1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza e huave nuk është kapërcyer ende për Greqinë

9 Mars 2012

85 përqind e kreditorëve privatë të Greqisë kanë aprovuar risktrukturimin e borxheve. Mediat greke e vlerësojnë këtë si sukses, por ekspertët paralajmërojnë se kriza nuk është kapërcyer ende përfundimisht.

https://p.dw.com/p/14I9K
Imazh simbolik
Imazh simbolikFotografi: dapd

E përditshmja athinase "Kathimerini" raporton objektivisht për "faljen e pjesshme të huave më të madhe në histori", e cila hap rrugën për një paketë të re ndihmash për Greqinë. Qeveria i ka përfunduar me sukses negociatat e vështira, lavdëron gazeta. Një arsye për këtë është edhe që dy partitë e mëdha popullore të vendit kanë gjetur më në fund gjuhë të përbashkët.

Edhe për gazetën online "To Vima" falja e pjesshme e huave është një sukses dhe "një hap i rëndësishëm për shpëtimin e vendit". Megjithatë, paralajmërohet prej euforisë së tepruar: "Greqia do të mbetet në eurozonë dhe në BE, paçka se disave kjo nuk u pëlqen. Falja e pjesshme e huave është vërtet një hap në këtë drejtim, por tani e kemi ne detyrën që ta mbyllim me sukses kursin e konsolidimit" shpjegon "To Vima".

Faqja e internetit të Skai-TV
Faqja e internetit të Skai-TVFotografi: www.skai.gr

"Qethje e bukur"

E përditshmja me tirazhin më të madh "Ethnos" titullon lirshëm: "Qethje e bukur!" (një lojë fjalësh e zakonshme në shtypin grek, meqenëse në gjuhën e folur fjala greke "koúrema" do të thotë si prerje flokësh edhe shkurtim huash. Gazeta niset nga supozimi, se qeveria greke ka për ta ngritur njëanshëm shkallën e pjesëmarrjes (në faljen e huave) nga 85,8% në 96%, duke aktivizuar klauzolat detyruese, të parashikuara në marrëveshjet e obligacioneve ("collective action clauses") dhe duke i detyruar kësisoj shumë kreditorë, të cilët nuk duan të heqin dorë prej kredive, që ta falin një pjesë të tyre.

Edhe stacioni televiziv SKAI vë në dukje, se me sa duket qeveria greke ka për t'i zbatuar klauzolat detyruese dhe në këtë mënyrë shkalla e pjesëmarrjes arrin në mbi 96%. Parakushtet ligjore për këtë, që shumica e kreditorëve ta shprehin vullnetarisht miratimin e tyre për shkurtimin e huave, janë sipas tij të përmbushura. Nëse klauzolat detyruese do të aktivizohen vërtet, ky është në fund të fundit një vendim politik, i cili me gjasa do të merret gjatë këshillimeve të Ministrave të Financave këtë të premte, shprehet SKAI.

"Një moment historik"

Screenshot Presse
Screenshot PresseFotografi: welt.de

"Përqindja e pjesëmarrjes ishte e mirë dhe tani mund t'i aktivizojmë klauzolat detyruese," thotë në televizionin grek Panos Tsakloglou, profesor për ekonominë në Universitetin e Athinës. Megjithatë, Tsakloglou paralajmëron prej shmanges nga rruga e nisur për shpëtimin e ekonomisë greke. Shkurtimi i huave vlen vërtet si bazë për paketën e dytë të shpëtimit për Greqinë, mirëpo parakushti i mirëfilltë për ndihmën e re ekonomike është një tjetër, është vazhdimi i reformave strukturore të domosdoshme, paralajmëron eksperti ekonomik. Zëdhënësi qeveritar Pantelis Kapsis bën fjalë për "një moment historik" për Greqinë. Ministri i Financave Evangelos Venizelos do të shprehet jo më herët sesa të premten pasdite hollësisht mbi faljen e pjesshme të huave. Komentatorët politikë në Athinë nisen nga supozimi, se Venizelosi ka ndër mend ta kthejë këtë sukses në një fitore politike personale. Ai edhe pa të konsiderohet si kandidati me shanset më të mira për udhëheqjen e socialistëve grekë.

Autor: Janni Papadimitriou / Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama