1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Norman Atlantic" endet në brigjet shqiptare

la/bc(dpa, rtr, afp)29 Dhjetor 2014

Forcat e shpëtimit janë duke punuar pa pushim për të nxjerrë nga rreziku pasagjerët e mbetur në tragetin "Norman Atlantic" që vërtitet në ujërat shqiptare. Ende spekulohet mbi shkaqet e zjarrit në bordin e anijes.

https://p.dw.com/p/1EB3Z
Brand auf Fähre in der Adria Norman Atlantic 29.12.2014 Rettung
Fotografi: Reuters/Marina Militare

Vazhdon evakuimi nga ajri për shpëtimin e pasagjerëve të tragetit grek të linjës "Anek Lines", por ritmet janë të ngadalta. Dallgët e larta, tymi dhe moti i keq kanë vështirësuar shumë punën e forcave të shpëtimit. Agjencia italiane ANSA njofton se flakët në anije janë nën kontroll. Sipas njoftimeve të marinës italiane deri në mëngjes janë arritur të shpëtohen 260 vetë, shumica vetëm përmes helikopterëve. Një person ka vdekur. Spas njoftimeve një grek u plagos për vdekje pas hedhjes nga bordi i anijes. 49 persona të tjerë me një anije italiane ndërkohë kanë mbërritur në Itali, në Bari. Prefekti i Barit i tha mediave se pasagjerët e shpëtuar tani janë në gjendje të mirë.

Brand auf Fähre in der Adria Norman Atlantic 29.12.2014 Rettung
Fotografi: Filippo Monteforte/AFP/Getty Images

Vetëm një grua shtatzënë dhe disa fëmijë janë dërguar në spitalet italiane, të cilat gjatë së dielës dhe së hënës janë vënë në gjendje alarmi. Shumica e pasagjerëve janë grekë, 18 gjermanë, ndër pasagjerët gjenden edhe dy shqiptarë, sipas njoftimeve të mediave. Ndërkohë më shumë se 180 pasagjerë të tjera presin të nxirren nga "Norman Atlantic". Në bordin e anijes kanë mbërritur edhe mjekë. Sipas rrëfimeve të një shoferi grek të maunes, Kostas Bletsas, i cili ka biseduar drejtpërdrejt me televizionin grek Skai gjendja e njerëzve në këto rrethana është e mirë , për ta po tregohet kujdes. Ndërkohë anija e marinës italiane "San Giorgio" ka marrë përsipër drejtimin e aksionit të shpëtimit. Me sa duket "Norman Atlantic" po drejtohet nga "San Giorgio drejt brigjeve të Brindisit."

Brand auf Fähre in der Adria Norman Atlantic 28.12.2014
Fotografi: Reuters/Marina Militare

Në bord ka pasur mbingarkesë

Natën e së dielës trageti që ndodhej në rrugën nga ishulli grek Patras për në Ankona të Italisë mori zjarr në afërsi të ishullit të Korfuzit dhe që nga e diela endet në det në mes brigjeve italiane e shqiptare pa mundësi manovrimi. Gjatë inspektimit të tragetit këtë muaj ishin vënë re defekte në një derë të mbrojtjes kundër zjarrit si edhe në ndriçim, po sipas njoftimeve ishin bërë rikonstruksionet e duhura. Inxhinieri konstruktor i anijeve Giorgos Margetis i tha televizionit grek Skai se defektet nuk duket të kenë qenë të mëdha, ndryshe anija nuk do të lejohej në det të hapur. Shkaku i fatkeqësisë nuk dihet ende. Spekulohet se disa maune kanë qenë të mbingarkuara, sipas disa shoferëve me vaj ulliri. Në këto kushte mjafton një shkëndijë për shpërthimin e zjarrit.