1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arrihet kompromis në samitin e BE për buxhetin

8 Shkurt 2013

Përpjekje e re për buxhetin shtatëvjeçar të BE. Në nëntor negociatat dështuan. Tani shefat u takuan sërish në Bruksel.

https://p.dw.com/p/17aai
Angela Merkel ne Bruksel
Angela Merkel ne BrukselFotografi: Reuters

Kryetarët e shteteve anëtare të BE kanë rënë dakord me propozimin e ri të shefit të samitit, Herman Van Rompuy, që parashikon që detyrimet për planin financiar të BE-së të jenë 960 miliardë eurosh.Komisioni Evropian kishte kërkuar për vitet 2014 deri 2020 një buxhet prej mbi një bilion euro, që ishte refuzuar si shumë i lartë nga një numër i madh shtetesh.

Franca mendon për fshatarët e saj

Presidenti francez, François Hollande përsëriti moton e tij se "duhet të kursejmë, por nuk na lejohet ta dobësojmë ekonominë". Kjo në një kohë kur peshë më të madhe retorike ai i kushton rritjes. Hollande la të kuptohet menjëherë edhe se nuk kërkon kompromis me çdo kusht. "Kur disa do të tregohen të paarsyeshëm, unë do të përpiqem që t'i sjellë në mend, por deri në një pikë të caktuar." Të paarsyeshëm për të janë të gjithë ata "që harrojnë bujqësinë ose që injorojnë rritjen." Fshatarët francezë përfitojnë veçanërisht nga subvencionet bujqësore, të cilat përfaqësojnë gati gjysmën e buxhetit të BE. Si rrjedhojë Franca i refuzon shkurtimet tek fshatarët.

Greqia shpreson për fonde strukturore

Në anën e Hollandes janë shumica e vendeve më të varfra të të BE në Jug dhe në Lindje, megjithatë pjesërisht për shkaqe të tjera. Ato druhen para së gjithash për kursime në fondet strukturore, me të cilat BE mbështet rajonet më të varfra. Kryeministri grek, Antonis Samaras, vendi i të cilit u detyrua të futet nën ombrellën e shpëtimit, përbetohet: "Konsolidimi i buxhetit dhe reformat strukturore bëhen në Greqi." Tani është fjala për shlodhje dhe rritje ekonomike. Fondet strukturore të BE janë një "garant për suksesin, si për Greqinë, ashtu edhe për Evropën."

Shpenzimet për mbajtjen e kafshëve janë rritur shumë
Shpenzimet për mbajtjen e kafshëve janë rritur shumëFotografi: MEHR

Vendet e Veriut duan lehtësime

Në anën tjetër ndodhen disa nga vendet e pasura të Veriut. Kryeministri britanik, David Cameron përsëriti edhe këtë herë argumentin e mëparshëm: "Po të flasim ndershmërisht, BE nuk duhet të jetë imun përballë presionit për kursime, nën të cilin ndodhemi ne të gjithë në Evropë." Në nëntor shifrat qenë shumë të larta. Ato duhet të ulen. "Nëse nuk ulen, nuk do të ketë marrëveshje." Ky nuk është kërcënimi i vetëm me veto. Edhe kryeministrja daneze, Helle Thorning-Schmidt kërcënoi gjithashtu me veto, nëse vendi i saj nuk do të ketë lehtësime për pagesat që bën në BE. Suedezi Frederick Reinfeldt kërkoi veç shkurtimeve "një rabat të rëndësishëm".

Kancelarja Merkel, megjithëse bën pjesë në mënyrë të qartë në kampin e kursimtarëve, u tregua kur mbërriti në Bruksel e balancuar dhe e gatshme për kompromise. Natyrisht që paratë duhet të trajtohen me kujdes, por duhet të ketë edhe "solidaritet midis paguesve dhe vendeve marrëse," tha ajo. Ajo shpreson shumë se palët do të bien dakord.

Autor: Christoph Hasselbach/Auron Dodi

Redaktoi: Mimoza Kelmendi