1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Afrika dërgon ndihmësa për ebolën

Philipp Sander/Auron Dodi28 Tetor 2014

Bashkimi Afrikan dëshiron të dërgojë më shumë se 1000 ndihmësa për të luftuar krizën e ebolës në Afrikën Perëndimore. Në këtë kuadër i kushtohet rëndësi përgatitjes së mirë të personit. Sfida është e madhe.

https://p.dw.com/p/1Dcyp
Dr Nkosanzana Dlamini Zuma
Fotografi: DW/G. Tedla

Shtetet Afrikane duan të dërgojnë së bashku 1000 ndihmësa, mjekë dhe forca të specializuara në Sierra Leone, Liberi dhe Guine, për t'i mbështetur këto vende në luftë kundër epidemisë së ebolës. Këtë e bëri të ditur kryetarja e Komisionit të Bashkimit Afrikan (BA), Nkosazana Dlamini-Zuma, të enjten, në një vizitë në Sierra Leone. BA reagon me këtë ndaj nevojës urgjente për personel mjekësor të përgatitur mirë, u tha Dlamini-Zuma përfaqësuesve të shtypit në kryeqytetin Freetown. Në vendet që duan të vënë në dispozicion personel bën pjesë edhe Republika Demokratike e Kongos, tha Komisarja. Kongo është vendi ku sëmundja virale u shfaq për herë të parë në vitin 1976.

Një premtim tjetër për ndihmë vjen nga Etiopia. Ky vend në Bririn e Afrikës planifikon dërgimin e rreth 210 ndihmësve, midis tyre mjekë, infermierë, epidemiologë dhe specialistë të tjerë, bëri të ditur BA të premten. Me këtë Etopia reagon ndaj një thirrjeje përkatëse të cilën ua drejtoi shteteve anëtare shefja e BA, Dlamini-Zuma javën e kaluar.

"Të gjithë këta njerëz punojnë në mënyrë honorifike, pa para", i tha DW Addis Tamre, një zëdhënës i ministrit të shëndetësisë së Etiopisë. Qeveria e Etiopisë dhe BA fillimisht e kualifikojnë personelin. Kjo kryhet në kontakt me Organizatën Botërore të Shëndetësisë WHO dhe me Zyrën Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). "Që të mbrosh veten ky është parimi bazë në luftë kundër ebolas", thotë Tamre. "Vetëm atëherë ti mund t'u ndihmosh edhe njerëzve të tjerë në hall".

Ndihma ka nevojë për kohë

Deri në fund të muajit të ardhshëm, rreth 100 ndihmës etiopianë do të jenë në terren, në zonat e Ebolas, thotë Mustapha Sidiki Kaloko, Komisari i BA për çështjet sociale, në intervistë me DW. Kongoja ka premtuar 200 forca ndihmëse mjekësore, prej të cilëve 52 ndodhen rrugës për në Etiopi. Edhe shteti i Afrikë së Veriut, Nigeria ka premtuar se do të dërgojë 250 ndihmësmjekë.

Liberi: ndihmë kundër ebolës
Liberi: ndihmë kundër ebolësFotografi: Reuters/Bindra/UNICEF

Në përgjithësi Bashkimi Afrikan, me qendër në kryeqytetin e Etiopisë, Adis Abeba mund të thuhet se me këtë e arriti synimin e dëshiruar. Por komisari paralajmëroi që të mos tregohet shumë eufori. "Ne nuk e kemi logjistikën për t'i dërguar të gjithë këta njerëz njëkohësisht. Do ta organizojmë punën në njësi të vogla: njerëzit vijnë këtu, ne i përgatisim dhe pastaj i dërgojmë". Dy deri tre ditë përgatiten vullnetarët në Adis Abeba, dhe kur mbërrijnë në vendin e punës zhvillohen trajnime të tjera prej rreth dy javësh. Vetëm atëherë lejohet që vullnetarët të kalojnë në kontakt me pacientët e ebolas. "Këtë trajnim ne e ndjekim me shumë rreptësi. Përndryshe do të ketë shumë infektime. Dhe këta njerëz e përhapin pastaj virusin në të gjithë botën."