1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Aung San Suu Kyi u dënua sërish me arrest shtëpiak

11 Gusht 2009

Politikania opozitare birmaneze Aung San Suu Kyi, u dënua nga një gjykatë speciale edhe me 18 muaj të tjerë arrest shtëpie. Gjykatësit e arsyetuan vendimin e tyre me shkeljen e rregullave të arrestit të shtëpisë.

https://p.dw.com/p/J7cH
Aung San Suu Kyi u dënua me 18 muaj arrest shtëpiak. Ne foto: Aung San Suu Kyi
Aung San Suu Kyi u dënua me 18 muaj arrest shtëpiakFotografi: picture alliance/dpa

Ministri i Brendshëm: vendimi kundër Suu Kyi ishte i "pashmangshëm"

"Faleminderit për vendimin" tha pas shpalljes së tij me një dozë ironie Suu Kyi, e cila ishte veshur me një kostum tradicional birmanez. Sipas të dhënave të një përfaqësuesi të qeverisë ajo u shoqërua nën masa të rrepta sigurie sërish për në shtëpinë e saj në buzë të një liqeni në Rangun. Vendimi kundër Suu Kyi ishte i "pashmangshëm" tha ministri i Brendshëm Maung Oo. Por në rast se ajo sillet mirë, afati i arrestit të shtëpisë mund të shkurtohet, vazhdoi ai.

Dënimi i politikanes opozitare birmaneze Aung San Suu Kyi pritej. Fillimisht madje gjykata e kishte dënuar nobelisten për paqen, që mbahej e arrestuar në burgun famëkeq për të burgosurit politikë Insein, me tre vjet heqje lirie dhe me punë të detyruar. Sipas deklaratave të qeverisë ndryshimi i vendimit nga heqje lirie në 18 muaj arrest shtëpie ishte bërë me urdhër të juntës ushtarake.

Qytetari amerikan Yettaw shkoi me not në shtëpinë e Suu Kyit dhe nuk pranoi të largohej

Në fillim të muajit maj qytetari amerikan John William Yettaw, shkoi me not në shtëpinë e Suu Kyit. Edhe pse ajo i kishte kërkuar të largohej prej shtëpisë së saj, ai i kishte thënë se ishte shumë i lodhur për t'u kthyer. Për këtë gjykata e posaçme e dënoi Yettaw-in me shtatë vjet heqje lirie dhe punë të detyrueshme. Dy kujdestaret e Suu Kyit u dënuan me nga tre vjet heqje lirie.

Junta bën përpjekje prej 20 vjetësh për ta shmangur pjesëmarrjen e politikanes në jetën politike

Sipas përfaqësuesve të opozitës, junta ushtarake e Birmanisë kishte pritur vetëm sa të gjente një pretekst për ta penguar Suu Kyi për të marrë pjesë në zgjedhjet që planifikohen të organizohen në vitin 2010. Që prej vitit 1990, kur u zhvilluan zgjedhjet e para të lira që prej marrjes së pushtetit prej juntës ushtarake në vitin 1962, në cilat partia e saj "Lidhja kombëtare për Demokraci" (NLD), fitoi shumicën e votave, junta i ka bërë të gjitha përpjekjet për ta shmangur politikanen për të marrë pjesë në jetën politike. Kështu në këto 20 vjet ajo 14 vjet i ka kaluar ose në arrest shtëpie ose në burg.

Junta e uli dënimin fillimisht tre vjeçar për Suu Kyi-në.Ne foto: Aung San Suu Kyi
Junta e uli dënimin fillimisht tre vjeçar për Suu Kyi-nëFotografi: picture-alliance/ dpa

Në botë procesi, i cili u zhvillua kryesisht me dyer të mbyllura, konsiderohet si farsë. BE e kritikoi dënimin e nobelistes për paqen dhe kërkoi lirimin e saj të menjëhershëm. Suu Kyi duhet të lirohet "menjëherë dhe pa kushte" - deklaroi presidenca suedeze e BE-së.

Steinmeier: vendimi - një goditje tjetër për të drejtat e njeriut në Mianmar

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier deklaroi:

"Vendimi i sotëm është një goditje tjetër për të drejtat e njeriut në Mianmar. Fundi i këtij procesi i cili ishte më tepër një farsë, se sa proces gjyqësor, tregon se sa respektohen të drejtat elementare të njeriut në këtë vend të Azisë Juglindore. U bëj thirrje pushtetmbajtësve në Rangun, t'i kthejnë Aung San Suu Kyi menjëherë lirinë e saj të plotë dhe të lirojnë edhe të gjithë të burgosurit e tjerë politikë."

Ministri i Jashtëm i Malajzisë Anifah Aman kërkoi mbledhjen e një seance urgjente të ASEAN-it. Vendimi është mjaft shqetësues, tha ai dhe kërkoi që zgjedhjet në Birmani të jenë të lira dhe të ndershme.

Autor: Pandeli Pani/epd / dpa/afp/AA

Redaktoi: Auron Dodi