1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Armët atomike: Europianët të pasigurtë mes SHBA e Rusisë

3 Shkurt 2019

Shfuqizimi i marrëveshjes INF i bën të pasigurtë europianët, që i tremben një garë të re armatimi. NATO nga ana e saj nuk do armë atomike në Europë.

https://p.dw.com/p/3Cbrs
Russland zeigt Marschflugkörper SSC-8/9M729 bei Moskau
Rusia tregon pjesë të sistemeve të raketave SSC-8/9M729 që shihen si shkelje e marrëveshjes, INFFotografi: Reuters/M. Shemetov

SHBA, Rusia dhe NATO kanë përpara 6 muaj punë mjaft intensive – kaq kohë ka për shpëtimin e marrëveshjes INF, sipas afatit të vënë nga SHBA, që të premten vendosi largimin nga INF. Akuza e SHBA: Rusia shkel marrëveshjen për raketat me rreze të mesme veprimi të nënshkruar në vitin 1987. Shumë vende në Europë i tremben një gare të re armatimi mes Moskës dhe Uashingtonit. Por qëndrimet nuk janë të njëjta: Vendet europianolindore dhe balltike ndjehen të kërcënuara nga Rusia e dyshojnë në gatishmërinë për mbrojtje të fqinjëve perëndimorë.

Ministri i Jashtëm polak, Jacek Czaputovcz tha për revistën „Spiegel", se është në interes të Europës të ketë të stacionuara raketa dhe trupa amerikane në kontinent. Por ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas (SPD) është kundër këtij stacionimi. Po ashtu që në Gjermani të stacionohen sërish raketa atomike. „Lufta e Ftohtë ka marrë fund, tha Maas i pyetur, nëse në Europë po përsëritet historia. „Përgjigjet e asaj kohe janë shumë të papërshtatshme për sfidat e sotme."

Norwegen, Oslo: Jens Stoltenberg, NATO-Generalsekretär
Jens StoltenbergFotografi: picture-alliance/dpa/F. Hagen

Edhe Sekretari i Përgjitshshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shprehet në një linjë me Maas. Në një intervistë për ZDF, ai u shpreh, se aleanca nuk synon të stacionojë armë të reja atomike tokësore në Europë. Më shumë duhet luftuar për të ruajtur marrëveshjen INF. Duhet folur në 6 muajt e ardhshëm me Rusinë, tha Stoltenberg. "Duhet të sigurojmë një kërcënim dhe mbrojtje të besueshme." NATo e mbështeti vendimin amerikan për t'u larguar nga marrëveshja atomike, INF. Rusia e shkel këtë marrëveshje prej vitesh tha Stoltenberg dhe përpjekjet për ta ndryshuar qëndrimin në Moskë kanë dështuar. Por Rusia i hedh poshtë akuzat. Sipas saj, raketat që janë në qendër të kritikave, tipi 9M729 kanë vetëm një rreze prej 500 kilometër. Por Stoltenberg e sheh si SHBA. Sipas tij këto raketa kanë një rreze veprimi prej 2600 km dhe „ato mund të arrijnë shtetet europiane."

la/cvo/haz (dpa, afp, ZDF)