1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ambasada gjermane në Tiranë mbështet në luftën kundër korrupsionit

Arben Muka7 Nëntor 2008

Projekti pilot, i prezantuar të premten në Tiranë, mbështet Transparency International Albania, TIA dhe përmirësimin e treguesve në matjen e korrupsionit, për përgatitjen e një sistemi parandalues

https://p.dw.com/p/FpIF
Symbolbild Korruption Bestechung Geld EuroFotografi: BilderBox.com



Projekti pilot, që është prezantuar të premten në Tiranë, mbështet Transparency International Albania, TIA, për të përmirësuar treguesit në matjen e korrupsionit, për të përgatitur një sistem parandalues dhe raportim të rregullt për publikun.


Ambasadori gjerman në Shqipëri, Bernd Burchardt, u shpreh gjatë prezantimit të projektit se nisma të tilla intensifikojnë bashkëpunimin e aktorëve të shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit. "Ne ofrojmë mbështetje për luftën kundër korrupsionit për qeverinë shqiptare, por gjithashtu e ndjejmë se duhet mbështetje dhe për shoqërinë civile për të kontribuar në këtë proces. Prej kohësh ne ofrojmë këtë mbështetje për organizatën Transparency International edhe në vende të tjera të Ballkanit Përendimor. Kjo kuptohet dhe duhet të kuptohet si një dëshirë e jona, që Shqipëria të kapë ato objektiva të saj në luftën kundër korrupsionit".

Ambasadori Burchardt përmendi dhe ndihmën, që vendi i tij dhe BE kanë dhënë për reformat në drejtësi, apo në sektorë të tjerë jetikë të zhvillimit të reformave në vend.

Drejtoresha e Transparency International Albania, Mariana Papa, u shpreh se misioni i organizatës së saj nuk është thjesht konstatimi për përhapjen e korrupsionit, "por prej disa vjetësh ajo asiston qytetarët, ju jep atyre ndihmë ligjore falas duke i mbështetur ata me denoncime konkrete pranë institucioneve për raste të korrupsionit".

Nevojën e thellimit të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri e kanë vënë në dukje po ditën e premte nëpërmjet një deklarate të përbashkët për median ambadadorët e vendeve të Bashikimit Europian të akredituar në Tiranë. Ata duke iu referuar dhe rezultateve te Progres Raportit të Komisionit Europian, që u lëshua ditën e mëkurë, kanë vënë thekse tek kushti i zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme gjatë vitit të ardhshëm.