1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Analistët për fushatën parazgjedhore në Maqedoni

18 Mars 2009

Krahas zgjedhjeve presidenciale më 22 mars në Maqedoni mbahen edhe zgjedhjet lokale. Analistët vlerësojnë progresin në nivelin demokratik të fushatës parazgjedhore, por theksojnë se zgjedhjet lokale kanë mbetur në hije.

https://p.dw.com/p/HEul
Kandidatë për president Ivanov, Boskovski dhe Frckoski
Kandidatë për president Ivanov, Boskovski dhe FrckoskiFotografi: Petr Stojanovski

Më 22 mars Maqedonia zgjedh Presidentin e ri të vendit si dhe kryetarët e 84 komunave dhe të Kryeqytetit, Shkupit. Në garën për president kanë hyrë shtatë kandidatë, katër maqedonas dhe tre shqiptarë, ndër të cilët është dhe e vetmja femër që konkuron për këtë post. "Numri i madh i kandidatëve për president shteti e bën këtë fushatë parazgjedhore të veçantë, por edhe shkalla e lartë e arsimit të tyre, sepse katër prej shtatë kandidatëve janë profesorë universiteti dhe doktorë shkencash," shprehet analistja Biljana Vankovska, duke shtuar se nga ky kalibër i lartë i kandidatëve do të kishim pritur një fushatë zgjedhore më inventive sa i përket këmbimit të tezave, programeve dhe argumentave dhe jo akuza ndaj njëri tjetrit e aq më pak deklarata skandaloze.

Imer Selmani, kandidon për president
Imer Selmani, kandidon për presidentFotografi: DW / Stojanovski

Në garën për kryetarë komunash kanë hyrë 700 kandidatë dhe disa mijë për Këshillat e Komunave. Kandidatët për kryetarë komunash gjatë kësaj fushate kanë ngelur nën hijen e kandidatëve presidencialë dhe liderëve të tyre partiakë, ndërsa shumë pak është elaboruar edhe tema e decentralizimit, që për analistin Jeton Shasivari paraqet një pikë të dobët të fushatës. "Specifika në këto zgjedhje qëndron edhe aty se për herë të parë në historinë e Maqedonisë një kandidat i cili nuk është etnikisht maqedon, që në rrethin e parë merr përkrahje të madhe nga gjithë qytetarët," thekson analisti Mersel Bilalli, duke shtuar se përkrahja vjen jo vetëm nga shqiptarët, romët, boshnjaktë e turqët por edhe nga një pjesë e mirë e votuesve të etnitetit Maqedon.

Kandidatja për presidente Miruse Hoxha
Kandidatja për presidente Miruse HoxhaFotografi: DW / Stojanovski

Presidentë të mëparshëm të Maqedonisë ishin Kiro Gligorov dy mandate, Boris Trajkovski një mandat, i cili humbi jetën në aksident ajror dhe presidenti aktual, Branko Cërvenkovski. Gjasa reale për të hyrë në rrethin e dytë zgjedhor ka kandidati Gjorgje Ivanov, vlerëson Vankovska, ndërsa sipas saj beteja do të zhvillohej ndërmjet kandidatit Fërçkovski dhe Selmani. "Mendoj se Immer Selmani paraqet një freski të madhe në këtë fushatë. Impresioni im është se ai ka aftësi për një komunikim të lartë politik. Nëse ai hyn në rrethin e dytë zgjedhor do të duhej pak a shumë të ndryshojë fushatën, por edhe të tregojë pak agresivitet sa i përket fitimit të votave."

Këto zgjedhje vijnë ende pa u mbushur një vit nga zgjedhjet e përgjithshme që u cilësuan si "problematike," nga përfaqësues ndërkombëtarë. Prandaj ky proces zgjedhor konsiderohet si shumë i rëndësishëm për të ardhmen euro-atlantike të vendit.

Autor: Qerimane Bekteshi

Redaktoi: Aida Cama