1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkëpunimi shqiptaro-maqedonas

3 Mars 2010

Grupet e sipërmarrësve dhe tregtarëve nga të dy vendet po fokusohen tek liberalizimi i plotë i tarifave doganore edhe për produktet bujqësore. Kjo, sipas tyre, do t'i shërbente rritjes së volumit tregtar mes dy vendeve

https://p.dw.com/p/MIKZ
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së TiranësFotografi: DW/Arben Muka

Shqipëria dhe Maqedonia kanë një gamë të gjerë të shkëmbimit mes tyre të mallrave dhe shërbimeve. Volumi i import eksportit mes tyre përfshin që nga produktet për ndërtim, ato agro industriale, ushqimore, druri, pasisje elektronike, shërbimet e transportit ndërkombëtar, por vitet e fundit janë shtuar dhe shkëmbimet në turizëm, shërbimet e konsulencës etj.

Shoqatat e biznesit në Shqipëri dhe Maqedoni kanë marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi.

Kjo diktohet jo thjesht nga fqinjësia, por dhe nga interesi i ndërsjelltë, që kanë sipërmarrësit e tregëtarët e të dy vendeve. Produktet dhe shërbimet, që importohen e eksportohen në territorin e dy shteteve janë në një një gamë të gjerë. Në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës janë më shumë se 100 kompani e firma anëtare të saj, që kanë shkëmbime tregtare me Maqedoninë.

Jaka: ka patur një strategji për të ruajtur një komunikim të vazhdueshëm

Nikolin Jaka
Nikolin Jaka, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së TiranësFotografi: Chamber of Commerce and Industry Tirana

Kryetari i Dhomës Nikolin Jaka thotë se kooperimi nuk është lënë në dorë të spontanitetit. Por ka patur bashkëpunim në shkëmbimin e informacionit, me takime konkrete, apo forume biznesi qoftë në Shqipëri, qoftë në Maqedoni. Nikolin Jaka i referohet dhe forumit të fundit të biznesit mes dy vendeve, ku nga sipërmarrësit iu kërkua qeverive respektive liberalizimi i tregut të mallrave. Ky premtim tashmë është konkretizuar, thotë Nikolin Jaka për DW.

“Pra dy vendet nuk janë të detyruara të zbatojnë taksën doganore për produktet e dy vendeve fqinje. Në punën tonë të përditshme qëllimi ynë mbetet gjetja e mënyrave për të lehtësuar të bërin biznes të sipërmarrësve tanë dhe atyre të huaj, që duan të investojnë kapitalet e tyre në Shqipëri. Në rastin konkret për dy vende kaq pranë gjeografikisht, me mundësi të mëdha të transportit rrugor dhe në prag edhe të lidhjes hekurudhore, shkëmbimet ekonomike duhet të njohin një dimension të ri. Ndaj ne si shoqata biznesi po punojmë në intensifikimin e përpjekjeve dhe në gjetjen e formave, që kjo situatë të ndryshojë në sensin pozitiv”.

Bashkëpunimi po gjallërohet edhe në fushën e turizmit.

Mensuri ka rreth 5 vjet që mjaft destinacione të agjensisë së tij turistike në Shqipëri i orienton nëpër pika të ndryshme të Maqedonisë. Ai thotë për DW-në se të dy fqinjët kanë veçori në ofertat për klientët e tyre.

“Ka konkurencë, por njëkohësisht mësohet nga eksperienca e gjithësecilit. Kemi një bashkëpunim të mirë me Maqedoninë në fushën e turizmit. Ata kanë më shumë interes për detin, por dhe kanë një lloj superioriteti ndaj nesh se ofrojnë turizëm në të gjitha stinët e vitit. Kanë edhe liqenin, por kanë dhe infrastrukturën. Veç këtyre kanë dhe pika malore turistike, që janë të këndshme për turistët gjatë stinës së dimrit”.

Por vitet e fundit Shqipëria me përmirësimet e ndjeshme të infrastrukturës rrugore, sidomos në pjesën bregdetare të jugut të vendit ka afruar gjithnjë e më shumë turistë maqedonas.

Për Nikolin Jakën, kryetar i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë së Tiranës, një faktor thelbësor, që ka nxitur import eksportin shqiptaro maqedonas, është nënshkrimi i marrëveshjes së CEFTA-s (Central European Free Trade Agreement: Marrëveshja e Tregtisë së Lirë për Evropën Qendrore), së cilës i janë bashkuar dhe vendet e rajonit të Europës Juglindore.

“Eksportet shqiptare drejt Maqedonisë mbulojnë rreth 21% të totalit të eksporteve në grupin e vendeve të CEFTA-s, duke shënuar një rritje prej 47% ndaj vitit 2007. Importet nga Maqedonia gjithashtu kanë rezultuar me një rritje prej 33%, duke zënë mbi 26.7% të importeve brenda grupit të CEFTA-s. Pra zbatimi i CEFTA-s ka sjellë një përmirësim të ritmit të rritjes së shkëmbimit të mallrave midis grupit të këtyre vendeve, duke ndikuar në integrimin e ekonomive respektive”, thotë Jaka.

CEFTA gjithmonë konsiderohet nga eskpertët si një instrument politik dhe ekonomik, me të cilin Bashkimi Europian mbështet e ndihmon vendet e rajonit të Ballkanit. Duke iu kthyer bashkëpunimit mes dy vendeve Nikolin Jaka thotë për DW se tashmë diskutimi me partnerët maqedonas është kërkesa për “një liberalizim të plotë të tarifave doganore edhe për produktet bujqësore. Kjo do t'i shërbente rritjes së volumit tregtar ndërmjet dy vendeve, në mënyrë të veçantë të produkteve bujqësore dhe atyre ushqimore, sidomos në këtë periudhë të krizës ekonomike globale”.

Këtë objektiv shoqatat e biznesit të dy vendeve do ta ndajnë dhe me autoritetet zyrtare shqiptare e maqedonase për ta futur në procedurat e diskutimit me grupet e interesit dhe më pas për të miratuar kuadrin ligjor e vendimarrës drejt zbatimit konkret në terren.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica