1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Ai po shkonte në punë" - Reagime lidhur me vrasjen e brazilianit të pafajshëm nga policia e Londrës

Jan Tusing24 Korrik 2005

Policia britanike ndodhet nën presion pas vrasjes së qëllimshme, por gabimisht duke dyshuar për terrorizëm të një braziliani në Londër. Ministria e jashtme e Brazilit kërkon sqarim nga autoritetet, përse hetuesit civilë të premten qëlluan ndaj 27 vjeçarit në një stacion metroje të Londrës. Organizatat e të drejtave të njeriut akuzojnë hetuesit për qëndrim të gabuar dhe kërkojnë hetimin e hollësishëm të ngjarjes. Scotland Yard ka pranuar, se personi i vrarë nuk kish të bënte me sulmet me bomba të ditës së enjte.

https://p.dw.com/p/Aqjc
Në afërsi të Stockwell Station, vendi ku u vra braziliani Zhan Çarls de Menezes
Në afërsi të Stockwell Station, vendi ku u vra braziliani Zhan Çarls de MenezesFotografi: dpa-Bildfunk

"Ai ishte nipi im, që e kam gjithmonë në zemër." Kështu thotë Zilda Figeurea, gjyshja e brazilianit 27 vjeçar, i cili të premten më 22 korrik u qëllua për vdekje nga forcat britanike të sigurisë në një stacion metroje të Londrës. Zhan Çarls de Menezes jetonte qysh prej tri vjetësh në Londër dhe punonte si elektriçist.

Ai po udhëtonte për në punë, thonë të afërmit e tij. Ai ishte me vonesë ndaj po nxitonte. Ja se si e përshkruan incidentin Mark Uitbaj, dëshmitar okular: "Në çastin që po hipte në tren ai ndodhej me gjysmën e trupit brenda ndërsa tre veta e shtynë. Ata e shtrinë atë përtokë dhe qëlluan pesë herë. Unë e pashë, se si u qëllua pesë herë ndaj tij."

"Shoot to kill" këtë metodë përdorën njësitë speciale. Kuptimi i kësaj metode është të shtënat e vdekjes, pra të qëllosh për të vrarë. Personi sillej në mënyrë të çuditshme, thonë autoritetet, ato nuk donin që të rrezikoheshin pasagjerët e tjerë. Ai kish veshur një xhup dimri, ndonëse ishte verë, ndaj dyshohej se mund të kish fshehur diçka.

Ditën që ndodhi kjo, shumë vetë shtronin pyetjen: kush ishte ky njeri? A kish të bënte ai me sulmet e 7 korrikut? Gazetarët pyetën dëshmitarët okularë lidhur me pamjen e personit: "Ai ishte brun. Nuk munda ta shoh në fytyrë, sepse zbriti shumë shpejt nga treni. Ai ndodhej me shpinë kundrejt shumicës së pasagjerëve. Mendoj, se i vetmi që ia ka parë fytyrën ka qenë personi që e kapi atë", thotë një dëshmitar.

Me fjalë jashtëzakonisht të qarta drejtuesit e Scotland Yardit e kanë marrë mbi vete përgjegjësinë. "Fakti që dikush humbet jetën në rrethana të tilla, është një tragjedi", tha një zëdhënës. personi nuk ka pasur të bëjë aspak me sulmet terroriste në metronë e Londrës.

Por Ian Bler, shef i policisë londineze i mbron të shtënat vdekjeprurëse. "Ka vetëm një rrugë të sigurtë për të ndaluar një atentator kamikac, i cili është i bindur të kryejë misionin e tij, pra të shkatërrojë plotësisht dhe në mënyrë të menjëhershme trurin e tij. Kjo do të thotë, që ai duhet qëlluar me forcë shkatërrimtare në kokë, pra ai duhet vrarë menjëherë."

Ian Bler: "Këto metoda janë përpunuar vazhdimisht. Në këtë rast kemi të bëjmë me një udhëzim kombëtar dhe jo me një udhëzim të policisë së Londrës. Une besoj, se këto metoda janë të drejta, sepse aktualisht jetojmë në kohë jashtëzakonisht të vështira. Unë besoj, se edhe pse jemi të prekur thellë dhe na vjen keq për këtë tragjedi, ne duhet të vazhdojmë të veprojmë kështu si deri tani."

Të vazhdojmë si deri më sot? Por qysh tani popullsia është indinjuar. Shumë vetë as që e kanë ditur se ekziston "metoda shoot to kill". Eskpertët e të drejtave të njeriut si Dr. Sidikui, deputet mysliman në parlamentin britanik, kanë vënë alarmin: "Tani ka ardhur koha që t´i vemë gishtin kokës. Çfarë duam ne? udhëzime për të shtënat vdekjeprurëse? Eshtë kjo përgjigja e duhur? Ç´drejtim marrim ne me një gjë të tillë dhe ç´pasoja ka ajo?"

Qeveria braziliane pret që autoritetet britanike të japin sqarime, se si qe e mundur që në kuadër të hetimeve për terrorizëm të jepeshin të shtënat vdekjeprurëse. Brazili është i indinjuar dhe i shokuar, se si një njeri mund të vritet gabimisht nga policia, deklaroi ministri i jashtëm brazilian Çelso Amorim në Londër: "Edhe në luftën kundër terrorizmit duhet të kemi kujdes që të shmangim humbjen e jetëve të pafajshme. Siç duket në këtë rast ka ndodhur pikërisht kjo."

Scotland Yard ndërkohë ka deklaruar, se po zhvillohen hetime të brendëshme për zbardhjen e ngjarjes.