1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Avantazhe por edhe dizavantazhe serioze

Thomas Rautenberg23 Janar 2007

Polonia pret një kërkesë të ShBA për stacionimin e një sistemi për mbrojtjen nga raketat

https://p.dw.com/p/Ar95
Raketa Patriot
Raketa PatriotFotografi: AP

ShBA duan të ndërtojnë në Poloni dhe Çeki një sistem për mbrojtjen nga raketat me rreze të gjatë veprimi. Me anë të tij amerikanët synojnë t'i kundërvihen një rreziku potencial nga vende si Irani apo Koreja e Veriut. Qeverisë në Varshavë i është paraqitur një propozim konkret citohej në gazetën polake "Rzeczpospolita" të hënën më 22 janar të ketë thënë një zyrtar i lartë i ministrisë së jashtme të SHBA. Një mburojë antiraketore në Poloni dhe Çeki do të forcojë sigurinë e Europës shprehet përfaqësuesi i qeverisë amerikane. Kryeminstri çek Mirak Topolanek konfirmoi të shtunën e kaluar më 20 janar, se SHBA i kanë ofruar Pragës negociata për pjesëmarrje në një sistem të tillë mbrojtjeje antiraketore.

Cilat janë reagimet e qarqeve qeveritare dhe ushtarake polake ndaj kërkesës amerikane?

Kërkesa zyrtare nga pala amerikane është vetëm çështje ditësh. Pasi SHBA paraqitën në Pragë kërkesën për ngritjen në Çeki të një stacioni radarësh për mbrojtjen kundër raketave. Edhe Polonia pret tani vizitën e amerikanëve. Konkretisht, shprehet ministri polak i mbrojtjes Radoslav Sikorski, bëhet fjalë për stacionimin e raketave amerikane mbrojtëse patriot, me të cilat në të ardhmen ushtria e SHBA synon të shkatërrojë në ajër raketat balistike armike: "Nëse partneri ynë SHBA na lutet për diçka duhet të diskutojmë seriozisht. Në këtë rast për qeverinë tonë është obligues një vendim i Këshillit Kombëtar të Sigurisë. Unë mund t'a qetësoj opinionin publik polak duke e siguruar, se mbi këtë çështje do të diskutojmë shumë, shumë seriozisht. Bëhet fjalë për një vendim shumë më të rëndësishëm se pjesëmarrja jonë në Irak apo Afganistan. Efektet e këtij vendimi do të vazhdojnë të ndihen për dekada me rradhë."

Qeveria nacional-konservatore e Polonisë e ka cilësuar vazhdimisht të mirëpritur bashkëpunimin ushtarako-strategjik me amerikanët. Perspektiva e përfshirjes direkte në mburojën e mbrojtjes amerikane si vend stacionimi kundër raketve, është nga çdo pikëpamje një ofertë tërheqëse, mendon gjenerali polak Stanislav Koziej:"Nëse në territorin tonë gjendet një objekt i një rëndësie të tillë për SHBA, shtohet edhe siguria jonë. Një sulm kundër Polonisë do të thoshte në të njëjtën kohë edhe sulm kundër SHBA."

Një numër i madh polakësh, përkundrazi i shohin planet për stacionimin e raketave Patriot me ndjenja të përziera. Kush instalon një bazë me raketa anti balistike duhet të presë të bëhet edhe vetë një ditë një nga objektivat e parë të një sulmi, argumentojnë zërat kritikë. Për këtë arsye kryeministri i Polonisë Jaroslav Kaczynski ende nuk dëshëron të marrë një vendim përfundimtar mbi planet për mbrojtjen antiraketore: "Rusia e konsideron këtë mburojë antiraketore si të drejtuar kundër saj duke e komplikuar kështu situatën. Megjithë përparësitë nuk duhet të harrojmë edhe disavantazhet serioze që do sillte një bazë e tillë. Për këtë arsye do të presim kërkesën zyrtare dhe kur ajo të paraqitet do të diskutojmë."

Planet polako-amerikane antiraketore nuk do të sillnin tensione të reja vetëm me Rusinë. Edhe Bashkimi Europian do të ndihej sërish i fyer nga Polonia ka paralajmëruar europarlamentari polak Ryszard Czarnecki: "Vendet europiano-perëndimore, në rradhë të parë Gjermania dhe Franca, janë kundër këtij projekti. Për kundërshtarët politikë të Polonisë ky do të jetë një argument më shumë për të thënë se Polonia është një lloj pararoje e fshehtë e SHBA brenda Europës."

Për nacional-konservatorët polakë, më e rëndë se argumentat që kanë të bëjnë me politikën e sigurisë është një kërkesë e amerikanëve: SHBA duan t'a shfrytëzojnë bazën e ardhshme të mbrojtjes antiraketore si një zonë eksterritoriale ku ata të jenë të vetmit që vendosin. Dhe natyrisht një gjë e tillë nuk përshtatet aspak me vizionin e nacionalistëve polakë.