1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ballkani është pjese e Evropes

Anila Shuka, Berlin6 Qershor 2005

Joshka Fisher thotë se Ballkani është i ankoruar në procesin e integrimit evropian. Mbas dështimit të referendumeve në Francë dhe Holandë, po dëgjohen zëra për ndalimin e procesit të zgjerimit.

https://p.dw.com/p/Ar3W

Ministri gjerman i punëve të Jashtme, Joshka Fisher, iu përgjigj pyetjes së Dojçe Veles në shqip, se mos kriza aktuale do të ketë pasoja negative mbi procesin e zgjerimit, Joshka Fisher tha:

"Nga këndvështrimi im do të ishte një konsekuencë e pakuptimitë, sepse kemi interes, qe ankorimi i Ballkanit në procesin e integrimit evropian te perparoje. Prandaj unë do të angazhohem gjithmonë – edhe në fushatën zgjedhore – që këtë rrugë që kemi nisur e që deri tani ka qenë e sukseshme ta vazhdojmë të bashkuar dhe me vendosmeri, - i tha ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Joshka Fisher, programit tone mbas dështimit të referendumit të dytë brenda javës së kaluar për kushtetutën evropiane."

Zëdhënësi për politikë të jashtme i grupit parlamentar të unionistëve (CDU/CSU) në Bundestag, Fridbert Pflyger, gjithashtu thotë se Ballkani është pjesë e Evropës, por se Evropa njëherë duhet të përqendrohet në vetvete. Pflyger i thotë Dojçe Veles:

"Sapo jam kthyer vetë nga Sarajeva dhe e di se sa e rëndësishme është për vendet e Ballkanit perspektiva Evropiane. Nuk do të jetë e mundur që procesi i ngadaltë i pajtimit të etnive në Bosnjë të realizohet pa perspektivën evropiane, prandaj edhe askush nga ne nuk deshiron t’ua marrë këtë perspektivë vendeve që u është premtuar. Por ne tani duhet të shtrojmë edhe pyetjen, se si do të shkojë më tutje me Evropën? Sa jemi në gjendje t’i realizojmë premtimet e bëra dhe të përmbushim shpresat e lidhura me to? Kjo ka nevojë për një përqendrim në vetvete, në mënyrë që Bashkimi Evropian të bëhet i aftë për të vepruar dhe të fitojë përsëri fuqi."

U shpreh zëdhënësi i grupit më të madh të opozitës në Bundestag, Unionit Kristiandemokrat dhe Kristiansocial, Fridbert Pflyger, në një bisedë që zhvilloi javën e kaluar me korrespondentët e jashtëm në Berlin. Pflyger konfirmoi edhe një herë qendrimin e njohur të unionistëve kundër anëtarësimit të plotë të Turqisë në BE, por për një partneritet të privilegjuar.