1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë - skandal për përfitime financiare të sekretarit të përgjithshëm të CDU-së, Laurenz Meyer

Pandeli Pani20 Dhjetor 2004

Skandali për përfitimet financiare të sekretarit të përgjithshëm të CDU-së, Laurenz Meyer, bën të qartë një problem të shoqërisë gjermane, në radhët e politikanëve, duke filluar nga ata lokalë, e deri tek deputetët e parlamenteve të landeve apo të Bundestagut, ka qindra Meyerë. Në këto raste duhet të shtrohet pyetja, se ndaj kujt ndjejnë më tepër përgjegjësi këta politikanë, ndaj punëdhënësit të tyre, apo ndaj elektoratit?

https://p.dw.com/p/Ar5A
"Të gjitha paratë i kam fituar me djersën e ballit" - politikani demokristian, Laurenz Meyer
"Të gjitha paratë i kam fituar me djersën e ballit" - politikani demokristian, Laurenz MeyerFotografi: AP

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokristiane gjermane, Laurenz Meyer, ka shkaktuar ditët e fundit një numër reagimesh të fuqishme, sepse dyshohet se ka vazhduar të marrë rrogën prej ish-punëdhënësit të tij RWE si dhe ka përfituar prej lehtësimeve të ndryshme, si pagesave e premieve, çmime më të ulta për energjinë elektrike apo gazin etj.

Nga viti 1975 deri në vitin 2000, kur u zgjodh sekretar i përgjithshëm i CDU-së, Meyeri punonte në firmën e Dortmundit VEW dhe më pas në koncernin e Esenit RWE.

Pas dorëheqjes së një prej politikanëve të tjerë të lartë të CDU-së për shkak të përfitimeve prej koncernit RWE, filloi të bëhej dalëngadalë e qartë, se prej koncerneve dhe firmave të ndryshme kishte përfituar dhe vazhdon të përfitoje edhe Laurenz Meyer. Fillimisht ai deklaroi vetëm se i bëhen disa privilegje, si çmim më i ulët për energjinë elektrike, më tej tha se kishte marre prej koncernit një kredi pa përqindje për të ndërtuar shtëpinë, dhe më pas u shpreh se kishte përfituar edhe financiarisht prej përqindjeve të interesit të parave të depozituara prej koncernit RWE. Sikur të mos mjaftonin këto priviligje më 17 dhjetor u bë e qartë se Laurenz Meyeri kishte marrë edhe rreth gjashtë muaj, pasi kishte filluar punë si sekretar i përgjithshëm i CDU-së, rrogë prej koncernit RWE, ku kishte punuar deri në atë kohë. Meyeri vazhdon të mbrohet duke thënë se ishte përjekur aq shumë për koncernin dhe për djersën që kishte derdhur i takonin edhe shpërblimet në fjalë. Me këtë rast ai hedh poshtë edhe të gjitha kërkesat për të dhënë dorëheqjen. Sipas revistës "Der Spiegel" nga qershori 2000 deri në prill 2001 koncerni RWE i kishte paguar Meyerit përveç rrogës që merrte në postin e tij partiak edhe 66.500 euro. Sot mësohet se kryesia e partisë nuk e përjashton dorëheqjen e Meyerit.

Po a është Meyeri problemi i vërtetë? Jo, problemi është më i thellë dhe është i natyrës strukturore. Sepse në radhët e politikanëve, duke filluar nga ata lokalë, e deri tek deputetët e parlamenteve të landeve apo të Bundestagut, ka qindra Meyerë. Vetëm koncerni RWE ka në listat e borderove të tij emrat e më tepër se 200 mandatarëve. Në këto raste është e qartë që duhet të shtrohet pyetja, se ndaj kujt ndjejnë më tepër përgjegjësi këta politikanë, ndaj punëdhënësit të tyre, apo ndaj elektoratit?

Edhe pse ndoshta nga pikëpamja thjesht ligjore pagesat që ka marrë Meyeri prej firmave të mëparshme, ku kishte punuar, mund të jenë të përligjura, nga pikëpamja etike ato duhen marrë me mjaft rezervë. Kuptohet që politikanët duhet të jenë të pavarur, por a nuk u mjaftojnë rrogat e larta dhe dietat që marrin si deputetë për këtë, por duhet të përfitojnë edhe përmes rrugëve të tjera? Duket se në rastin e Meyerit vlen maksima, bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë, apo si është shprehur filozofi britanik Bertrand Russel, ka dy lloje morali, njërin që e predikojmë, dhe tjetrin që e zbatojmë për vete. Të gjithë duhet të mendojnë dhe gjykojnë se në ç'raport duhet të jenë me njëra-tjetrën ekonomia dhe politika. Dhe do të ishte mirë që si Laurenz Meyeri edhe koncerni RWE të luajnë tani me karta të hapura. Nga ana tjetër edhe njerëzit e thjeshtë ndoshta duhet ta heqin nga mendja idenë, se politikanët janë më të mirë se njerëzit e zakonshëm. Lobiizëm do të ketë gjithmonë, por do të ishte mirë në rast se ai bëhet transparent, dhe në rast se dihej se sa shpërblime marrin politikanët. Vetëm transparenca mund t'i bëjë politikanët t'i thërrasin mendjes, dhe të kenë të qartë se duhet të kenë ndërgjegje të pastër kur marrin vendime.