1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Annen: Shqiptarët duhet të shfryëtëzojnë rastin historik për integrim në Evropë

Adelheid Feilcke-Tiemann.4 Nëntor 2003

Zoti ambasador, ju keni afro 100 ditë, pra tre muaj që ndodheni në Shqipëri. Ky është një moment kur mund të tërhiqet edhe një bilanc i parë i punës. Cilat janë pikat më të rëndësishme të veprimatarisë suaj tremujore në Shqipëri?

https://p.dw.com/p/Aqw6

Annen:"Në të vërtetë unë kam arritur këtu në fund të muajit korrik. Këtu jam pritur me ngrohtësi dhe zemërgjerësi të madhe. Kjo ka krijuar një përshtypje të paharrueshme si për mua ashtu dhe për gruan time me të cilën këtu kemi ardhur bashkë. Njerëzit janë shumë të përzemërt, ata kanë një pamje shumë pozitive dhe kjo përzemërtësi nuk vlen vetëm për mua personalisht por edhe për vendin tim. Ata kanë një pamje shumë pozitive për Gjermaninë. Gjermania është një partner i çmueshëm për shqiptarët. Janë rigjallëruar traditat dhe marrdhëniet tona të cilat shtrihen deri në shekullin e XIX apo edhe më herët, si në shkencë, art, kulturë por edhe në politikë dhe ekonomi. Njerëzit kanë një perceptim tejet realist dhe miqësor për Gjermaninë. Ne nuk jemi fqinj. Njerëzit admirojnë zellin gjerman, korrektësinë, qëndrueshmërinë në punën tonë. Të gjitha këto veti çmohen shumë. Ne shihemi me sy të mirë. Natyrisht që kushtet për jetesë këtu janë shumë të vështira por ne si të huaj jemi në një situatë të privilegjuar. Ne nuk jemi shumë të goditur nga problemet e përditshme siç është popullata shqiptare si përshembull mungesa e rrymës apo e ujit, por natyrisht që ne i shohim ato dhe mund të thuhet se jeta këtu është e vështirë por edhe e bukur".

Pyetje: Gjermania për vite me radhë ka mbështetur fort Shqipërinë sidomos në përmirësimin e kushteve për furnizim me ujë të pijshëm. Çka po bën Gjermania konkretisht dhe çka do të bëj në të ardhmen, në cilat fusha do të jeni të pranishëm?

Annen: Në të vërtetë Gjermania është donatori më i madh, në rrafshin bilateral ne jemi në vend të dytë në mesin e të gjithë donatorëve. Vetëm gjatë 15 viteve të fundit të zhvillimit dhe bashkëpunimit ne kemi lëvruar rreth 600 milionë euro ndihmë për zhvillimin e Shqipërisë. Gjithashtu kësaj shume duhet ti shtohet edhe 30 % e të gjitha kontributeve të Bashkimit Evropian dhe pjesa jonë në institucionet financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore e cila poashtu kap rreth 18 deri 20 përqind të shumës së përgjithshme. Në këtë mënyrë nëse llogaritet për kokë të banorit atëherë Shqipëria radhitet në vendin e parë në botë në përfitimin e ndihmave gjermane për zhvillim. Unë jam shumë i lumtur që ndihma gjermane për zhvillim në të vërtetë sa i përket anës strategjike është pozicinuar në fushat që janë shumë dobiprurëse. Ne përkujdesemi për fushat të cilat janë me rëndësi tepër të madhe për zhvillimin e Shqipërisë dhe procesin e modernizimit. Bëhet fjalë këtu për energjinë, furnizimin me ujë të pijshëm, decentralizimin e pushtetit, përgatitja shkollore dhe profesionale dhe bujqësia. Besoj që ne do të vazhdojmë kështu dhe para disa ditësh ne patëm mundësinë që të festojmë 15 vjetorin e bashkëpunimit ndërkohë që është marrë vendimi politik për vazhdimin e këtij bashkëpunimi. Në vjeshtë ne do të diskutojmë edhe njëherë për atë se çka do të bëhet në vitet e ardhshme, se cilat do të jenë angazhimet tona kyçe. Besoj që në të ardhmen në qendër të vëmendjes do të jetë edhe mjedisi, problemet me mbeturinat, problem ky i njohur dhe me rëndësi të veçantë për të gjithë ata që jetojnë këtu dhe nga i cili vuan vendi. Në këtë mënyrë ne kemi vendosur që të fillojmë bashkëpunimin edhe në këtë fushë. Kjo është vetëm një prej detyrave ndërkohë që ndihma për zhvillim me siguri do të vazhdoj por ne do të mbështesim Shqipërinë edhe në rrugën e saj drejt Evropës. Ju e dini që prej janarit të këtij viti janë duke u zhvilluar negociatat për arritjen e marrëveshjes së asociim-stabilizimit mes Shqipërisë e Bashkimit Evropian. Në këtë drejtim mund të thuhet se janë shënuar përparime. Megjithatë përparimet e shënuara kanë nevojë për mbështetje në mënyrë që ato edhe të jetësohen pasi që nuk mjafton vetëm nënshkrimi i një marrëveshje por duhet të kryhen reformat të cilat në radhë të parë duhet të realizohen nga shqiptarët".

Pyetje: Unë do të ndërlidhesha këtu pasi që kjo të bëj edhe me situatën aktuale politike. Ka vite që Shqipëria provon të vendos në binarët e duhur marrëveshjen që përmendet me Bashkimin Evropian por ajo zvarritet si pasojë e gjendjes politike. Cila është shkalla në të cilën aktualisht ndodhet Shqipëria në këtë proces dhe çfarë hapash duhet të bëhen në të vërtetë në rrugën drejt Evropës?

Annen: Mendoj se çdokush që është këtu dhe Komisioni Evropian në raportin e tij të asociim-stabilizimit në prill të këtij viti dhe secili vëzhgues vëren prapambetje në kuadër të reformave. Ne thjesht duhet t`i themi qeverisë shqiptare se janë përgjegjësitë kryesorë për reformat, se ata duhet të shpiejnë ato përpara. Ne kemi nevojë këtu për një qeveri të aftë për veprim dhe me orientim drejt vlerave evropiane. Vendi duhet ta shoh se ky është një rast historik për zhvillim, një rast që Shqipëria se ka pas asnjëherë më parë në histori që të zhvillohet në Evropë. Andaj ky shans duhet të shfrytëzohet dhe politikanët vendor janë thirrur që këtë ta bëjnë në mënyrë aktive e jo vetëm me fjalë të shprehin përkatësinë e tyre evropiane. Fjalët duhet të pasohen nga veprat pasi që politikanët maten me vepra e jo me fjalë".

Pyetje: Cilat janë fushat më problematike, ku vërehet prapambetje më e madhe në reforma dhe cili është problemi kyç?

Annen: Natyrisht që janë fusha e drejtësisë dhe punëve të brendshme. Ne kemi ardhur në përfundim se korrupcioni dhe kriminaliteti në vend janë një problem i rëndë. Qeveria provon të luftoj këto dukuri. Natyrisht që këto janë probleme të rënda dhe Shqipëria në këtë drejtim ka mbështetjen e Bashkimit Evropian, të shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve tjera perëndimore. Edhe ne gjermanët jemi aktiv në këtë drejtim gjithnjë në kuadër të Bashkimit Evropian, kjo është një prej fushave ku veprojmë. Fushë tjetër me siguri se është zhvillimi i një administrate funksionale shtetërore. Ne duhet të përsërisim gjithnjë se organet shtetërore kanë nevojë për forcim, kompetencë, infarstrukturë, përgjegjësi dhe duhet shtuar edhe njohuritë. Kjo është një prej fushave tjera. Mendoj se duhet të bëhet më shumë për krijimin e një klime të sigurtë legjislative për investorët. Kjo është një çështje shumë me rëndësi. Këtu bën pjesë edhe zhvillimi i një sistemi të besueshëm juridik i cili do të mbronte investorët e huaj njëjtë si investorët vendor.

Pyetje: Kur njeriu dëgjon këtë katalog me të gjitha këto probleme atëherë rruga për në Evropë duket të jetë ende e gjatë. Edhe sa kohë do t´i duhet Shqipërisë që të ketë zënë vendin e duhur në Evropë?

Annen: Fillimisht do të thosha se Shqipëria bën pjesë në Evropë. Evropa nuk do të ishte e plotë nëse një ditë Shqipëria nuk do të bënte pjesë në të. Sot është e vështirë të flitet për një afat të saktë kohor. Besoj që ne duhet ti kthehemi pak edhe të kaluarës së këtij vendi. Shqipëria ka patur një histori të vështirë dhe kemi të bëjmë me një fazë të shkurtër stabiliteti të brendshëm. Megjithatë ajo ka burime të mëdha njerëzore, shkalla e shkollimit është e lartë, poashtu vullneti i popullatës për tu inkuadruar në Evropë ë shtë i madh, këtij vendi edhe natyra i ka dhuruar kushtet që të futet në Evropë, vendimtare tani është që të ekzistoj edhe vullneti politik për të ndjekur këtë rrugë" thotë në intervistën dhënë programit tonë ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Hans-Peter Annen.