1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e përçarë lidhur me pavarësinë e Kosovës

22 Janar 2008

Ndërkohë që ata që mbështesin pavarësinë e Kosovës u treguan të rezervuar në Strazburg, një sërë deputetësh nga 47 vendet e BE-së tërhoqën vëmendjen për një "rast precdent" dhe "ballkanizimin" e rajoneve të tjera.

https://p.dw.com/p/Cw7P
Këshilli i Evropës
Këshilli i EvropësFotografi: dpa

Planifikimi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës e ka përçarë edhe Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. "Shumë rajone duan pavarësinë", por nuk mund të mbështesësh një shtet, i cili është i falimentuar qysh në fillim. Kosova është provincë dhe ka nevojë për stabilitet", tha deputeti liberal britanik Michael Hancock, që është kundër pavarësisë. Në sfondin e mungesës së një zgjidhjeje përmes bisedimeve mes serbëve dhe shqiptarëve "unë e shoh e pavarësinë e Kosovës si zgjidhjen e vetme të mundshme", tha liberali Lord Russell-Johnston si relator i komisionit politik.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Terri Dejvis në fjalën e tij u shpreh, se nuk është shumë optimist lidhur me një vendim për Kosovën në OKB. Megjithatë sipas tij ky vendim duhet të merret nga Këshilli i Sigurimit: " Unë mendoj, se gjithmonë është mirë, që një vendim kaq i rëndësishëm të merret mbi bazën e një marrëveshjeje të përbashkët dhe jo në mënyrë të njëanshme. Unë jam i vetëdijshëm për shqetësimet, që shfaqen lidhur me pasojat që mund të ketë shpallja e njëanshme e pavarësisë ndaj vendeve të tjera, veçanërisht ndaj Bosnjes, Maqedonisë, por edhe ndaj zonave të tjera në Evropë. Këshilli i Evropës do t´i pranojë vendimet e OKB-së, por nëse pavarësia e Kosovës vendoset në mënyrë të njëanshme, atëherë do të jetë detyrë e qeverive që të vendosin, nëse ato do ta njohin ose jo këtë vend të ri."

Me duartrokitje u prit deputeti rus Konstantin Kosaçev i partisë "Rusia e bashkuar" e presidentit Vladimir Putin. Kosaçev foli për "helmimin e krizës së Kosovës", që sipas tij e kanë shkaktuar vendet e BE-së duke i premtuar pavarësinë asaj. "Ky premtim i ka bërë të pakuptimta bisedimet, sepse si rjedhojë s´ka pasur domosdoshmëri për gjetjen e një kompromisi, tha politikani rus.


Në një projektrezolutë, që duhet të miratohet në mbrëmje nuk përmendet pavarësia. Palët pjesëmarrëse në Kosovë duhet që "sipas rrethanave të ruajnë paqen, të respektojnë dialogun dhe të parandalojnë nxitjen e dhunës", thuhet në këtë dokument.