1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Akuza të rënda për tortura në Turqi

27 Tetor 2016

Pas përpjekjes për puç në muajin korrik ka njoftime se policia turke keqtrajton të burgosurit.

https://p.dw.com/p/2Rmai
Syrien Folter Symbolbild
Fotografi: picture alliance/AA/C. Genco

Prej tre muajsh i shoqi i Asuman Birinçisë gjendet në burgun e Antaljas dhe e deri tani pa aktakuzë të qartë. Por më e keqe se sa pasiguria janë për të marrjet në pyetje nga policia.  "Ata e kanë zhveshur tim shoq lakuriq dhe e kanë rrahur pa pushim me shkopinj. E kanë kërcënuar me vdekje. Kur të vdesësh nuk do të të gjejë më njeri - i kanë thënë." - tregon ajo.

Pas përpjekjes për puç në mes të korrikut, të shoqin e Asumanes, Eyupin, i cili punonte si mësues, e arrestuan nën akuzën se është anëtar i lëvizjes së Gülen-it. Gjatë kohës që ishte në hetuesi, familja mori vesh se e kishin shtruar në spital. "Për një moment para derës së dhomës së tij në spital nuk ishin rojet dhe unë hyra vërtik dhe e pyeta se ç'kishte ndodhur? Ai më tregoi se e kishin rrahur keq dhe se tani i kishin hequr një pjesë të zorrës së hollë." - tregon Asuman Birinçi.

Gefängnis von Antalya Türkei
Burgu i AntaljasFotografi: picture-alliance/dpa/G.Breloer

Arrest hetimor deri në 30 ditë

Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme qytetarët në Turqi mund të mbahen në arrest hetimor deri në 30 ditë pa vendim gjykate. Më parë një gjë e tillë ka qenë e mundur deri në 4 ditë. Të arrestuarve mund t'u mohohet kontakti me avokatin deri në pesë ditë. Këto rregulla sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut paraqesin një mundësi keqpërdorimi ndaj të arrestuarve, familjeve të tyre dhe një mjet për përhapjen e frikës. Po ashtu ato favorizonjnë torturën. "Meqë nuk na lejojnë të takohemi me të arrestuarit dhe nuk na japin raporte të besueshme mjeksore, nuk mund të themi me siguri se sa e përhapur është në të vërtetë tortura. Por kemi dyshime se nuk janë raste sporadike." - thotë Aisling Reidy e organizatës  "Human Rights Watch"

Askush nuk guxon të flasë

"Me nxjerrjen nga fuqia të ligjeve që pamundësojnë dhunën në burgje, qeveria turke u ka dhënë autoriteteve një carta bianca që t'i keqtrajtojnë të burgosurit", thotë Hugh Williamson, nga Human Rights Watch. Keqtrajtimet kanë filluar menjëherë në korrik. Andrew Gardner i po kësaj organizate, thotë se shumë viktima kanë frikë të flasin për atë që u ka ndodhur në burg. Ndërkohë që edhe shumë pak avokatë kanë pasur guxim të njoftojnë për këto raste.

Asuman Birinci ka ngritur padi për shkak të torturave ndaj të shoqit. Po ajo nuk ka shumë shpresë se përgjegjësit do t'i nxjerrin përpara përgjegjësisë. Sepse edhe mjekët kanë frikë të thonë të vërtetën: "I thashë mjekut në spital se unë jam e shoqja e pacientit dhe dua një raport mjeksor për plagosjet e tim shoqi. Po ai më dergoi tek shefi i pavionit. Dje ai më tha se nuk më ndihmonte dot."