1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arrihet kompromis në ligjin për imigrimin

Jens Thurau26 Maj 2004

Schröder, Merkel dhe Stoiber bien dakort

https://p.dw.com/p/Ar6W
Kancelari Schroeder dhe ministri i brendshëm Schily në konferencë shtypi pas takimit me Merkelin dhe Stoiberin në Berlin
Kancelari Schroeder dhe ministri i brendshëm Schily në konferencë shtypi pas takimit me Merkelin dhe Stoiberin në BerlinFotografi: AP

Në fund tre politikanëve të rëndësishëm iu desh afro një orë për të rënë dakort pas mosmarrëveshjeve disavjeçare. Pas negociatash të shkurtra me kryetarët e CDU-së Angela Merkel dhe të CSU-së Edmund Stoiber kancelari Gerhard Schröder bëri të ditur se deri përpara pushimeve të verës e drejta e imigrimit në Gjermani do të përcaktohet nga një marrëveshje e të gjitha partive me përjatim të Partisë së Socializmit Demokratik.

Tani ministri i brendshëm socialdemokrat Otto Schily dhe ministri i brendshëm kristiandemokrat i landit të Bavarisë Günther Beckstein e kryeministri kristiandemokrat i landit të Sarës Peter Müller do të përpilojnë hollësitë e fundit. Para së gjithash kancelari doli fitimtar:

"Thjesht druhesha se mos grupet e punës do të ngecnin në sqarimin e detajeve dhe në përfundim nuk do të arrihej ajo që kërkojmë politikisht dhe për të cilën arritëm marrëveshje."

Qeveria i bëri përsëri lëshime opozitës në çështjen e sigurisë së brendshme. Tani të huajt, për të cilët dyshohet të jenë terroristë, do të mund të nxirren nga vendi kur ekziston dyshim i mjaftueshëm.

Kur një i huaj dëshiron të qëndrojë për gjithnjë në Gjermani ose të bëhet shtetas gjerman, atëherë do të pyetet detyrimisht Zyra e Mbrojtjes Kushtetuese. Të huajt që bëjnë thirrje në xhami për luftë të shenjtë dhe anëtarët e bandave kontrabandiste do të mund të dëbohen më lehtë.

Në thelb ligji lehtëson ardhjen e personave me kualifikim të lartë. Edhe studentët do ta kenë më të lehtë të qëndrojnë në Gjermani pas studimeve. Qeveria i realizoi synimet e veta para së gjithash në një çështje të rëndësishme për të gjelbërit, atë humanitare. Mbrojtja nga përndjekja për shkak të përkatësisë gjinore do të përmirësohet.

Në fund bashkimi kristiandemokrat-kristiansocial u gjet nën një trysni të madhe. Në bisedë me të gjelbërit dhe liberalët Schröderi kishte gjetur emërues të përbashkët. Për Schröderin kompromisi përbën sukses. Të gjelbërit shkuan deri tek kufiri i të durueshmes. Ndërsa bashkimi CDU-CSU ia doli që një sërë çështjesh të sigurisë të përfshihen në ligjin e ri.