1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Analizë: Mitet e rreme për rrezikun nga dygjuhësia

29 Tetor 2016

Kuptimi i sotëm i dygjuhësisë në Maqedoni bazohet në mite dhe argumente jo racionale, sikundër edhe një sërë çështjesh të lidhura me simbolikën etnike, të cilat nuk kanë asnjë pikë të përbashkët me realitetin.

https://p.dw.com/p/2Rrqn
Duden Symbolbild
Fotografi: picture-alliance/R. Fellens

Çdo cikël zgjedhor, çdo fushatë parazgjedhore në Maqedoni është e lidhur në mënyrë tipike me retorikën etno-nacionaliste. Një prej çështjeve, për të cilat do të flitet para zgjedhjeve të dhjetorit, është dygjuhësia dhe rregullimi i saj në shtet. Fillimisht këtu nuk ka asgjë të keqe. Politika gjuhësore është temë e interesit publik, por ajo që është e keqja janë shkëmbimet e deklaratave dhe kumtesave mes aktorëve politik për politikat shumëgjuhësore si paradhomë për federalizimin, apo edhe shkatërrimin e shtetit. Kjo perspektivë është absolutisht e pavërtetë.

Gjatë muajit shtato,r lideri i LSDM-së Zoran Zaev në një intervistë për një portal, i ka përsëritur qëndrimet e tij personale dhe të partisë për avancimin e shumëgjuhësisë si një përfitim për Maqedoninë. Menjëherë, mediat dhe portalet e afërta me partinë në pushtet VMRO-DPMNE, por edhe vetë kjo parti, deklaratën e liderit opozitar e barazuan me thirrjen për federalizim të vendit. LSDM i hodhi poshtë menjëherë këto deklarata, duke dhënë sqarime shtesë, se nuk bëhet fjalë për dygjuhësi në të gjithë territorin. VMRO-DPMNE nga ana tjetër. tentoi të paraqitet si roja  ndaj ”rrezikut dygjuhësor”. Në fjalimin e liderit të pozitës Nikolla Gruevski në një takim partiak, dygjuhësia u gjend në fjalinë e njëjtë me "ndërrimin e emrit”, aduti më i vjetër në retorikën etno-nacionaliste të partisë në pushtet. Sikurse edhe çështjet e tjera që kanë të bëjnë me etno-simbolet, të kuptuarit e sotëm të shumëgjuhësisë në Maqedoni është bazuar në mite dhe argumente jo racionale, që nuk kanë pikë të përbashkët me realitetin, as në rrëfimin kombëtar, as në shembuj krahasues.

Maqedonia shumëgjuhësore

Miti i parë është se shumëgjuhësia, po qe se jetë ajo shtrihet në tërë territorin e shtetit, është diçka e re dhe se kjo paraqet rrezik, të cilin do ta ndjejmë shpejt. Respektivisht, shumëgjuhësia është paraparë në arsim dhe komunikim me organet e shtetit, që nga Kushtetuta e Republikës Socialiste të Maqedonisë nga viti 1963 dhe 1974 dhe atë në mënyrë shumë të avancuar. Kushtetuta e atëhershme parashikonte barazi të gjuhës maqedone me gjuhët e atëhershme të "kombësive” në ato rajone, në të cilat jetojnë numër më i madh banorësh i një etniteti të ndryshëm prej maqedonasve. Kushtetuta e vitit 1991 i riafirmoi këto rregulla duke i garantuar”nacionaliteteve” në Preambulën Kushtetuese, të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare në komunikim me institucionet e pushtetit lokal, në shkollë fillore dhe të mesme, nëse nacionaliteti arrin 50% numrin  e banorëve. Pas konfiktit  të vitit 2001, të drejtat për përdorimin  e gjuhës u avancuan, respektivisht, bashkësia me mbi 20%  të popullatës fitoi të drejtën të përdorë gjuhën e vet amtare zyrtarisht edhe në arsimin sipëror. Për ”bashkësitë më të vogla” , përdorimi i gjuhës në nivel lokal ishte edhe më i lehtë. Ato, pas ndryshimeve Kushtetuese, mund të përdornin gjuhën e tyre në  komunikim me organet lokale, nëse arrinin 20% të popullsisë në nivel të njësisë së vetadministrimit lokal. Pas këtyre fakteve të lartëpërmendura, Maqedonia de-fakto është vend me përdorim të shumëgjuhësisë, ndërsa zyrtarisht dygjuhësia në nivel kombëtar aplikohet tani prej 15 vitesh.

Mazedonien Skopje Jovan Bliznakovski - Wissenschaftlicher Mitarbeiter am Institut für Demokratie
Jovan Bliznakovski është anëtar i Institutit për Demokraci ”Societas Civilis”, ShkupiFotografi: Privat

Shumëgjuhësia karakteristike edhe për shtetet unitare e federale

E dyta, shumëgjuhësia zyrtare në botën bashkëkohore, aplikohet në shumë shtete unitare dhe nuk paraqet anormalitet. E vërtetë është se shembujt më të njohur për shumëgjuhësinë i gjejmë tek federatat, (Belgjika, Kanadaja, Zvicra), por ky nuk është rregulli i vetëm. Disa shembuj nga shtetet unitare në Evropë, të cilat aplikojnë modele të ndryshme të shumëgjuhësisë. Sllovenia u mundëson të drejta të avancuara gjuhësore italianëve dhe hungarezëve që nga mëvetësimi i saj. Italia në shumë provinca të saj mundëson përdorimin zyrtar të shumë gjuhëve përveç italishtes, ndërsa shembull i suksesshëm i një shteti unitar me dy gjuhë zyrtare në tërë territorin është Finlanda, ku gjuha finlandeze dhe suedeze janë gjuhë zyrtare,edhe pse grupi suedishtfolës përbën vetëm 5% nga numri i përgjithshëm i popullsisë. Krahina e Vojvodinës në Serbi, në përdorim ka 6 gjuhë zyrtare pa bërë kufizime dhe ndarje territoriale.

Duke parë këto shembuj , është më se e qartë se shumëgjuhësia është karakteristike si për shtetet unitare po ashtu edhe federale -nuk ekziston rregull, sipas të cilit, një shtet do të bëhet federatë nëse ka dy apo më tepër gjuhë në përdorim zyrtar. Por retorika etno-nacionaliste, lidhur me të drejtat linguistike, mund të jetë një rrezik serioz për kohezionin e shoqërisë, e cila , nëse vazhdon të luhatet mund të sjellë edhe deri në ndarje në nivele administrativo-shtetërore. Mendimi im i fundit shkon tek çështja e tretë në këtë tekst dhe është i lidhur ngushtë me raportin e elitave politike ndaj kësaj çështjeje. Ndryshimet në Kushtetutën e vitit  2001 e paramenduan Maqedoninë si shtet në të cilin gjuhë zyrtare është maqedonishtja, por gjuhë zyrtare është edhe ajo, të cilën e flasin 20% nga qytetarët, respektivisht gjuha shqipe.

Në vitin 2008 shumica parlamentare nga radhët e VMRO-DMPNE-së dhe BDI-së , propozuan ligjin e njohur si "ligji për gjuhët” , i cili kishte rregulla më restriktive për përdorimin e gjuhëve të ndryshme nga maqedonishtja. Sipas këtij ligji , parashihej që shqiptari mund të komunikojë me ministrinë e shtetit në gjuhën e tij amtare, vetëm nëse jeton në një komunë, në të cilën 20% e popullsisë i takon bashkësisë shqiptare, por edhe përkundër kësaj, Kushtetuta nuk e njihte një kufizim të  tillë. Ky ligj është shembull, përmes të cilit mund të shihet se koalicioni qeveritar përdorimin e gjuhës së bashkësive joshumicë e kuptonte si çështje territoriale. Në teorinë e ashtuquajtur "territoriale”, e drejta e përdorimit të gjuhës është ajo e drejtë, e cila përkufizohet në një territor të caktuar, ndërsa e drejta "personale” është ajo, e cila lidhet me personin, respektivisht kolektivin dhe mund të realizohet në tërë territorin e shtetit.

Dygjuhësia në tërë territorin nuk nënkupton asnjë detyrim për përdorimin  e ndonjë gjuhe

Promovimi i të drejtave gjuhësore territoriale në vend të atyre personale, mund të jetë rrezik i drejtpërdrejtë për federalizim të vendit nga arsyeja e thjeshtë, se vetë federalizimi dhe ndarja teritoriale në sfera të ndryshme, shkojnë njëra pas tjetrës. Të drejtat personale, do ta kisha përdorur termin e padëshiruar ”dygjuhësi në tërë teritorin”, japin  një bazë të mirë për ruajtjen e unitetit në rastin e Maqedonisë. Në fund, çka konkretisht nënkuptojmë me dygjuhësi në tërë territorin? Ndryshe nga miti konvencional, nën termin dygjuhësi në tërë territorin nuk nënkuptohet asnjë detyrim për përdorimin e ndonjë gjuhe, për cilëndo bashkësi në shtet, duke e inkuadruar këtu edhe atë që është në shumicë. Dygjuhësia thjesht do të thotë se bashkëqytetarët tanë nga bashkësia shqiptare mund ta përdorin gjuhën  e tyre amtare në shumë situata, në komunikim me organet shteterore. Këtu nuk ekziston asnjë dëm për asnjë individ apo kolektiv, flasim për operacion të mundshëm. Pikërisht për këtë termi ”dygjuhësia si rrezik” është absurd.

Do të kisha dashur të shoh parti politike në Maqedoni, të cilat haptazi dhe zëshëm do të përkushtoheshin për avancimin  e mëtejshëm të shumëgjuhësisë në shtet. Përmes saj shoh mënyrën që të ngrihet në një nivel mëë të lartë kohezioni shoqëror i brishtë midis bashkësive, i rrënuar nga elitat e papërgjegjëshme politike dhe mitet e pavërteta që këto elita i kanë prodhuar ose i kanë shfrytëzuar.

Jovan Bliznakovski është anëtar i Institutit për Demokraci ”Societas Civilis” nga Shkupi. Artikulli është përgatitur në kuadër të bashkëpunimit të Institutit për Demokraci dhe Deutsche Welle-s.