1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

030809 Rasmussen Amtsantritt

3 Gusht 2009

Detyrat e Sekretarit të ri të Përgjithshëm të NATO-s për katër vitet e ardhshme janë të mëdha: reformimi i NATO-s, përfundimi me sukses i angazhimit në Afganistan dhe vendosja e kontakteve me botën myslimane.

https://p.dw.com/p/J2gM
Anders Fogh Rasmussen gjatë një konference për shtyp (03.08.09)
Anders Fogh Rasmussen gjatë një konference për shtyp (03.08.09)Fotografi: AP

Pak javë më parë, një ditë e vetme e bëri shumë të qartë se ku ndodhet aktualisht NATO-ja: në mes të kërkimit të kuptimit për veten. Aleanca mbrojtëse dërgoi një ftesë për një konferencë në Bruksel. Në listën e të ftuarve: ish-ministrja e Jashtme e SHBA, Medlën Ollbrajt, kryetari i koncernit britanik të sigurimeve Lloyds, profesorë, përfaqësues të organizatave humanitare dhe mediet.

Tema: detyrat e NATO-s në të ardhmen. Aleancë mbrojtëse, polic botëror, apo luftëtare kundër urisë, siç e kërkoi drejtoresha e Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, Zhozet Shiran NATO-ja dëshiron të pajiset me një koncept të ri strategjik, këtë e vendosën shtetet anëtare.

Dialogun e reformimit duhet ta shtyjë tani përpara Sekretari i ri i Përgjithshëm, Anders Fog Rasmusen, thotë Giles Merrit nga Instituti i Brukselit për Sigurinë dhe Mbrojtjen: "NATO-ja duhet t'i rikonceptojë tërësisht strukturat. NATO-ja duhet të përgatitet për luftëra, në të cilat kundërshtari ndërmerr atentate dhe në të cilat ai e kundërshton shoqërinë civile. Ky ndryshim nuk është kryer ende, ne vazhdojmë të mbështetemi te tanket dhe te avionët reaktivë."

NATO-ja mes detyrave civile dhe ushtarake

Isabelle Voßwinkel gjatë një seance trainimi të policëve afganë
Isabelle Voßwinkel gjatë një seance trainimi të policëve afganëFotografi: dpa

Prej kësaj rezultojnë vështirësi, siç tregon lufta në Afganistan. Pyetja tjetër që shtrohet është nëse NATO-ja duhet të ngrejë shkolla dhe të ndërtojë administratën dhe nëse është në gjendje për këtë. "Kjo nuk është detyra e saj. Në këtë kuadër ajo nuk është e mbingarkuar, por instrumenti i gabuar për këtë çështje." - mendon Johanes Varvik, profesor për shkencat politike.

Por Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s jo vetëm duhet të çojë përpara debatin për të ardhmen e aleancës ushtarake. Detyra kryesore do të jetë angazhimi në Afganistan - suksesi ose dështimi i tij. "Besoj se ne duhet të largohemi prej angazhimit thjesht ushtarak. Megjithatë, çështja mbetet se si mund të ndërtojmë një kulturë politike dhe një shoqëri civile, e cila të jetë stabile. Në këtë sektor evropianët duhet të angazhohen edhe më fort, këtu ne kemi më shumë përvojë, për shkak të misioneve të BE."

Javët e fundit, amerikanët ndërruan komandantin e trupës ndërkombëtare në Afganistan. Në krye të trupave tani është gjenerali MkKristël (McCrystal), i cili synon ta pakësojë numrin e sulmeve ajrore dhe të viktimave civile në Afganistan. Njëkohësisht SHBA do të përforcojnë trupat e këmbësorisë.

Perceptimi nga bota arabe detyrë e madhe për Rasmusenin

Na falni, nuk shesim prodhime daneze
Bojkotimi i prodhimeve daneze në vendet arabe pas botimit të karikaturave të Muhametit (janar 2006)Fotografi: AP

Detyra e tretë e madhe për Rasmusenin duhet të jetë mënyra e perceptimit të tij në botën myslimane. Si kryeministër danez ai mbrojti atë që kritikuan shumë myslimanë: karikaturat e profetit Muhamet në gazetat daneze. Rasmuseni e di shumë mirë, se NATO-ja është në radhën e parë dhe se ajo duhet të arrijë kompromis në paqe me botën arabe dhe fenë islame, për ta pakësuar dhunën.

Autor: Christoph Prössl/Auron Dodi
Redaktor: Pandeli Pani