1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Armiqësi e natyrshme kundër të huajve në Evropën Lindore"

Alexander Andreev21 Mars 2016

Në mediet evropianolindore të huajt kritikohen pa dallim, gjuha është e ashpër dhe ksenofobe. Kjo ka të bëjë me përvojat e reja historike të këtyre shteteve, thotë kulturologia Juliana Roth.

https://p.dw.com/p/1IGgT
Tschechien Protest gegen Flüchtlinge
Fotografi: picture-alliance/dpa/CTK Photo/V. Salek

DW: Ju konstatoni një armiqësi në rritje kundër të huajve në Evropën Lindore. Në se konsiston kjo tendencë?

Juliana Roth: Koncepti "Evropë Lindore" është një konstrukt që ngërthen një histori të konsiderueshme. Ai ka lindur në Evropën Perëndimore në shekullin e 18-të. Që në krye atë e formoi përfytyrimi për pjesët lindore të kontinentit si "të ndryshme", "të huaja", "misterioze", shpesh edhe "të prapambetura". Këto karakteristika nuk kanë ndryshuar thuajse fare deri sot. Në fakt, shoqëritë në fjalë kanë pak të përbashkëta me njëra-tjetrën. Të ndryshme i kanë fetë, gjuhët, traditat, kulturat e edhe historitë përkatëse.

Të përbashkëtat janë të reja: para së gjithash, këmisha e forcës e sistemit sovjetik dhe pasojat politike dhe mendore që rezultuan prej saj. Njëra prej tyre është armiqësia ndaj të huajve, që po shtohet aktualisht. Ajo është e lidhur ngushtë me periudhën sovjetike. Ato shoqëri ishin të shkëputura nga bota e jashtme, shumë të palëvizshme, nuk kishte thuajse fare kontakte me botën e jashtme, as me "popujt vëllezër". Vështrimi qe drejtuar vetëm brenda dhe tek vetja. Të huaj aty thuajse nuk kishte.

Ndryshimi i thellë pas shpërbërjes së sistemit sovjetik solli shumë pasiguri në të gjitha fushat e jetës. Pjesa më e madhe e energjisë së njerëzve u përqendrua në përballimin e jetës së përditshme. Kjo la pak hapësira të lira për zgjerimin e horizontit dhe për mirësjellje. Në kërkim të vetes, të një identiteti të ri, u përdor shumë vendosja e kufirit ndaj të tjerëve, ndarja në "ne dhe të tjerët": në shtetet baltike p.sh. ndaj rusëve, në Sllovaki kundër hungarezëve, në Rumani kundër romëve etj. Një nacionalizëm latent ka ekzistuar gjithmonë në popullatat shumicë, me rastin e vërshimit të refugjatëve ai aktivizohet dhe thellohet.

A vlen kjo vetëm për Evropën Lindore?

Tema "Evropë Lindore ksenofobe" tërhoqi vëmendjen për shkak të mosmarrëveshjeve të fundit brenda BE. Për këtë përdoren stereotipet "për Evropën Lindore". Por njëkohësisht ne vërejmë edhe një tërheqje të madhe prej armiqësisë ndaj të huajve në të gjithë Evropën - pra ku është këtu specifika e "Evropës Lindore"? Frika nga të huajt është diçka e përgjithshme njerëzore. Por mënyra si e trajtojnë atë shoqëri të ndryshme është e ndryshme.

Në përgjithësi mund të thuash se në demokracitë "e vjetra" evropiane, armiqësia ndaj të huajve është e shënjuar negativisht dhe ndodhet nën një kontroll politik. Në demokracitë "e reja" nga ana tjetër, ky fenomen nuk ka qenë asnjëherë nën kontroll, as politikisht dhe as në shoqëri. Unë përpiqem të ndjek diskursin aktual për refugjatët në mediet evropianolindore dhe jam i tmerruar për lirinë, që i jepet vetes atje për t'i denigruar të gjithë së bashku të huajt. Gjuha e shumë politikanëve dhe komentatorëve, por edhe ajo e "njeriut të zakonshëm" është tepër armiqësore ndaj të huajve, në një mënyrë si të vetëkuptueshme.

Juliana Roth nga LMU Mynih
Juliana Roth nga LMU MynihFotografi: J. Roth

Në shoqëritë evropianolindore, tradicionalizmi dhe paternalizmi dominojnë mbi liberalizmin. A luan edhe kjo një rol?

Unë nuk jam dakord me formulimin e pyetjes, sepse në të mbahet një qendrim vlerësues. Modelet perëndimore të shoqërisë - demokracia dhe liberalizmi - në të shenjohen pozitivisht, në një kohë kur në "Lindje", vlerat më pak simpatike si tradicionalizmi, koncepti tradicional i familjes dhe patriarkalizmi. Po jetojmë në një kohë kur qartësia e këtyre atribuimeve është lëkundur. Globalizimi ka ndryshuar shumë në rendet shoqërore, por mbi të gjitha ka treguar se krahasimet bardh-e-zi sjellin pak vlerë njohëse. Më duket se mënyra si vështrohet në Perëndim Evropa postsocialiste shpesh bëhet mbi bazën e paradigmave të kapërcyera. Krejt ndryshe nga supozimi juaj: ndryshe nga Gjermania, të gjitha shoqëritë evropianolindore kanë përvoja historike të jetës me të huajt. Në historinë e tyre ato kanë qenë pjesë të strukturave të mëdha shoqërore, të Perandorisë Ruse, Osmane dhe asaj Habsburgase. Multikulturaliteti i perandorive të vjetra ishte në dallim me shtetet nacionale që pasuan, shumë i madh, shumëllojshmëria e gjuhëve, feve, traditave shumë e madhe. Por kjo shumëllojshmëri u menaxhua megjithatë me mënyra të tjera nga ato që preferojmë ne sot: në mënyrë hierarkike, në një bashkëjetesë të rregulluar etnike.

Në kohën e sotme, në shtetet evropianolindore vërejmë se nacionalja dhe evropiania po largohen nga njëra-tjetra. Tri orientime vërejmë: konfrontim të hapur me direktivat evropiane, zënia e pozicioneve të mjegullta dhe praktikimi i një gjuhe të dyfishtë. E përbashkëta e të tri varianteve është mungesa e vullnetit për të ndjekur dominancën e Brukselit.

Juliana Roth është profesore në Institutin për Komunikimin Ndërkulturor të Universitetit Ludwig-Maximilian-Universität në Mynih.