1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Anullohet në Prishtinë takimi i katër kryeministrave të rajonit

4 Nëntor 2005

Qeveria e Kosovës në një njoftim zyrtar deklaron, se takimi i paraparë të mbahet në Prishtinë mes katër kryeministrave të vendeve të rajonit, atij të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi është shtyrë në një të ardhme të afërt

https://p.dw.com/p/Aqsg
Prishtina
PrishtinaFotografi: DW

Është anuluar një takim i paraparë të mbahet në Prishtinë, ndërmjet katër kryeministrave të vendeve të rajonit, atij të Kosovës, Bajram Kosumi atij të Shqipërisë, Sali Berisha, kryeministrit maqedonas, Vllado Buçkovski dhe atij malazes, Milo Gjukanoviç. Ky takim ishte iniciuar nga kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi dhe do të duhej të mbahej më datën 5 nëntor në Prishtinë. Sipas zyrtarëve të qeverisë së Kosovës pjesëmarrja ishte konfirmuar katër ditë më parë nga tre kryeministrat e vendeve fqinjë të Kosovës. Mediat serbe flasin për një presion nga ana e komunitetit ndërkombëtar, në mënyrë që të mos marrin pjesë në takimin e Prishtinës për faktin se do të ndjehej e provokuar qeveria e Beogradit. Kryeministri i Maqedonisë, Vllado Buçkovski, ka deklaruar se nga Nju Jorku i është sugjeruar që mos të marrë pjesë në takimin e së shtunës në Prishtinë, ndërsa, kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka thënë se atij i është sugjeruar nga kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica që mos të marrë pjesë në takim.

Në një njoftim zyrtar të qeverisë së Kosovës thuhet, se takimi joformal i kryeministrave të vendeve të rajonit, Kosumi, Buçkovski, Gjukanoviç dhe Berisha, i caktuar të mbahet në Prishtinë më 5 Nëntor, është shtyrë për një kohë të afërme, duke mos saktësuar ndonjë datë tjetër. Këtu thuhet se takimi është shtyrë me propozim të kryeministrit maqedonas, Vllado Buçkovski. Të katër kryeministrat thuhet në njoftimin e qeverisë së Kosovës mbeten të përkushtuar ndaj angazhimeve për thellim të marrëdhënieve dhe zgjerim të bashkëpunimit të vendeve të rajonit. E gjithë kjo në funksion të krijimit të një imazhi të ri politik për rajonin dhe hapjes së rrugës së integrimeve euro atlantike. Kryeministrat e katër vendeve të rajonit thuhet më tej, mbesin të përkushtuar për krijimin e lidhjeve të fuqishme ekonomike dhe politike në rajon si dhe në tejkalimin e të gjitha dallimeve ndërmjet këtyre vendeve. Sidoqoftë, mediat e këtushme prej disa ditësh i kanë kushtuar një vëmendje të madhe njoftimit, se në Prishtinë do të takohen kryministrat e vendeve të rajonit, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës, ndërsa, gjithnjë është ngritur pikëpyetja se si do të reagojë kryeministri i Serbisë, i cili nuk ka qenë i ftuar në këtë takim. Edhe pse njoftimi zyrtar i qeverisë së Kosovës është se takimi është shtyrë me propozim të kryeministrit maqedonas, analistët e këtushëm thonë se, një takim i tillë ka qenë i pamundur të zhvillohet tash në kohen kur edhe vetë bashkësia ndërkombëtare akoma nuk ka publikuar platformën e bisedimeve për statusin e Kosovës dhe në këtë linjë akoma nuk dihet se si do të përfshihen vendet e rajonit në këto bisedime dhe cili do të jetë roli i tyre.