1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ashton në Prishtinë

Bekim Shehu / Prishtinë10 Korrik 2013

Vizita e shefes së diplomacisë evropiane, Catherinë Ashton, në Kosovë, bëhet vetëm një ditë para se parlamenti i Kosovës ta hedhë sërish në votim ligjin për amnistinë, i cili kundërshtohet nga shoqëria civile.

https://p.dw.com/p/195Jh
Fotografi: DW/B. Shehu

Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, inkurajoi autoritet në Prishtinë që të vazhdojnë të punojnë në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e arritur me 19 prill ndërmjet kryeministrave, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç. Pas vizitës së djeshme në Beograd, baronesha Catherine Ashton, qëndroi të mërkurën(10.07.) në Prishtinë, ku takoi presidenten e vendit Atifete Jahjaga dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Këtë të fundit, Ashton e takoi të hënën në Bruksel për të 13 herë më radhë.

"Marrëveshja do të sjellë ndryshim në jetën e qytetarëve"

Shefja e diplomacisë evropiane, në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Thaçi, tha se “marrëveshja për normalizimin e raporteve Kosovë Serbi do të sjell ndryshimin e vërtetë në jetën e njerëzve dhe i garanton Kosovës të ardhmen e saj të sigurt. Ajo lavdëroi kryeministrin për siç tha “lidershipin që po tregon”. "Ju keni treguar guxim të vërtetë politik dhe keni treguar vizion. Të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian e mbështesin zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, janë mirënjohëse për punën që është bërë dhe kjo rezultoi me vendimin që Kosova të hapë negociatat me BE-në, për marrëveshjen e stabilizim asocimit ( MSA )”, tha Ashton.

Baronesha shtoi se edhe në Beograd edhe në Prishtinë ka kërkuar angazhim maksimal në zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, duke u kërkuar falje shumë njerëzve të angazhuar në këtë dialog, se do të mbeten pa pushime verore sepse kërkohet punë e madhe gjatë verës.

“Keni treguar qartë se përkushtimi juaj mbetet i fuqishëm si gjithmonë që të vazhdoni punën edhe gjatë verës me zbatimin e marrëveshjes. Kam frikë se shumë njerëz nuk do të kenë pushime verore as në Prishtinë dhe as në Beograd”, tha Catherine Ashton. Ajo njoftoi se një takim tjetër ndërmjet saj dhe kryeministrave, Thaçi e Daçiç do të mbahet në fund të korrikut.

Ashton nuk komenton ligjon për amnistinë gjatë vizitës në Prishtinë

Catherine Ashton takon kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Catherine Ashton takon kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.Fotografi: DW/B. Shehu

Vizita e shefes së diplomacisë evropiane, Catherinë Ashton në Kosovë, ndodh vetëm një ditë para se parlamenti i Kosovës ta hedhë serish në votim ligjin për amnistinë i domosdoshëm për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Miratimi i këtij ligji po kundërshtohet nga shoqëria civile dhe një pjesë e deputetëve të parlamentit. 10 ditë më parë ky ligj nuk e mori shumicën e votave të deputetëve.

Shefja e diplomacisë evropiane, nuk pranoi të flasë për ligjin për aministinë, dhe tha se asaj i intereson vetëm zbatimi i marrëveshjes. “Nuk dua të përfshihem në komente se si kryeministri dhe qeveria e kanë çuar përpara çështjen e ligjit për amnisti. Unë jam e interesuar të sigurohem që ajo për çka është arritur marrëveshja të zbatohet dhe shpresoj, që zbatimi i ligjit do të jetë demonstrim i përkushtimit jo vetëm të qeverisë por edhe ë parlamentit në punën e tyre”, tha baronesha Catherine Ashton.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci nga ana e tij, iu bëri thirrje deputetëve të kuvendit të Kosovës që të enjten (11.7.) ta votojnë ligjin. “Duhet të kemi parasysh rrethanat politike dhe aspektet legale. E gjitha çka është përfshirë, është përfshirë në kuadër të kushtetutës dhe ligjeve dhe është me interes që e gjithë skena politike të jetë në unitet në procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Ftoj të gjithë të dalin mbi interesat politike në interes të shtetit të normalizimit të gjendjes në veri. Zëri i arsyes fton të aprovohet ligji për amnisti”, tha kryeministri Thaçi.

Edhe përfaqësuesit në Kosovë të vendeve më të industrializuara, në një deklaratë të përbashkët për media u kanë kërkuar deputetëve që ta votojnë ligjin për amnisti. Përfaqësuesi Special i BE-së/Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, shefat e misioneve të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian që janë prezente në Kosovë, dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, së bashku theksojnë rëndësinë që ka miratimi i Projektligjit për Amnesti nga ana e Kosovës si një element i nevojshëm i normalizimit të marëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky ligj, ashtu siç është hartuar, ka fushëveprim të ngushtë, përjashton veprat që shkaktuan dëmtime të rënda trupore apo vdekjen, dhe amneston vetëm ato krime ekonomike, që janë kryer në lidhje me thirrjen për rezistencë.