhvillohen me kontributin gjerman, si një shkollë për vajza, një projekt për ndërtimin e një ujësjellësi, apo një stacioni televiziv.

Në vendin e tronditur prej mëse 20 vjet luftë civile dhe sunbdim të talebanëve po shënohen disa suksese, por procesi i rindërtimit për të cilin po përpiqet prej katër vjetësh bashkësia ndërkombëtare është tani në rrezik. Kështu mendon Citha Maas, eksperte për Afganistanin pranë Fondacionit Shkencë dhe Politikë. Ajo ishte vetë në qershor në Afganistan dhe konstatoi se shumë afganë janë të dëshpëruar, sepse:

"Askush nuk pret se do të ketë ndonjë përmirësim të gjendjes ekonomike me përjashtim të gjendjes së atyre pak njerëzve të privilegjuar. Shumë njerzë janë të shqetësuar për gjendjen e sigurisë në shumë zona të vendit. Ajo që të bie në sy është një përulje masive, një pajtim me fatin, dhe pas katër vjetësh një gjë e tillë të bën të dyshosh."

Kthimi masiv i talebanëve, zgjerimi i jashtëzakonshëm i kultivimit të drogave, korrupsioni në çdo qelizë të vendit - problemet e Afganistanit, vendit të pestë më të varfër të botës, janë të mëdha.

Gjithësesi qeveria gjermane nuk sheh ndonjë alternativë tjetër përveç vazhdimit të programit për rindërtimin e vendit. Në MPJ në Berlin thuhet se tërheqja prej këtij vendi do të shërbente si një sinjal me pasoja të mëdha.