1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkimi Europian apelon tek politika shqiptare të dalë nga qorrsokaku

Viron Gjymshana12 Dhjetor 2006

Këshilli i Ministrave i Bashkimit Europian i bën thirrje qeverisë dhe opozitës shqiptare që të punojnë bashkarisht për të mundësuar zhvillimin e drejtë dhe të lirë të zgjedhjeve

https://p.dw.com/p/AraU
Të shohësh nga një bunker
Të shohësh nga një bunkerFotografi: DW

Bashkimi Europian është i shqetësuar nga klima politike që po mbizotëron në Shqipëri në prag të organizimit të zgjedhjeve të reja vendore. Shenjë e këtij shqetësimi është edhe paragrafi i fundit që u shtua në konkluzionet përfundimtare të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së, ku thuhet, po e citojmë: "Këshilli i Ministrave i Bashkimit Europian i bën thirrje qeverisë dhe opozitës shqiptare që të punojnë bashkarisht në mënyrë konstruktive për të mundësuar zhvillimin e drejtë dhe të lirë të zgjedhjeve të ardhshme vendore".

Duhet vënbë në dukje se paragrafi që i referohet klimës së deritanishme politike në Shqipëri në prag të zgjedhjeve lokale, nuk ishte paraparë në projekt-rezolutën e hartuar më parë nga ana e specialistëve të BE-së për Shqipërinë. Por lajmet e fundit të arritura në Bruksel nga Tirana, si psh mosmarrja pjesë e Partisë Socialiste në punimet e Kuvendit ku do të diskutohej përkatësisht për reformën zgjedhore, përkuan në kohë me mbledhjen e ministrave të jashtëm të BE-së.

E ndodhur para një fakti të till, prapë se prapë BE-ja nuk e drejton gishtin akuzues ndaj ndonjërës palë në veçanti, por i kërkon si pozitës ashtu edhe opozitës të punojnë bashkarisht për të gjetur një zgjidhje për të dalë nga qorrsokaku ku ka hyrë politika shqiptare. Nënteksti i rezolutës së BE-së është i qartë: - nevojitet kompromis, dhe në zgjedhje nuk mund të hyhet vetëm. Një thirrje e tillë duket se bie në kundërshtim edhe me qëndrimin e shpallur nga drejtuesit e tashëm të qeverisë. Tani duhet të pritet dhe të shihet se si do të interpretohet në Tiranë apeli i BE-së drejtuar klasës politike shqiptare.

Shefat e diplomacive europiane po ashtu shprehën kënaqësinë e tyre për rifillimin e kontakteve ndërmjet pozitës dhe opozitës në Maqedoni, duke shpresuar se një situatë e tillë do të ndihmojë në vënien në jetë të reformave, në të cilat bën pjesë edhe marrëveshja e Ohrit, - theksohet në pjesën e konkluzioneve të Bashkimit Europian kushtuar zhvillimeve të fundit në Maqedoni.

Nga ana tjetër Bashkimi Europian konstaton përparimet e vërejtura në Kosovë në transferimin e kompetencave drejt institucioneve vendore, duke theksuar njëkohësisht se është me shumë rëndësi që të vazhdohet në vënien në jetë konkretisht të ligjeve dhe rregullave që do ta afrojnë edhe më shumë Kosovën me normat europiane.