1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Atentate të reja në Londër

Auron DODI21 Korrik 2005
https://p.dw.com/p/Aqji
Stacioni i metrosë Warren Street në Londër pas shpërthimit
Stacioni i metrosë Warren Street në Londër pas shpërthimitFotografi: AP


Në Londër kanë ndodhur sot disa shpërthime në rrjetin e linjave të afërta hekurudhore. Policia britanike konfirmoi rreth orës 15 sipas orës së Londrës, pra 16 sipas orës së Gjermanisë, se në qytet ka pasur katër shpërthime. "Ne kemi pasur katër shpërthime, katër përpjekje për shpërthime," tha shefi i policisë së Londrës Ian Blair.

Fjala ka qenë për sasi të vogla lëndësh shpërthimi. Numri i personave të dëmtuar duket se është shumë i vogël, tha Ian Blair. Sipas të dhënave të mëparshme të policisë britanike besohet se është plagosur të paktën një person. Shefi i policisë së Londrës u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të mos lëvizin prej vendit të tyre aktual të qëndrimit.

Kryeministri britanik Toni Bler i bëri thirrje popullit të ruajë qetësinë dhe të vazhdojë jetën normale.

Atentatet e së enjtes u kryen sipas policisë nga terroristë. "Synimi ishte që të vrisnin" tha shefi i policisë së Londrës, Ian Blar. Por disa nga bombat nuk kishin shpërthyer fare. Blair tha se hetimet ndodhen ndoshta para një "suksesi të rëndësishëm", meqenëse në vendet e ngjarjes janë siguruar gjurmë të rëndësishme.

Radiostacioni britanik BBC bëri të ditur se në një nga shpërthimet që ndodhën në Londër besohet se është plagosur njëri nga dorasit. Ai besohet se është plagosur kur po ndizte lëndën e shpërthimit, u tha. Këto të dhëna bazohen në burime të policisë. Pro vërtetësisë së këtij lajmi flet edhe fakti që spitali ku u dërgua i plagosuri u rrethua më vonë nga policia. Një zëdhënës i Scotland Yardit tha më tej se nuk janë gjetur gjurmë substancash kimike, të tilla që përdoren p.sh. për ndërtimin e bombave të papastra.

Sipas të dhënave të pakonfirmuara, ka pasur edhe një shkëmbim zjarri. Këtë e deklaroi një përfaqësues i shoqërisë hekurudhore të Londrës. Sipas tij në stacionin e metrosë Warren Street shpërtheu një bombë e sajuar. Një pasagjer i metrosë i tha stacionit televiziv SKY TV se ai ka ndjerë erë tymi. Pasagjerë të tjerë i patën thënë atij se pati shpërthyer një cantë kurrizi. Sky TV duke iu referuar policisë bëri të ditur se patën shpërthyer fitila, por jo bomba.

Në një autobus, rrugës nga Vaterlo në Hakni në lindje të qytetit, sipas shoqërisë hekurudhore ndodhi një shpërthim. Policia konfirmoi se në linjës 26 në Hackney Road ndodhi një incident.

"Ne mund të konfirmojmë se forcat e shpëtimit janë përgjigjur ndaj raportimeve për incidente në tri vende të rrjetit të metrosë, në Oval, në Warren Stret dhe në Shepherd's Bush, tha një zëdhënës i Skotland Yardit. "Ne e ndërpremë qarkullimin në tri linja - në Hamersmith and City, në Victoria dhe në Northern Line". Tri stacionet e trenit Warren Street, Shepherd's Bush dhe Oval ndodhen përkatësisht në Veri, Perëndim dhe Jug të Qytetit.

Në klinikën universitare të Londrës, policët në orën 15.30 minuta sipas orës së Londrës po kërkonin një person të dyshimtë. Këtë e bëri të ditur stacioni televiziv SKY. Kërkohej një person me t-shirt blu dhe me kabllo elektrike në kurriz. Skotland Yardi e konfirmoi se ka pasur një incident në një spital të Londrës. Policët janë dërguar drejt University College Hospital, u tha.

Skotland Yardi tha rreth orës 16 me orën e Londrës se këto incidente nuk konsiderohen hë për hë si ngjarjet e 7 korrikut, kur metroja e Londrës dhe një autobus u tronditën nga katër shpërthime bombash. Megjithatë është ende shumë herët për një vlerësim të gjendjes, u tha.

Nje person u arrestua para Downing Street-it, zyrës së kryeministrit britanik. Por shefi i policisë tha se dy arrestime të këtij lloji nuk kanë lidhje me atentatet.

Ndërkohë, policia pakistaneze sipas gazetës britanike "Times" arrestoi organizatorin e atentateve vetëvrasëse të Londrës. 30 vjecari Harun Rashid Aswat është drejtuesi për Britaninë e Al Kaidës, bëri të ditur Times me burim shërbimet e fshehta.