1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arrestohet Zdravko Tolimir

Jörg Paas1 Qershor 2007

Zdravko Tolimir është numri tre i kriminelëve më të kërkuar të luftës dhe njëri prej bashkëpunëtorëve më të rëndësishëm të Mladiçit dhe Karaxhiçit

https://p.dw.com/p/ArUo
Ish-gjenerali serb i Bosnjës Zdravko Tolimir
Ish-gjenerali serb i Bosnjës Zdravko TolimirFotografi: AP

Masakra e Srebrenicës bën pjesë pa dyshim ndër ngjarjet më të tmerrshme të valës së fundit të luftrave në ish-Jugosllavi. Në korrik 1995 u vranë rreth 8.000 djem dhe burra myslimanë nga trupa serbe.

Tribuali i Hagës për ish-Jugosllavinë vlerësoi se ngjarja e atëhershme përbënte gjenocid. Kriminelët më të njohur që gjenden në arrati janë ish-gjenerali Ratko Mladiç dhe udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç. Fakti që ata janë ende të lirë i rëndon marrëdhëniet midis Serbisë dhe Bashkimit Evropian sepse serbët akuzohen për ndihmë të pamjaftueshme për kërkimin dhe kapjen e tyre. Dje u arrit të kapej njëri prej bashkëpunëtorëve më të rëndësishëm të Mladicit dhe Karaxhiçit.

Ai ishte numri tre në listën e kriminelëve më të kërkuar të luftës në ish-Jugosllavi: ish-gjenerali Zdravko Tolimir, nën drejtimin e të cilit ishte nga viti 1992 deri në vitin 1995 shërbimi i fshehtë ushtarak i serbëve të Bosnjës. Sipas njoftimeve të mediave, së Beogradit Tolimir u kap pasditen e djeshme në territorin boshnjak. Siç thuhet, në arrestimin e tij merrnin pjesë policë nga Serbia dhe nga Republika Serbe e Bosnjës.

Në tribunalin e Kombeve të Bashkuara në Hagë për kriminelë lufte Tolimir-i 59 vjeçar është akuzuar për krime kundër njerëzimit. Ai ngarkohet me vrasjen, dëbimin dhe trajtimin e tmerrshëm të myslimanëve boshnjakë në enklavën e Srebrenicës dhe në Zepa-n e afërt. Përveç Tolimirit padia rëndon edhe mbi dy oficerë të tjerë serbë të Bosnjës, të cilët u dorëzuan vullnetarisht dy vjet më parë në gjykatën e Hagës.

Në masakrën e Srebrenicës në korrik 1995 u vranë rreth 8.000 djem dhe burra myslimanë. Ajo ishte masakra më e rëndë që prej përfundimit të Luftës II Botërore.

Tolimii konsiderohej - dhe për shumë vetë konsiderohet ende - si njëri prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës Ratko Mladiç dhe i ka shërbyer atij pas lufte si ndihmës besnik. Në Beograd spekulohet tashmë se arrestimi i Tolimirit mund të hapë portën për kapjen së afërmi të Mladicit. Megjithatë, në të kaluarën pekulime të tilla kanë rezultuar të pavërteta.

Serbia gjendet prej muajsh nën trysni për të dëshmuar gatishmërinë e saj për bashkëpunim serioz me organet ndërkombëtare të drejtësisë, në mënyrë që të shënohet lëvizje në negociatat e ndërprera me Bashkimin Evropian. Kryeprokurorja e tribunalit të Hagës, Karla del Ponte, pritet të hënën në Beograd. Ajo do të kontrollojë atje stadin e bashkëpunimit.