1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ata meritojnë drejtësi - Ende nuk dihet fati i 1900 të zhdukurve

9 Qershor 2009

Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Amnesty International, bëri të njohur dje raportin për të zhdukurit gjatë dhe pas luftës së Kosovës. Sian Jones, prezantoi në Bruksel rezultatet e raportit.

https://p.dw.com/p/I63v
Kosovare që mbajnë fotografitë e të afërme të zhdukur, 2007
Kosovare që mbajnë fotografitë e të afërme të zhdukur, 2007Fotografi: AP

Megjithëse kanë kaluar dhjetë vjet që nga mbarimi i luftës së Kosovës, ende nuk dihet fati i 1900 të zhdukurve. Fajin kryesor për këtë organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International ia vë në radhë të parë politikanëve si në Serbi, ashtu edhe në Kosovë: "Mungon vullneti politik tek krerët e të dy vendeve për tu marrë me përndjekjen e krimeve të luftës. Kjo ka të bëjë pjesërisht me faktin, që njerëz nga të dyja palët kanë qenë përgjegjës dhe sigurisht, që ata nuk duan të shohin veten ose kolegët e tyre objekt hetimesh", ka thënë hulumtuesja Sian Jones në një intervistë për mediet televizive. "Në Kosovë çështja është edhe më serioze. Aty kemi një ministri drejtësie, e cila nuk është përgjegjëse për hetimin e krimeve të luftës. Gjatë dhjetë viteve ë fundit për këtë ka qenë UNMIK-u, por ky nuk guxoi të merret me hetimet e akuzave kundër anëtarëve të UÇK-së dhe të grupeve të tjera të armatosura për kidnapimet e serbëve gjatë dhe mbas luftës," - tha Jones më tej.

Jones lavdëron qasjen e deritanishme të EULEX-it me këtë çështje, por thekson se edhe misioni i ri i BE-së ka filluar të ndeshet me probleme: "Në Kosovë sundon një klimë e mosdënimit. Kjo e bën të vështirë mbledhjen e dëshmive, prandaj ne jemi për një program shumë të mirë për mbrojtjen e dëshmitarëve."

Logo e Amnesty International
Logo e Amnesty International

Amnesty e zgjodhi enkas datën e publikimit të raportit pak para dhjetëvjetorit të përfundimit të luftës, në mënyrë që të tërhiqte sa më shumë vëmendjen e medieve për fatin e 1300 shqiptarëve dhe afro 6 mijë serbëve, romëve, goranëve, boshnjakëve e pjesëtarë të pakicave të tjera, që janë zhdukur në fund të viteve 90-të në Kosovë. "Koha po ikën, sidomos për të afërmit e njerëzve që janë vrarë, zhdukur dhe rrëmbyer. Ata kanë humbur dhjetë vjet në kërkim të së vërtetës. Gjysma e tyre nuk e dinë se ku gjenden trupat. Ata meritojnë drejtësi," - tha Jones.

Jones kritikoi edhe punën tepër të ngadalshme të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në Serbi, që ka filluar nga puna në vitin 2003. Megjithëse ajo gëzon mbështetjen e presidentit Boris Tadiç, ende ekziston një numër i madh i anëtarëve të qeverisë, që nuk e mbështesin punën e saj, konstaton ai.

Sa u përket raporteve për kidnapimin e serbëve me qëllim trafikimi organesh, Jones tha se për to mungojnë dëshmitë: "Është dëshmuar që mbas luftës një numër i madh serbësh janë rrëmbyer dhe janë dërguar në Shqipëri. Ka disa dëshmi që disa prej tyre janë varrosur atje. Por ne nuk ishim në gjendje të themi, se a qëndron akuza për kidnapimin e tyre me qëllim trafikimi organesh. Njëra nga pikat domethënëse është se dëshmitarët tregojnë ose për trajtim të mirë, pa tortura, ose për vrasje të menjëhershme," tha ajo. Jones nënvizoi se edhe për këtë çështje duhen bërë investigime në bashkëpunim me palën shqiptare, por edhe me organet e EULEX-it.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama