1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Aksidenti i një kryqëzori në brigjet e Italisë shkakton tre viktima

14 Janar 2012

Kryqëzori "Costa Concordia" pësoi aksident para brigjeve perëndimore të Italisë. Të paktën 3 vetë humbën jetën dhe disa të tjerë u lënduan. Me një aksion të madh shpëtimi, u evakuuan rreth 4000 vetë nga bordi i anijes.

https://p.dw.com/p/13jeg
Kryqëzori Costa Concordia
Kryqëzori Costa ConcordiaFotografi: Reuters

Në kryqëzorin "Costa Concordia" pas aksidentit të ndodhur gjatë natës para brigjeve të Toskanës, në anën e majtë shihet një e çarë rreth 70 metra e gjatë. Dëshmitarët në vendngjarje dyshojnë se anija është përplasur me një shkëmb, njoftoi agjencia italiane e lajmeve ANSA të shtunën (14.1.'12). Fatkeqësia ndodhi para portit të ishullit italian Giglio. Në bord ndodheshin 4200 vetë. Anija "ndeshi në një pengesë e cila hapi një të çarë të gjatë në boshtin e saj", tha Francesco Paolillo nga roja bregdetare. Pas kësaj "Costa Concordia" ishte anuar në anën e djathtë dhe ngadalë ishte mbushur me ujë.

Pasagjerë të Costa Concordias gjatë evakuiimit me gomone.
Me një aksion të madh shpëtimi u evakuuan rreth 4000 personat në bord.Fotografi: picture-alliance/dpa

Aksion i madh shpëtimi

Një pjesë e madhe e rreth 4200 personave në bord, pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit u evakuuan me gomone. Kur anijen po e merrte gjithnjë e më shumë ana, u ngritën helikopterë për të shpëtuar rreth 50 njerëzit që ndodheshin ende në bord, tha Paolillo nga roja bregdetare.

Pasagjerët e evakuuar u strehuan në ishullin Giglio në shkolla, hotele dhe kisha, citon ANSA gazetarët, të cilët ndodheshin në bord të "Costa Concordias" në kohën që ndodhi fatkeqësia.

Sipas të dhënave të reporterëve fatkeqësia ndodhi të premten gjatë kohës së darkës. "Ne ishin në tryezë kur u fikën dritat. Papritur dëgjuam një zhurmë të fortë dhe pjatat ranë në tokë", citon ANSA gazetarin Luciano Castro. "Ishte si një skenë nga filmi 'Titaniku'", tha gazetarja Maria Parmegiani.

Costa Concordia - nga kryqëzorët më të rinj dhe të mëdhenj në detrat e botës.
Costa Concordia - nga kryqëzorët më të rinj dhe të mëdhenj në detrat e botës.Fotografi: AP

Një anije nga më modernet

Sipas të dhënave të shoqërisë detare "Costa Cruises" kryqëzori "Costa Concordia" po kryente një udhëtim nga Civitavecchia italiane në Savona, Marsejë, Barcelonë, Palma de Mallorca, për në Cagliari të Palermos. Në bord ndodheshin rreth 1000 pasagjerë italianë, mbi 500 gjermanë dhe rreth 160 francezë. Sipas të dhënave të pronarit anija "Costa Concordia" është një nga kryqëzorët më të rinj dhe të mëdhenj, që udhëtojnë aktualisht në detërat e botës. Ajo është ndërtuar në vitin 2006 dhe ka rreth 1500 kabina për 3780 pasagjerë. Operatore është sipërmarrja italiane "Costa Crociere" me qendër në Genova. Anija është rreth 290 metra e gjatë dhe 40 metra e gjerë. Ajo arrin një shpejtësi maksimale prej 23 nyjesh detare (ose 43 kilometra në orë). Rreth 1100 pjesëtarë ekuipazhi kujdesen për pasagjerët.

Autor: Annamaria Sigrist (dpa, afp, rtr) / E. Xhani
Redaktoi: Bahri Cani