1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Axhenda belge mjaft e rëndësishme për çështjen e zgjerimit

12 Korrik 2010

Prioritetet kryesore të presidencës belge në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti janë prezantuar të hënën (12.07) në Tiranë nga ambasadori i Belgjikës për Shqipërinë, Marc Michielsen.

https://p.dw.com/p/OHLt
Ambasadori i Belgjikës në Shqipëri, Marc MichielsenFotografi: DW

Për ambasadorin e Belgjikës për Shqipërinë, Marc Michielsen, i cili është rezident në Romë, gjashtëmujori i dytë i 2010-s ku presidencën e rradhës së BE-së e ka vendi i tij “do të ketë disa objektiva thelbësore”. Së pari, dimensioni ekonomik që ka lidhje me përballimin dhe kapërcimin e krizës globale që ka përfshirë dhe vendet anëtare. Së dyti, sipas ambasadorit, do të ndërmerren hapa legjislativë për cështjet sociale. Së treti, në fokus do të jetë dimensioni i ashtuquajtur “gjelbërimi ekonomik” ne reduktimin e mëtejshëm të dioksidit të karbonit. Objektiv i katërt për presidencën belge lidhet me angazhimin në problemet e brendshme dhe të drejtësisë, në forcimin e luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, apo me emigracionin, azilimin etj.

Duke lidhur ambicien e Shqipërisë për procesin e integrimit europian, ambasadori Marc Michielsen konsideroi në axhendën belge të gjysmës së dytë të 2010-s si mjaft të rëndësishme çështjen e zgjerimit: “Sigurisht që zgjerimi është një proces dhe kalon në faza të ndryshme. Dhe jo të gjitha vendet aspirante janë në të njëjtën fazë. Ndaj themi se ky proces bazohet në meritat e çdo vendi”.

Ambasadori Michielsen para prezantimit të programit të tij tha se kishte takuar udhëheqësit kryesorë politikë në Tiranë, me të cilët ka diskutuar mbi situatën e brendshme aktuale: "Atje unë kam dhënë mesazhin se që të ketë ecje përpara ne na duhen sinjale positive. Ne kemi shprehur shqetësimin për ngërçin politik në Shqipëri. Kjo ka të bëjë me nevojën e dialogut politik dhe me mbetjen akoma pa zgjidhur të atyre çështjeve që lidhen me zgjedhjet e kaluara. Deri në muajin nëntor Komisioni Evropian pritet të japë një opinion vlerësues mbi Shqipërinë. Pikërisht në rast se ky do të jetë një vlerësim pozitiv atëhere presidenca belge do të vendosë të vijojë më tej”.

Ambasadori Marc Michielsen tha se u ka apeluar udhëheqësve politikë që t'i shikojnë problemet e pazgjidhura me transparencë dhe kushtetueshmëri: “Të punojnë së bashku si mazhoranca ashtu dhe opozita për të gjetur një zgjidhje për të dalë nga situata ku ndodhen. Deri në fillim të nëntorit kanë mbetur edhe disa muaj. Shpresa jonë si përfaqësues të presidencës belge të BE-së është që këto sinjale pozitive mund të materializohen”.

Për ambasadorin Michielsen rezoluta e fundit e Parlamentit Evropian është një pikë orientuese për forcat kryesore politike. Sipas tij, “ata duhet ta lexojnë me kujdes atë se vetëm kështu ajo vlen si një bazë e sigurtë për ecjen përpara të procesit të integrimit”.

Ndërkohë drejtori i Këshillit Shqiptar për Marrëdhënie me Jashtë, një organizatë joqeveritare në Tiranë, Petraq Pojani, thotë për DW se gjatë 6-mujorit të presidencës belge në BE priten të bëhen hapa të rëndësishëm në procesin e integrimit. Pojani, ish-ambasador për shumë vite, mendon se liberalizimi i vizave dhe marrja statusit kandidat për në BE janë të lidhura me kryerjen e “detyrave të shtëpisë”. Më shumë ato kanë rëndësi tek objektivi i dytë, thotë Pojani.

“Realizimi i detyrave të shtëpisë është gjithmonë relativ. Ka gjithmonë standarde të padiskutueshme, por interpretimi i tyre, sidomos kur vjen puna në planin politik është relativ. Me fjalën relativ dua të them në radhë të parë se si i kuptojmë ne vetë në Shqipëri, si i kuptojnë forcat politike. Së dyti, se si na shohin ata jashtë. Duhen plotësuar detyrat në shumë fusha. Më kryesoret mbeten ato në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, organizimit të gjyqësorit, pushtet e pavaruara etj. Këto janë detyra shumë të rëndësishme sot dhe nesër”.

Sipas ish-ambsadorit Petraq Pojani nga Brukseli vazhdimisht vijnë sinjale të qarta se çdo vlerësim për reformat do të bëhet vetëm në bazën e asaj që realizohet dhe jo atyre që thuhen e premtohen.

Autor: Arben Muka
Redaktor: Pandeli Pani