1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Balsam për marrëdhëniet transatlantike

27 Shkurt 2003
https://p.dw.com/p/AqwK

Për vizitën e kryetares së Partisë Kristjandemokrate Gjermane, CDU, Angela Merkel në SHBA

Daniel Sheshkevic

Ka pasur kohë kur nga Uashingtoni, pa ikur mirë një politikan gjerman shkonte tjetri: pas 11 shtatorit ishte një kohë e tillë. Dhe ndonjëri e kishte atëherë të lehtë të shqiptonte fjalët solidaritet i pakufizuar me SHBA. Ndërkohë, si politikan gjerman sot duhet të kesh një farë guximi për të dalë publikisht në anën e SHBA. Në mes të krizës së përkeqësuar të Irakut, vizita e Angela Merkelit u bë në një periudhë kritike për raportet gjermano-amerikane.

Kryetarja e CDU-së qe përpjekur që para udhëtimit të saj për të krijuar mot të mirë, me një koment në një gazetë amerikane, i cili shprehej për vazhdimësinë e miqësisë gjermano-franceze dhe që i mohonte kancelarit Gerhard Shrëder të drejtën për të folur në emër të të gjithë gjermanëve përsa i përket pozicionimit ndaj SHBA.

Nëse kjo ishte mënyrë e mirë të paraqituri të ideve, nuk po e diskutojmë këtu - edhe një kryetare e opozitës në udhëtimet e saj në botën e jashtme në radhë të parë është gjermane dhe nuk duhet të hedhë baltë mbi shtëpinë e saj. Nga ana tjetër, Merkelin nuk e presin në Shtëpinë e Bardhë sepse është e dashur, por sepse ajo ndikon në politikën e Gjermanisë si kryetare e partisë më të madhe opozitare gjermane dhe se në çështjen e Irakut ka një pozicion tjetër nga ai i qeverisë federale.

Qeveria e Bushit arriti t'i rezistojë tundimit për të bërë për vete Merkelin. Presidenti vetë nuk e priti Merkelin, gjë që është në përputhje me traditën e takimeve të tilla. Që nga Dik Ceni deri te Donald Ramsfeld shefes kristjandemokrate ia kushtuan vëmendjen e duhur disa nga personat më të rëndësishëm vendimmarrës në Uashington - edhe kjo është në përputhje me traditën dhe nuk do ta kishim përmendur, nëse gjendja normale nuk do të përbënte një përjashtim në marrëdhëniet gjermano-amerikane. Merkel nga ana e saj i rezistoi tundimit për t'iu hedhur në qafë amerikanëve. Ajo u shfaq e sigurtë në vetvete dhe nuk i kurseu as kritikat ndaj disa aspekteve të politikës amerikane, si për doganat për çelikun, ashtu edhe për politikën ndaj ambjentit, fushën e vjetër të Merkelit.

Përsa i përket çështjes së Irakut u vu re që kryetarja e CDU-së lëvizte në terren delikat. Në fund të fundit edhe ajo e di se kancelari në çështjen e Irakut flet për pjesën më të madhe të gjermanëve. Që t'i ofroje mbrojtje krahësh një presidenti amerikan të vendosur për luftë, në Gjermani do të ishte e barabartë me vetëvrasje politike. Angela Merkel arriti megjithatë që të ofrojë besueshëm një pozicion gjerman si alternativë ndaj qëndrimit refuzues të qeverisë gjermane. Lufta duhet të mbetet vërtet gjithnjë mjeti i fundit, por kur ke të bësh me diktatorë të tipit të Sadam Huseinit ajo nuk duhet shmangur krejt- ky ishte thelbi i pozicionit të mbrojtur në Uashington nga Merkel. Për amerikanët këto ishin tonë që tingëllonin ëmbël, një lloj konsensusi minimal transatlantik. Nëse pozicioni i CDU-së ka mbështetjen e shumicës në Gjermani, kjo luajti vetëm një rol të dorës së dytë në Uashington.