1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Angazhim për lirimin e Suzane Osthof të rrëmbyer në Irak

Jërg Kaminski5 Dhjetor 2005

Ka kaluar më shumë se një javë pas rrëmbimit të arkeologes gjermane dhe shoqëruesit të saj në Irak dhe ende nuk ka asnjë lajm për pengjet. Shoqatat myslimane e kanë dënuar ashpër këtë akt dhe bëjnë thirrje për lirimin e Suzane Osthof.

https://p.dw.com/p/Ar27
Shtabi i krizës së Ministrisë së jashtme gjermane
Shtabi i krizës së Ministrisë së jashtme gjermaneFotografi: dpa

Në rastin e rrëmbimit të gjermanes Suzane Osthof në Irak instancat përgjegjëse në Berlin dhe në Bagdat po përgatiten për bisedime që mund të zgjasin. Deri tani, sipas të dhënave zyrtare, nuk është arritur të vendoset asnjë kontakt me pengjet dhe pengmarrësit. Ultimatumi i fundit i pengmarrësve sipas medieve ka skaduar të premten në mëngjes. Kjo përputhet me informacionet e televizionit gjerman ARD, pasi nga studioja e tij në Bagdat u transmetua videomesazhi i rrëmbyesve.

Pengmarrësit mendohet t´i përkasin një grupi ekstremist sunit të emërtuar si "Trupat e stuhisë dhe tërmetit". Ky grup mendohet të ketë kontakte edhe me grupime të tjera sunite, që shpesh herë kanë marrë përgjegjësinë për rrëmbime në Irak. Normalisht këto grupe i lirojnë pengjet, pasi bien dakord me sipërmarrësit e tyre që këta të ndërpresin aktivitetin në Irak. Siç duket ky grupim nuk ka të bëjë me rrjetin e El Kaidës.

Gjatë fundjavës në Gjermani dhe në Irak u angazhuan shumë personalitete duke bërë thirrje për lirimin e pengjeve. Edhe kryetari i këshillit qendror të myslimanëve në Gjermani, Nadem Elyas, të djelën u ofrua si ndërmjetësues për shkëmbimin e tij me të rrëmbyerën gjermane: "Nëse kidnapuesit e ndjejnë veten myslimanë, ata duhet të sillen si të tillë. Islami ndalon rrëmbimin e njerëzve, terrorin, dhunën dhe gjakderdhjen.

Presidenti i Horst Këler të shtunën shprehu dhimbjen e tij për rrëmbimin e Suzane Osthof: "Gjermanët në këto çaste janë me mendje tek Suzane Osthof. Unë e di që qeveria po bën ç´është e mundur për njeriun që të lirojë atë dhe shoqëruesin e saj."

Në Irak krahas presidentit Xhala Talabani janë prononcuar edhe shoqatat me influencë të sunitëve dhe të predikuesit radikal shiit Muktada el Sadër. Liga Arabe në Kajro e dënoi si të pajustifikueshëm dhe të pakuptimtë rrëmbimin e gjermanes. Edhe mesazhi i nënës dhe motrës së Suzane Osthof janë transmetuar në mediet arabe. megjtihatë askush nuk mund të thotë, nëse këto apele u kanë bërë përshtypje kidnapuesve. Fakti që ky grup nuk është ndjerë më, nuk është i pazakontë. Normalisht rrëmbyesit presin vendosjen e kontakteve të para dhe bisedimet. Të dyja palët, pra edhe qeveria gjermane në këtë fazë janë shumë të kujdsshëm me informacionet.