1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Autoritetet në Prishtinë: nuk pranohet asnjë propozim i Beogradit për bashkqevesje në enklavet serbe

Bekim Shehu / Prishtinë21 Mars 2008

Qeveria e Serbisë i ka ofruar një plan administratës ndërkombëtare për të bashkëqeverisur enklavet serbe në Kosovë, mbi parimet e rezolutës 1244 të KS-it.

https://p.dw.com/p/DSOR
Pamje nga PrishtinaFotografi: DW/ Pandeli Pani

Plani i është dorëzuar zëvëndëshefit të UNMIK-ut, Lari Rosin, nga ministri serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samargjiq. Në bazë të këtij plani, merret vësh se Qeveria e Serbisë, kërkon nga UNMIK-u që të bashkëqeverisë në fushën e sigurisë, atë të drejtësisë dhe në kontrollimin e kufirit. Zyrtarë të UNMIK-ut, pranojnë se një plan i tillë është propozuar nga qeveria e Serbisë. Ata thonë se çdo propozim shqyrtohet në zyrën ligjore të OKB-së dhe instruksionet për ndonjë ndryshim mund të bëhen vetëm nga kjo zyrë. Për autoritetet në Prishtinë, çdo propozim i Serbisë për të qeverisur në Kosovë qoftë edhe nëpërmes mekanizmave ndërkombëtar është i papraueshëm. Zyrtarë të qeverisë, thonë se me Kosovën mund të qeverisë vetëm qeveria e saj, në marrëveshje me komunitetin ndërkombëtar. Analistët politikë nga ana e tyre thonë se në Kosovë tashmë ekziston një realitet i ri, ndërsa, cdo marrëveshje tjetër që nuk pranohet nga qeveria e Kosovës, ajo cilësohet e dështuar. Analisti, Driton Lajqi, thotë se UNMIK-u, nuk mund të bëjë më kurrfarë marrëveshje për Kosovën. Driton Lajqi, thotë se cdo tentativë e UNMIK-ut, për të bërë marëveshje me qeverinë e Serbisë, bie ndesh me fazën e tranzicionit dhe kompetencat e UNMIK-u karshi institucioneve të Kosovës. Sipas tij, UNMIK-u nuk ka nevojë të dakordohet ose të mos dakordohet, sepse administrata ndërkombëtare tashmë ka hyrë në fazën e transferimit të përgjegjësive, shumica e të cilave do të kalojnë në duar të Qeverisë së Kosovës dhe një pjesë tek misoni i ri i BE-së.


Në planin e ndërmjetësit, Marti Ahtisari, mbi bazën e të cilit Kosova shpalli pavarësinë, pakica serbe në Kosovë ka shumë të drejta. Madje edhe qeveria e Beogradit mund të interesohet për serbët e Kosovës, mund të ndajë edhe donacione të ndryshme, mirëpo që të gjitha duhet kaluar nëpër zyrat e qeverisë së Kosovës. Me specifike është cështja e veriut të Mitrovicës, ku qyteti do të ketë dy njësi komunale, një serbe dhe një shqiptare nën mbikqyrjen e një përfaqësuesi ndërkombëtar. Sidoqoftë, autoritetet në Prishtinë, janë zotuar se do ta zbatojnë me përpikmëri planin e Marti Ahtisarit, pakicës serbe u bëhët thirrje që të inegrohet në shoqërinë kosovare, ndërsa të drejtat e tyre do të mbrohen me ligje.