1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Atentati i Bostonit

Robert Wittwer/ Auron Dodi15 Prill 2014

Një vit pas atentateve në Boston me tre të vrarë dhe 260 të plagosur ka raporte të ndryshme hetimore, por pak gjëra konkrete. Shërbimet e fshehta dhe autoritetet ia përcjellin përgjegjësinë njëri-tjetrit.

https://p.dw.com/p/1Bhwg
Atentati ne Boston me 2013
Fotografi: Reuters

Deri sot, njerëzit në SHBA e pyesin veten nëse mund të përsëritet sërish një ngjarje e tillë. Për ekspertin e çështjeve të sigurisë, Thomas McNamara është e qartë:"Ka qenë e mundur që atentatet të pengoheshin, nëse shërbimet e fshehta do t'i kishin ndarë informacionet e tyre me autoritetet lokale", thotë ai në bisedë me Deutsche Wellen. Ish-ambasadori McNamara ka qenë këshilltar për sigurinë i disa presidentëve amerikanë. Pas atentateve terroriste të 11 shtatorit 2001 ai drejtoi një departament për këmbimin e informacioneve në shërbimet e fshehta të SHBA.

Autoritetet dhe shërbimet e fshehta në SHBA përgjojnë thuajse çdo rrugë komunikimi. Megjithatë, të dy vëllezërit çeçenë të emigruar në SHBA qenë në gjendje t'i shpërthenin pa u penguar bombat e tyre më 15 prill 2013. Kjo në një kohë kur më i madhi, Tamerlan Zarnajev kishte vite që ishte në shënjestër të mbikqyrësve rusë. I dyshuari ka ndryshuar krejtësisht, e njoftonte Rusia në vitin 2011 policinë amerikane FBI dhe shërbimin e fshehtë amerikan, CIA. Tamerlan Zarnajev është bërë një besimtar i fortë i islamit radikal dhe përgatit në atdheun e tij takime me banda përkatëse, bënin të ditur burime ruse. Por pas një hetimi, FBI arriti në përfundimin se Tamerlan Zarnajevi nuk paraqiste rrezik për Amerikën. Një gabim vdekjeprurës.

Bombenanschlag beim Boston-Marathon
Fotografi: picture alliance/AP Photo

Mungesë bashkëpunimi

Pas atentateve, CIA dhe FBI u ndodhën nën kritikë. Para së gjithash, policia federale besohet se nuk ka ndjekur sinjale të rëndësishme. Ngjarjet janë analizuar në disa raporte hetimore, por konkluzionet në to vlejnë shumicën e herëve vetëm si rekomandime, askush nuk ngarkohet qartë me përgjegjësi.

Komisioni për Sigurinë e Brendshme të Dhomës së Përfaqësuesve, për shembull, arrin në raportin e tij në një përfundim të ngjashëm si eksperti i sigurisë, McNamara. Shërbimet federale kanë bashkëpunuar shumë pak me autoritetet lokale të ndjekjes penale, shkruhet në raport. Kështu për shembull, autoritetet e Shtetit Massachusetts nuk e dinin, se banori i shtetit të tyre, Tamerlan Zarnajev, ishte i regjistruar tek autoritetet ruse dhe tek ato amerikane. Komisioni thekson edhe se këto rezultate janë gati identike me ato pas atentateve terroriste të 9/11 dhe me ato pas të shtënave të para në vitin 2009 në Ford Hood të Teksasit. Tani ka ardhur koha që kjo mangësi që përsëritet herë pas here të eleminohet, thuhet në raport.

Por në një raport të brendshëm të FBI pas bombave të Bostonit, policia federale ankohet edhe se i kishte duart e lidhura për të bërë hetime më të thella - për shkak të kompetencave të departamentit të drejtësisë dhe të ligjeve federale. Këtë e tregon një raport i brendshëm, të cilin FBI e përpiloi vetë pas atentateve, shkruan gazeta "New York Times".

Më 21 prill do të nisë maratona e re në Boston. Pritet të jetë maratona më e madhe, por edhe më e sigurta. Për maratonën e 118-ë janë angazhuar dyfishi i numrit të policëve nga ata të vitit të kaluar, rreth 3500. Pika kontrolli me detektorë metali si dhe qenë të stërvitur për të dalluar bombat, së bashku me qindra kamera vëzhgimi, ofrojnë sigurime shtesë për distancën e vrapimit.