1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Annan thotë se negociatat për statusin mund të shtyhen për 2007

Bekim Shehu7 Nëntor 2006

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan, ka deklaruar se negociatat për statusin e Kosovës mund të shtyhen për vitin 2007. Ai rekomandon ndërmjetësin Marti Ahtisari që të jetë i kujdeshëm në propozimin e tij për statusin e Kosovës dhe afatin e paraqitjes së propozimit

https://p.dw.com/p/ArbQ
Kofi Annan
Kofi AnnanFotografi: AP

Grupi negociator i Kosovës, vazhdon t'i besojë qëndrimit të fundit të ndërmjetësit amerikan në bisedimet për statusin e Kosovës Frank Wisner, se vendimi për të ardhmen e Kosovës duhet të merret në vitin 2006.

Mirëpo, Ssekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan, ka deklaruar se negociatat për statusin e Kosovës mund të shtyhen për vitin 2007. Anan ka thënë se, zgjidhja për Kosovën duhet të merret në momentin e duhur. Ai rekomandon ndërmjetësin Marti Ahtisari që të jetë i kujdeshëm në propozimin e tij për statusin e Kosovës dhe afatin e paraqitjes së tij, për faktin që kjo mund të perdoret për fushatë elektorale gjatë
zgjedhjeve në Serbi, që parashihet të mbahen në fund të këtij viti. Për këtë arsye thotë Kofi Anan, ndoshta zgjidhja e statusit të Kosovës nuk mund të bëhet brenda afateve kohore të parashikuara më parë.

Mirëpo, grupi negociator i Kosovës akoma nuk ka asgjë zyrtare nga ana e grupit të kontaktit për vazhdimin e bisedave për statusin e Kosovës edhe vitin e ardhshëm.
Skënder Hyseni, është zëdhënës i grupit negociator. Ai thotë se, anëtarët e grupit negociator të Kosovës, nuk mendojnë se negociatat për statusin e Kosovës mund të vazhdojnë me palën serbe.

Sidoqoftë, hamendjet rreth shtyrjes apo jo të vendimit për të ardhmen e Kosovës do të sqarohen në takimin e grupit të kontaktit që do të mbahet më datën 10 të këtij muaji. Anëtarët e grupit negociator të Kosovës, thonë se janë gatshëm të përballen me ndonjë situatë tjetër në rast të shtyrjes së vendimit për statusin. Madje thuhet se ata kanë një plan rezervë. Mirëpo tash për tash, asnjë nga anëtarët e grupit negociator nuk dëshirojnë të besojnë se zgjidhja për statusin e Kosovës mund të shtyhet për vitin e ardhshëm.