1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Austri: President i ri krizë e re - Van der Bellen në post

27 Janar 2017

Harrohet fitorja mjaft emocionale kundrejt rivalit të FPÖ-së Norbert Hofer. Betimi i presidentit të ri Alexander Van der Bellen zhvillohet nën hijen e krizës qeveritare. Shenjat flasin për zgjedhje të reja.

https://p.dw.com/p/2WTb3
Österreich Amtsantritt Bundespräsident Alexander van der Bellen in Wien
Fotografi: picture-alliance/dpa/H. Neubauer

U desh më shumë se një vit derisa Alexander Van der Bellen të bëhej president i Austrisë. Të enjten (26.01) ai bëri betimin në parlament, përshkoi më këmbë rrugën drejt Hofburg-ut dhe i ftoi përkrahësit e tij për një shëtitje të përbashkët. Këta të fundit që kishin duruar më shumë se një vit për këtë ditë, duruan edhe ato pak minuta në acarin e dimrit vjenez duke e brohoritur të preferuarin e tyre. Rreth një mijë vetë iu përgjigjën ftesës së tij, një në dy vet ishte veshur me rroba tifozësh, shumë mbanin berreta gri me mbishkrimin "Van der Bellen", disa thërrisnin madje ishin mbështjellë me flamuj me parrullën "Më shumë se kurrë - VdB".

"Për ne është një çast i gëzueshëm", thotë Margit K., e cila punon në spital dhe enkas e kishte ndërruar turnin për të qenë këtu. "Unë e shoh Austrinë me të në krye në rrugë të mbarë. Me Hoferin do të ishin forcuar të djathtët." Ishte kryesisht frika prej populistit të djathtë të FPÖ-së, Norbert Hofer, që i solli fitoren Van der Bellen-it. Një në dy vetë, sipas anketimeve, kanë zgjedhur ekologjistin vetëm për të shmangur Hofer-in.

Megjithatë, edhe pse Van der Bellen dhe mbështetësit e tij festojnë në këtë ditë të ftohtë edhe një herë fitoren e dhjetorit - tema dominuese është edhe sot, se pavarësisht fitores së Van der Bellenit kriza politike në Austri nuk ka marrë fund. Më shpejt nga sa ai do të dëshironte, mund të ndodhë që Van der Bellen të detyrohet të marrë vendime të vështira si president.

Österreich Vereidigung Präsident Van der Bellen
Fotografi: picture-alliance/APA/picturedesk/R. Jäger

"Grindja dominon gjithçka"

Opinioni në Austri është ambjentuar me lajme për mosmarrëveshje në koalicionin qeverisës, madje edhe hamendësimet për zgjedhje të reja tasahmë janë bërë të zakonshme. Por ajo që tha në fillim të javës kancelari socialdemokrat (SPÖ) Christian Kern, pati një cilësi të re: nëse SPÖ dhe partneri i koalicionit ÖVP deri të premten nuk bien dakord për një plan për pjesën e mbetur të legjislaturë deri në vjeshtën 2018, "atëherë ne nuk kemi nevojë më për këtë qeveri."

Kjo ishte pika kulmore e një serie mosmarrëveshjes, që ka pasur gjatë muajve të fundit koalicioni me bazë të gjerë. Në këto mosmarrëveshje bëhet fjalë jo vetëm për tema përmbajtësore, por me sa duket të dyja palët e kanë thelluar hendekun e konfliktit edhe në drejtime të tjera. ÖVP thuhet, se ka angazhuar një përndjekës plagjiaturash për punën e diplomës së kancelarit Kern, ndërsa nga ana e saj SPÖ duhet të ketë skanuar jetën e mëparshme të yllit të ÖVP, ministrit të Jashtëm Sebastian Kurz.

Të çarat në koalicion duket se është e vështirë të ngjiten - për politologun Peter Filzmaier nga Universiteti Danub në Krems gabimi ka të bëjë qysh me ngjizjen e këtij koalicioni: "Qysh në fillim ky ishte një koalicion nga e keqja", thotë ai për DW. Janë kontradiktat klasike, që ndajnë SPÖ-në dhe ÖVP-në: ndërsa kancelari Kern së fundi me "Planin A" të tij paraqiti një program, që përmban ide të majta me çështjen e pagës minimale dhe taksën ndaj pasurisë, kristiansocialët i bllokojnë të tilla masa. Ndonëse krerët e koalicionit janë takuar në një samit një ditë më parë, i cili duhettë vazhdojë deri të premten (27.01), "edhe sikur ata të vendosin diçka të re, ndërkohë e kanë turbulluar prezantimin", thotë Filzmaier. "grindja do të dominojë gjithçka."

Enigma e zgjedhjeve

Zgjedhje të reja ose jo - kjo është një çështje, që do të diskutohet intensivisht edhe në Hofburg. Qytetarët që shoqërojnë presidentin e sapo betuar si çifti Kurt dhe Margit K. janë të bindur që në vjeshtë 2017 austriakët sërish do të votojnë. "Van der Bellen do të përpiqet që t'i bashkojë partitë, por qerrja ka mbetur në vend", thotë Kurt K.

Politologu Peter Filzmaier konsideron se në rast se ka zgjedhje do të jetë i pamundur një koalicion me bazë të gjerë. "Për SPÖ zgjedhjet kanë kuptim, vetëm nëse një partner i mundshëm koalicioni do të jetë FPÖ-ja." Dekada me radhë socialdemokratët kanë ndjekur të ashtuquajturën doktrina Vranitzky: jo bashkëpunim me të djathtët në nivel federal. Kancelari Christian Kern po e lëviz SPÖ-në drejt FPÖ, në Burgenland këto parti kanë krijuar një koalicion. Por aktualisht pyetja që shtrohet ka të bëjë me faktin se FPÖ-ja kryeson në sondazhe. "Ky është i vetmi argument që flet kundër zgjedhjeve të reja", thotë Peter Filzmaier. Ndërkohë as SPÖ dhe as ÖVP nuk mund të shpresojnë, se i fitojnë zgjedhjet.

Österreich Präsident Van der Bellen im Hofburg Palast in Wien
Fotografi: Reuters/L. Foeger

Pavarësisht se kur do të ketë zgjedhje, në vjeshtë 2018 apo më përpara, FPÖ-ja mund të dalë partia më e fortë. E kësisoj Van der Bellen vërtetë do të përballej me pyetjen e vështirë për një president: kë do të ngarkojë ai me krijimin e qeverisë? Ai nuk do ta pranonte betimin e një qeverie të drejtuar nga FPÖ-ja, kështu ka premtuar ai në fushatën elektorale. Nga ana ligjore kjo do të ishte e mundshme, por e lidhur me një krizë shtetërore dhe me zgjedhje të reja. "Mbetet e vështirë, mund të krijiohen rrethana të ngjashme si në Spanjë, sepse një qeveri me dy parti mund të krijohet vetëm me FPÖ-në", thotë Peter Filzmaier. "Pra me Van der Bellen duhet të sqarohet çështja, se ç'qendrim do të mbash t'i ndajë një qeverie me FPÖ-në?"