1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Akt vizionar në procesin e paqes për Lindjen e Mesme, apo një lëvizje taktike në politikën e brendëshme?

Engelbrecht, Sebastian Tel Aviv (BR)21 Maj 2008

Në Izrael janë të rezervuara reagimet lidhur me shpalljen zyrtarisht të bisedimeve jo direkte me Sirinë. Pas tetë vjet ndërprerjeje Izraeli dhe Siria sërish kanë nisur bisedimet e paqes me ndërmjetësimin e Turqisë.

https://p.dw.com/p/E41D
Fotografi: AP Graphics

Plani i paqes është në tryezë dhe tani kryeministri i Izraelit duhet të ketë mbështetjen e shumicës së popullit të tij për ta miratuar atë. Pas kuintave delegacionet jo zyrtare të Izraelit dhe të Sirisë qysh në vitet 2004-2006 kanë përpunuar bazën për një marrëveshje paqeje. Plani parashikon, që Izraeli të tërhiqet plotësisht nga territoret e lartësive Golan të pushtuara në vitin 1967. Në një zonë neutrale në kufirin e ardhshëm, në bregun lindor të liqenit Genezareth, do të krijohet një i ashtuquajtur „Park“, i cili do të jetë i hapur si për sirianët ashtu edhe për izraelitët.

Këtë plan jozyrtar e kanë në dorë dy këshilltarët e Olmertit, të cilët qysh nga e hëna (19.05) zhvillojnë bisedime jo direkte në Ankara me përfaqësuesit e qeverisë siriane. Me ndihmën e ndërmjetësuesve turq të dy këshilltarët duhet të avancojnë dialogun me sirianët. Në Izrael përhapja e lajmit nga zyra e kryeministrit për bisedimet e paqes me Sirinë shkaktoi jehonë të dyfishtë. Ran Cohen, deputet i partisë së majtë liberale Meretz në Knesset (parlamenti izraelit) e përshëndeti afrimin me Sirinë: „Unë mendoj, se ky është një hap shumë i rëndësishëm dhe shumë pozitiv. Madje shumë keq që kjo nuk është bërë prej kohësh, sepse këtu vërtetë ka një shans për ta izoluar Iranin prej Sirisë dhe Libanit."


Cohen nxjerr në pah interesin e vërtetë që ka Izraeli në bisedimet e paqes: kushti për një marrëveshje me Sirinë është, që Damasku të distancohet prej grupeve islamike si Hisbollahët dhe Hamasi. Izraeli do ta shkëpusë Sirinë prej aleancës me Iranin dhe ta tërheqë atë drejt palës perëndimore pro-amerikane. Me këtë milicët Hisbollah në Liban humbasin një nga mbështetësit e rëndësishëm në aleancë si dhe kanalin për importimin e armëve.

Israelische Soldaten auf den Golanhöhen
Ushtarë izraelitë në lartësitë GolanFotografi: Picture-Alliance /dpa


Në një projekt të tillë nuk ka interes kampi i partive të djathta në Izrael. Ato kanë frikë në radhë të parë për lartësitë Golan. Izraeli madje i ka aneksuar ato në vitin 1981 duke i shpallur me ligj si territor shtetëror. Në një sfond të tillë Limor Livnat nga krahu i majtë i partisë Likud me orientim të djathtë deklaroi para parlamentit izraelit: „Ehud Olmerti duhet të shkojë në shtëpi. Ai nuk ka mandat as moral e as publik për të drejtuar bisedimet mbi të ardhmen e shtetit të Izraelit në një kohë që e ndan vetëm një hap prej aktpadisë.“


Për Livnat është e qartë: Olmerti i publikoi tani kontaktet me Sirinë, sepse ai është vënë me shpatulla pas murit sa i përket politikës së brendëshme. Policia dhe prokuroria janë duke hetuar kundër kryeministrit për shkak të një afere korrupsioni. Olmerti të premten (23.5.) do të merret sërish në pyetje, pak ditë më pas edhe biznesmeni amerikan Morris Talansky. Dyshohet se prej tij Olmert ka marrë para ilegalisht deri në vitin 2005.


Shumica e politikanëve në Izrael e konsideron publikimin e bisedimeve deri më sot të fshehta me Sirinë si një manovrim taktik të kryeministrit për të ruajtur postin.


Olmerti do ta ketë të vështirë që të gjejë mbështetje në Izrael për paqen me Sirinë. Në bazë të sondazheve të fundit një e katërta e Izraelit është kundër kthimit të lartësive Golan.