1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ashton pret Thaçin

Bahri Cani1 Mars 2012

E ngarkuara e Bashkimit Evropian për punë të Jashtme Catherine Ashton u takua në Bruksel me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi të cilit i premtoi mbështetjen e Brukselit.

https://p.dw.com/p/14CXf
Catherine Ashton dhe Hashim Thaci në një takim të mëparshëm në Prizren
Catherine Ashton dhe Hashim Thaci në një takim të mëparshëm në PrizrenFotografi: DW

"Unë shpreh dëshirën time që ju të afroheni edhe më shumë me Bashkimin Evropian", i tha Catherine Ashtoni sot kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, në prani të gazetarëve në Bruksel. Ajo premtoi se gjatë këtij viti do të nisë procedura për realizimin e kushteve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, për liberalizimin e vizave, për marrëveshjet tregtare dhe pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së. Ashtoni përshëndeti marrëveshjet e arritura në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit për prezantimin e Kosovës në takimet rajonale dhe kontrollin e kufijëve të saj.

Thaçi: Jemi krenarë...

Ndërsa kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se ata "kanë rënë dakord që ardhmëria e Kosovës dhe të gjitha shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe në NATO". Kryeministri theksoi se "Kosova është krenare dhe shumë e lumtur që do të ketë vendin e vet në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në Kombet e Bashkuara.

Delegacioni nga Kosova, i prirë nga kryeministri Thaçi do të ketë takime edhe me presidentin e Këshillit të Evropës Herman Van Rompey, Komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fülle dhe me autoritete të tjera. Pritet që në kuadër të samitit të presidentëve dhe kryeministrave të Bashkimit Evrpian të vendoset edhe për nënshkrimin e studimit të fizibilitetit me Kosovën, i cili pas plotësimit të kushteve mund të përfundojë me arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Serbisë statusi i kandidatit, por...

Në këtë samit pritet të miratohet edhe vendimi që Serbisë t'i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Deri tani Rumania ka qenë e vetmja që ka kundërshtuar marrjen e këtij vendimi, e pakënaqur me statusin e vllehëve në Serbi. Ajo kërkon që vllehëve t'u njihet statusi i minoritetit dhe të respektohen të gjitha të drejtat e tyre. Disa analistë janë të mendimit se qëndrimi refuzues i Bukureshtit ka të bëjë me pakënaqësinë e Rumanisë për shkak të refuzimit të mëtejmë që ajo të bëhet pjesë e zonës Shengen.

Por edhe në qoftë se Serbia e merr statusin e kandidatit, ajo duhet të presë më gjatë deri në fillimin e negociatave. Vlerësohet se negociatat me Serbinë nuk do të fillojnë para fundit të vitit. Diplomatët në Bruksel thonë se me vëmendje të posaçme do të shikohet përparimi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Sipas tyre, negociatat e Beogradit me BE mund të fillojnë vetëm atëherë kur të shihet qartë se Serbia ka një orientim proevropian dhe nuk ka pretendime territoriale ndaj Kosovës.

Autor: Bahri Cani/Agjencitë e lajmeve

Redaktoi: Auron Dodi