1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Azilkërkuesit përgjohen nga shërbimet sekrete

Wolfgang Dick / Pandeli Pani22 Nëntor 2013

Zyra federale për Marrjen në Pyetje (HBW), me seli në Berlin, merr në pyetje edhe azilkërkues. Ka azilkërkues që janë marrë në intervistë drejtpërdrejt nga agjentët e shërbimit të fshehtë.

https://p.dw.com/p/1AM96
Fotografi: picture-alliance/dpa

Para se t'u jepet e drejta e qëndrimit azilkërkuesit duhet t'i nënshtrohen një interviste në Gjermani. Punonjësit e Zyrës Federale për Emigrimin dhe Refugjatët i pyesin azilkërkuesit për vendin nga vijnë, përse ndjehen politikisht të persekutuar, si kanë ardhur në Gjermani etj. Këto pyetje janë normale dhe aplikohen edhe në vende të tjeta të botës.

Por shpesh ndodh që azilkërkuesit merren në pyetje edhe nga një institucion pak i njohur për njerëzit në Gjermani: Zyra federale për Marrjen në Pyetje (HBW), me seli në Berlin. Zyrtarisht, ky institucion është në varësi të zyrës së kancelarit. Që nga viti 1958 HBW mbledh informacione që mund t'i shërbejë sigurisë në Gjermani. Sipas gazetarëve të Süddeutsche Zeitung dhe stacioni televiziv NDR, punonjësit e kësaj zyre kanë marrë në pyetje edhe azilkërkues duke i pyetur nëse njohin nga afër persona të caktuar në vendet nga vijnë. Këta persona u përkasin grupeve terroriste. Po ashtu ata janë pyetur edhe nëse dinë se ku ka depo të fshehta armësh. Këto informata teorikisht mund të përdoren edhe për kapjen e terroristëve ose për asgjësimin e tyre me avionë pa pilot.

Deutschland Asylbewerberin Havsa aus Dagestan in Berlin
Fotografi: DW/N. Jolkver

Lojë e rrezikshme?

Shumë avokatë që këshillojnë azilkërkuesit në Gjermani e njohin Zyrën Federale për Marrjen në Pyetje (HBW). Po a janë ata të vetëdijshëm edhe për lidhjet e saj me shërbimet sekrete? Victor Pfaff punon në Frankfurt për më shumë se dyzet vjet si avokat për azilkërkuesit. Ai tregon se punonjësit e kësaj zyre nuk ngjajnë fare me punonjësit e shërbimeve sekrete. Ata janë miqësorë dhe të hapur dhe thonë se nuk kanë të bëjnë me BND-në, Shërbimin sekret të Gjermanisë për informacion jashtë shtetit. Por sipas Wikipedias HBW është një sektor i kamufluar i BND-së.

Avokati Victor Pfaff thotë se asnjë nga azilkërkuesit e marrë në pyetje nuk është ankuar për personat që e kanë marrë në pyetje. Madje në disa raste ai tregon se i është drejtuar vetë direkt kësaj zyre, kur personat që kërkonin azil kishin informacione të vlefshme për shërbimet sekrete, sepse në këtë mënyrë ata siguronin menjëherë lejen e qëndrimit në Gjermani. Këtë gjë avokati e quan një "allish-verish" legjitim. Por ai mendon se problematike do të qenë rastet kur një punonjës i shërbimit sekret dëgjon intervistën që japin azilkërkuesit dhe informacionet ua përcjell shërbimeve të huaja. Në këtë rast alizkërkuesit konsiderohen si objekte dhe shfrytëzohen dhe kjo mund të jetë edhe e rrezikshme për ta.

Grenzdurchgangslager Asylheim Friedland
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kujdes prej marrjes në pyetje

Claus-Ulrich Prëlß është drejtor ekzekutiv i Këshillit për Refugjatët në Këln. Prëlß tregon se ka azilkërkues të cilët janë marrë në intervistë drejtpërdrejt nga agjentët e shërbimit të fshehtë. "Disa shpresonin se kështu mund të shkurtonin procedurat e azilit, të tjerë nuk e dinin fare se si ishte puna dhe kishin frikë." Claus-Ulrich Prëssl mendon se duhet të ketë një lidhje në mes të Zyrës Federale për Migracionin dhe HBW-së, sepse shpesh pas intervistave që japin azilkërkuesit shfaqen disa punonjës që bëjnë pyetje shtesë për gjëra që lidhen me veprimtarinë shërbimeve sekrete. Edhe Zaza Koschuaschwili, me origjinë nga Gjeorgjia, që punon si avokat për azilkërkuesit në Këln, tregon se ka raunde pyetjesh që nuk kanë të bëjnë fare me procedurën e mirëfilltë të azilit.

Për të sjellë më shumë dritë lidhur me lidhjet e mundëshme të Zyrës federale për Marrjen në Pyetje (HBW) me BND-në, Deutsche Welle bëri një kërkesë zyrtare për intervistë pranë HBW-së. Drejtorja e HBW-së mori menjëherë personalisht në telefon dhe premtoi se do të japin informacion pasi ta kenë akorduar listën e pyetjeve me Zyrën e Kancelarit. Ky proces aktualisht po vazhdon.