1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ajër i freskët pas 30 ditësh në bunker

Gerwald Herter14 Gusht 2006

Që prej orës 7 të mëngjesit të ditës së hënë është në fuqi armëpushimi mes ushtrisë izraelite dhe milicëve hizbollah. Edhe pse ky armëpushim është ende i brishtë popullsia izraelite po merr frymë e lehtësuar. Ndërkohë ushtarakët izraelitë dhe libanezë vazhdojnë bisedimet për hollësitë e tërheqjes së trupave izraelite nga Libani i Jugut.

https://p.dw.com/p/ArKg
Bunker në Kyriat Shmona, rreth 10 km prej kufirit libanez
Bunker në Kyriat Shmona, rreth 10 km prej kufirit libanezFotografi: AP

Shumë Izraelitë nuk e besojnë ende se është vendosur paqja. Armëpushimi është në fuqi, ushtria izraelite po tërheq njësitë e para prej Libanit të Jugut e megjithatë jo të gjithë njerëzit po marrin guximin të kthehen në vatrat e tyre. Shumë banorë të fshatrave dhe qyteteve në veri të Izraelit i kanë kaluar këto netë nëpër bunkerë të shoqëruar prej sirenave të alarmit.

Juditha një grua e moshuar nga Haifa po pi e lehtësuar një kafe me miqtë e saj:"Kam ardhur të festoj armëpushimin. Deri tani nuk kam dalë nga pragu, por sot dua të festoj bashkë me mikeshat e mia që kisha kohë që nuk i kisha parë, këtë shans për paqe."

Incidentet për të cilat njoftohet nga jugu i Libanit të kujtojnë se paqja është ende e brishtë. Gjithësesi ushtria izraelite është e mendimit se ato nuk e cënojnë armëpushimin.

Gjatë luftimeve që zgjatën rreth një muaj gjetën vdekjen 40 civilë dhe 116 ushtarë izraelitë. Nga pala libaneze numri i të vdekurve është rreth 1.000. Gjatë seancës së posaçme të parlamentit izraelit kryeministri Ehud Olmert i falenderoi të gjithë izraelitët që rrezikuan gjatë javëve të fundit jetën e tyre dhe e justifikoi edhe një herë ndërhyrjen izraelite në Libanin e Jugut:"Vendimi ynë ka gjetur një jehonë të gjërë dhe i ka bërë të qartë të gjithë botës se shteti i Izraelit edhe në të ardhmen nuk do të durojë shkeljen e sovranitetit të tij. Ne do të reagojmë me ashpërsi kundrejt çdo akti terrorist pavarësisht se nga vjen ai."

Politikanët e ppozitës kërkuan megjithatë dorëheqjen e kryeministrit. Deputeti i partisë së majtë "Meretz", Sahava Gal On tha se populli izraelit është zgjuar prej mashtrimeve dhe rrugës së gabuar në të cilën e drejtoi qeveria. Olmerti deklaroi në parlament se ai merr përsipër të gjithë përgjegjësinë për marshimin në Liban.

Shumë izraelitë mendojnë se edhe në të ardhmen do të ketë luftime me milicët hizbollah. Gjithësesi një herë për një herë ata po marrin frymë lirisht:"Një ndjenjë e këndshme. Të shohim se çdo të bëhet më tej, por të thithësh lirshëm ajër pas 30 ditësh në bunker është një gjë e mrekullueshme."