1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Angazhimi gjerman në Afganistan dhe samiti i NATO-s

31 Mars 2008

SHBA heqin dorë nga kërkesa për angazhimin e ushtrisë gjermane në Jug të Afganistanit. Shtypi gjerman e komenton këtë duke iu referuar edhe samitit të NATO-s që zhvillohet më 2 deri më 4 prill në Bukuresht.

https://p.dw.com/p/DXhI
Bundesveri në AfganistanFotografi: picture-alliance/ dpa

Gazeta "Neue Westfälische" që botohet në Bielefeld komenton: "Fakti që Xhorxh W. Bush hoqi dorë nga kërkesa për angazhimin e Bundesverit në Jug të Afganistanit, nuk ka të bëjë me zbutjen e tij nga mosha. Me këtë ai thjesht ka pranuar me realizëm dhe fare esëll, se ndërkohë as që mund të llogaritet me një angazhim të tillë, kjo pasi në Gjermani shumica nuk e miraton këtë angazhim, as në parlament dhe as në opinion. Ndaj vetëm për këtë arsye tani edhe Bushi tha, që nuk ka kuptim, të kërkosh prej partnerëve diçka "që ata politikisht nuk janë në gjendje ta bëjnë."

Ndërsa për komentatorin e "Märkische Oderzeitung" që del në Frankfurt mbi Oder kjo ka të bëjë me interesat brenda aleancës, aq më shumë tani në prag të samitit për zgjerimin e saj: "Tërheqja e kërkesës të jep shkas për hamendësime. Çfarë e ka shtyrë Bushin që të mos insistojë më për dërgimin e trupave luftarake gjermane në Jugun e përfshirë prej luftimeve të Afganistanit? Afrimi i samitit të NATO-s në Bukuresht nuk është rastësi. Në këtë takim pritet që Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë t´i jepet ftesa e anëtarësimit në aleancë, madje parashikohet që edhe Ukrainës e Gjeorgjisë t'i hapet një perspektivë e ngjashme. Por Berlini ushtron rezistencë kundër pranimit të ish-republikave sovjetike. Ndërsa Bushi e preferon pranimin e këtyre dy vendeve në aleancë dhe tani shpreson, se pas lëshimit lidhur me Afganistanin, pala gjermane do të tregohet më fleksibël për zgjerimin e NATO-s."

Gzeta "Landeszeitung" e Lynerbugut tërheq vëmendjen: "NATO-ja është duke e ngritur flamurin pa e ditur se përse. Në ish-anëtarin e Traktatit të Varshavës, në Rumani aleanca nis samitin e zgjerimit. Por afrimi i saj në kufijtë rusë bart rreziqe, jo vetëm për shkak të reagimit me nervozizëm të Kremlinit. Por BE-ja dhe NATO-ja kanë një problem të përbashkët: çdo etapë zgjerimi pa thellim e copëzon unitetin. Kjo është në interesin e SHBA, që duan ta degradojnë aleancën në një kabinet armatimesh, në të cilin sipas nevojave të mund të farkëtohen koalicione, që nënshtrohen lehtë. Në interesin e Evropës është ndryshimi i strategjisë: Nëse NATO-ja do të transformohet nga një aleancë kolektive mbrojtjeje në ofruese të sigurisë globale, ajo duhet t´u përshtatet sfidave të reja jo vetëm përmes aftësimit ushtarak. E nevojshme është që NATO-ja të rikonceptohet edhe si një forum politik, në të cilin të projektohen strategjitë transatlantike."