1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ahmadinexhadi ngre zërin për të mos mbetur politikisht i zbuluar

22 Prill 2009

Shtypi gjerman i ditës komenton efektet e fjalimit të Ahmadinexhadit në Gjenevë, vendimin e Obamës për të mos ndjekur penalisht torturat e ushtruara nga CIA.

https://p.dw.com/p/Hbnm


Gazeta "Süddeutsche Zeitung":


OKB- ja i ka bërë një nder Ahmadinexhadit, duke i dhënë forum në Gjenevë për tiradat e tij. Por me këtë presidenti iranian nuk ka fituar në fakt diçka. Sepse në Lindjen e Afërt tani kartat po përzihen sërish, Barack Obama do që t´i shuajë krejtësisht zjarret e ndezura dhe kërkon aleanca të reja. Edhe për këtë arsye Ahmadinexhadi ngre zërin, për të mos mbetur politikisht i zbuluar. Se shumë të preferuar iranianët nuk janë në rajon. Tendenca për dominim e Teheranit së bashku me zbulimet e tij atomike, shkaktojnë një refuzim ekstrem që nga Egjipti deri te Arabia Saudite. Të gjitha këto shtete kanë frikë se mund të bien nën zjarrin e konfliktit luftarak të Iranit dhe Izraelit. Edhe për këtë arsye tentativa e re e Obamës, në Lindjen e Afërt ka shumë përkrahës në botën arabe dhe Irani pak miq.


"Der neue Tag", që del në Weiden shkruan:


Nqs Obama shtrin dorën e tij protezhuese mbi punonjësit e drejtësisë dhe punonjësit e CIA-s, e në rradhë të parë mbi torturuesit, ai përçon një sinjal fatal. Ndryshimi shumë i përbetuar prej tij nuk ka këtë pamje. Obama ndjek verbërisht linjat e paraardhësit të tij Bush. Fuqi morale udhëheqëse SHBA-ja nuk mund të rifitojë në këtë mënyrë. Për këtë nevojitet një shqyrtim i plotë ligjor i rasteve të torturave.


"Nürnberger Zeitung" për mosdorëzimin e ish mbikqyrësit të kampit nazist të përqëndrimit Demjanjuk:


Që Gjon Demjanjuk është i pafajshëm, nuk e thonë as avokatët e tij. Por i sëmurë është, shumë i sëmurë, prandaj një transportim i 89 vjeçarit nga Cleveland për në Mynih do t´i ngjante një torture për të shkurtuar jetën. Demjanjuk vuan nga artriti, dobësia e veshkave dhe leuçemia. Eshtë një domosdoshmëri humane, që "të lihet të vdesë në shtëpi". Mundësi, e cila nuk iu la viktimave të tij. Ata përfunduan në dhomat e gazit të kampit nazist të përqëndrimit Sobibor. (av/aca/dpa)