1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE dëshiron forcimin e politikës evropiane ndaj Afrikës

Bernd Riegert26 Tetor 2005

Me anë të një strategjie për Afrikën, vendet e Bashkimit Evropian dëshirojnë ta rregullojnë ndryshe ndarjen e ndihmave për këtë kontinet

https://p.dw.com/p/ArNa
Diku në Afrikë
Diku në AfrikëFotografi: AP

Varfëria me përmasa botërore ka çmim të përditshem: 30 mijë njerëz vdesin çdo ditë. Vetëm në Afrikë në jug të Saharasë vdes çdo i pesti fëmijë ende pa mbushur pesë vite. Dhe e gjithë kjo ndodh për shkak të varfërisë. Me anë të një strategjie për Afrikën, vendet e Bashkimit Evropian dëshirojnë ta rregullojnë ndryshe ndarjen e ndihmave për këtë kontinet. Ministrat evropian për çështje të zhvillimit në takimin e fundit në Leeds janë dakortuar për një katalog masash për disa vende të Afrikës. Bëhet fjalë për lirimin nga borxhetet, ndihmat e drejpërdrejta financiare dhe lehtësimet tregëtare nën moton: ndihmë - vetëndihmë.

" Ne e dime se është bërë shumë. Por nuk mjafton. Për këtë ne jemi mbledhur këtu. Ministrat duhet të na dëgjojnë prandaj i bëjmë thirrje të gjithëve, që ta shuajnë varfërinë. Helen O`Connell dhe 200 aktivistë të tjerë të organizatës britanike të të drejtave të njeriut "Bond", protestojnë me muzikë dhe pjesë teatrale përpara hotelit, ku janë tubuar ministrat e BE-së.
Hilary Benn, Minister britanik për çështje të ndihmave zhvillimore ka biseduar me demonstruesit dhe ka pohuar se sa i përket politikës për Afrikën ekziston qëndrim unanim. Para së gjithash duhet të luftohet varfëria në Afrikë, mirëpo rrugët e realizimit të kesaj ideje janë të ndryshme.
Bashkimi Evropian në muajin maj, ka miratuar dyfishimin e ndihmës zhvillimore për Afrikën deri në vitin 2010. Ministri i Luksemburgut,Jean-Louis Schlitz, është i mendimit se përkundër konjukturës së pakëndshme në Evropë, do të arrihen planet e BE-së për Afrikën. Schlitz thotë, se tani me marrëveshjen, të cilën e kemi bërë në vitin 2005, kemi një parakusht të fuqishëm. Unë jam i bindur se ne do të arrijmë. Natyrisht, se ka rezerva financiare,por ka edhe detyrime dhe angazhim që nuk mund të vihet në dyshim.
Kur është në pyetje politika për Afrikën, Bashkimi Evropian nuk i fut të gjithë në një thes, thotë Michael Hofmann, Drejtor politik në ministrinë gjermane për bashkëpunim ekonomik. Afrika është kuptuar si një kontinent në ndërtim. Hofman thotë se është bërë qartë diferencimi i Afrikës. Mjaft më me këtë tragjedi dhe këtë dramë afrikane. Ne duhet ta bëjmë të qartë se në Afrikë ka edhe vende me zhvillim pozitiv. Mozambiku është një shembull, thotë Hofman. Nëse është për t`u brengosur, atëherë kjo ka të bëjë me Afrikën Perëndimore.
Komisioni Evropian është për atë që politika për Afrikën të centralizohet në mënyrë të fuqishme. Kundër kësaj janë vendet si Suedia, të cilat kanë frikë se fuqitë e dikurshme koloniale, si Franca dhe Anglia në këtë rast, do të mund të ushtrojnë më shumë ndikim në fondin e mjeteve, të cilat derdhen nga BE dhe në këtë mënyrë këto fuqi do të realizojnë interesat e veçanta nacionale. Ministrat për ndihma zhvillimore kanë kërkuar që të gjendet një zgjidhje kompromisi në dobi të prodhimeve agrare të vendeve afrikane pranë Organizatës për Tregëti Botërore.
Michael Hofman, përfaqësues i Ministrisë gjermane për ndihma zhvillimore thotë: "Do të jetë e qartë p.sh që ne duhet të lëvizim së bashku për t`i çuar gjërat përpara në Afrikë."

Franca frenon dhe kërcënohet me përdorimin e të drejtës së vetos. Hilary Benn, Presidenti i radhës i Këshillit vë në pah se krahas shqetësimeve që po shfaqen në kuadër të organizatës botërore për tregëti, nuk ben të mbetet vetëm në problemin e tregëtisë midis BE-së dhe Afrikës. Me rëndësi është tregëtia rajonale ndërmjet vendeve në zhvillim.
Gjatë zgjerimit të tregëtisë Jug-jug, BE dëshiron të ndihmojë fuqishëm,thotë Benn. Në emër të evropianeve, Hilary Benn ka pohuar se edhe diktatorët e disa vendeve afrikane duhet të përmbushin obligimet e tyre. Eshtë e nevojshme paqja dhe stabiliteti. Askush nuk dëshiron të investojë para në një vend ku ka luftë. Eshtë e nevojshme të ketë qeveri, e cila ka aftësi të ndërtojë shkolla, të angazhojë mjekë dhe të blejë medikamente të rëndësishme.