1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ditë jo të mira për të drejtat e njeriut në botë

Helle Jeppesen24 Shkurt 2016

Raporti vjetor i Amnesty International është më shumë se kurrë më parë pesimist. Gati të gjitha rajonet botës përmenden në raportin e AI. Organizata kritikon edhe qëndrimin e Europës ndaj refugjatëve.

https://p.dw.com/p/1I0m9
Amnesty International PK zur Lage der Menschenrechte 2015/2016
Konferencë shtypi e AI për gjendjen e të drejtave të njeriut në botëFotografi: DW/N. Jolkver

“Humaniteti ka vdekur”: Kështu i përshkruan ndjenjat e saj një grua jemenite kur qëndron e dëshpëruar para rrënojave të një shkolle. “Një qendër e dijes bombardohet- pa asnjë paralajmërim.” Raporti i ri i Amnesty International i jep asaj të drejtë. Ka shumë pak shpresë që bota të bëhet më e mirë dhe më paqësore. Lufta, dhuna dhe përndjekja po kthehen në përditshmëri në shumë kontinente dhe po i detyrojnë përditë mijëra vetë të marrin arratinë.

“2015 është ndoshta një nga vitet më të tmerrshme që më kujtohen”, thotë Sekretari i Përgjithshëm i qendrës së Amnesty Internationla në Londër, Salil Shetty in intervistë me Deutsche Welle. “Sistemi që ka ngritur për 70 vjet bashkësia ndërkombëtare për të mbrojtur të drejtat e njeriut është i rrezikuar.”

Ndërgjegjësim në botë

Nuk ka rajon në botë që të mbetet pa përmendur: Fjala është për përndjekjen e aktivistëve të të drejtave të njeriut, “zhdukja e tyre” e papritur në Amerikën Latine, në Azi dhe Afrikë, por AI përmend edhe ekzekutimet në SHBA dhe Azi, luftërat e gjakderdhjen e tmerrshme në Lindjen e Mesme dhe luftërat qytetare në Afrikë, pikërisht ato i kanë detyruar miliona vetë të marrin arratinë.

Salil Shetty e cilëson si “paradoksale” këtë situatë. “Nga njëra anë shtetet janë bërë më shtypëse. Lufta kundër terrorit shërben si argument për përgjimin masiv, shtypjen dhe kufizimin e të drejtave të njeriut”, thotë Shetty. “Por nga ana tjetër kjo i nxit gjithnjë e më shumë njerëz të luftojnë për të drejtat e tyre.”

Refugjatët pa të drejta

Raporti i Amnesty International e paraqet si katastrofike situatën globale të refugjatëve. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore nuk ka pasur kurrë më parë kaq shumë refugjatë në lëvizje sa sot. Por megjithëse të drejtat e tyre janë të sanksionuara në Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut si edhe në Konventën e Gjenevës, de facto refugjatët nuk gëzojnë të drejta. As Europa dhe as Bashkimi Europian nuk bëjnë figurë të mirë në këtë raport. “BE vazhdon me politikën e izolimit dhe do të vazhdojë të ashpërsojë kufijtë për të mos lejuar refugjatët të hyjnë në Europë”, thotë Sekretarja e Përgjithshme e AI për Gjermaninë Selmin Caliskan, në bisedë me Deutsche Welle. “Që kjo llogari nuk ka për të dalë, këtë e dinë të gjithë, megjithatë izolimi përparon, në vend që të krijohen rrugë legale dhe të sigurta dhe sidomos të ndihmohen ashtu si duhen refugjatët në vendet ku ata janë vendosur, si për shembull në Liban, Jordani, Turqi.”

Caliskan: "Groposet edhe humanizmi ynë"

Debatin për kontigjentet e refugjatëve, Caliskan e vlerëson si legjitim, por kontigjentet dhe kufijtë maksimalë nuk duhet të nxjerrin jashtë loje të drejtat e njeriut. Paketën e dytë të qeveisë gjermane për azilin ajo nuk e sheh si frytdhënëse, sidomos shpalljen si vende të sigurta origjine të Marokut, Tunezisë e Algjerisë. Kjo ka pasoja në shoqëri. “Groposet edhe humanizmi ynë. Krijohet një normalitet tjetër, dhe kjo është e rrezikshme, sepse mirëqenie dhe siguri mund të kesh vetëm kur respektohen të drejtat e njeriut.”