1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE dhe Irani si dhe afera e Shërbimit të Fshehtë Gjerman në Irak

ADD13 Janar 2006

Vëmendjen kryesore komentatorëve të shtypit të sotëm gjerman ua tërheqin vendimi i treshes së BE për t'ia raportuar çështjen atomike iraniane KS të OKB-së si dhe ndihma eventuale për amerikanët në Irak e Shërbimit Informativ Gjerman.

https://p.dw.com/p/Arru
Takim për Iranin
Takim për IraninFotografi: dpa

Fillimisht, FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG për çështjen atomike iraniane:

"Britania, Franca dhe Gjermania, të cilat si treshe e BE negociojnë me Iranin për programin e tij atomik, duket se tani vërtet e kanë humbur durimin. Me këtë afrohet ajo që donin të pengonin deri tani iranianët, por së cilës tani me sa duket nuk i druhen më: kalimi i rastit të tyre në KS të OKB-së. Nëse atje nuk do të bëhen fjalë kot, duhet të flitet së shpejti për sanksione, gjë që kërkon aprovimin (ose abstenimin) e pesë anëtarëve të Përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Teherani e ka çuar punën kaq larg, sa tani edhe Moska dhe Pekini nuk shprehen në mënyrë strikte kundër masave ndëshkimore. Në fund të fundit, as Rusia dhe Kina nuk mund të jenë të interesuara që në rrethin ende ekskluziv të fuqive atomike të përfshihet edhe një regjim në shkallë të lartë i pallogaritshëm në veprimet e tij."


STUTTGARTER NACHRICHTEN për të njëjtën temë shkruan:

" Nuk ka asnjë rrugë tjetër veç sanskioneve, nëse me të vërtetë synohet të largohen iranianët nga rruga e tyre në drejtim të një fuqie bërthamore. Regjimi i vijës së fortë ka treguar ditët e fundit se nuk impresionohet as nga ofertat atraktive tregtare, as nga garancitë e sigurisë dhe as nga rreziku e një sulmi izraelit ndaj pajisjeve atomike. Aksionet e ndëshkimit megjithatë duhet të shoqërohen nga oferta e diplomatëve për të zënë vend sërish në tryezën e bisedimeve."

Ndërrojmë temë: afera e ndihmës që mendohet se Shërbimi Informativ Gjerman, BND i ka dhënë ushtrisë amerikane gjatë luftës së Irakut është temë tjetër qendrore në shtypin e sotëm gjerman.

WESTDEUTSCHE ALLGEMEINE ZEITUNG për këtë temë shkruan:

"Nëse informacionet aktuale janë të sakta, që bashkëpunëtorë të Shërbimit Informativ Gjerman BND, u kanë ndihmuar amerikanëve në Bagdad në mënyrë aktive në identifikimin e objektivave të bombardimit, atëherë punët definitivisht kanë shkuar thellë. Sepse atëherë ka ekzistuar një pjesëmarrje faktike e RFGJ në Luftën e Gjirit, meqenëse mund të besosh se edhe personat me postet më të larta në Shërbimin Informativ Gjerman nuk punojnë me kokën e vet dhe kundër interesave të qeverisë përkatëse. Nuk bëhet fjalë vetëm për zonat gri në biznesin e shërbimeve të fshehta. Nuk bëhet fjalë më vetëm për prestigjin e Steinmeierit dhe postin e tij, por për prestigjin e ish-kancelarit Gerhard Shrëder dhe për politikën e mbrojtur prej tij. Bëhet fjalë për besimin bazor të qytetarëve te shteti i tyre."


GENERAL ANZEIGER që del në Bon shtron pyetjen:

"A duhet të shkruhet tani nga e para historia e luftës kundër Sadam Huseinit? Jo, kjo nuk duhet bërë. Shërbimi i Fshehtë Gjerman ishte pra i pranishëm me dy vetë në Irak dhe publikun nuk e kanë informuar për këtë. Pa shiko, pa shiko. Po çfarë shërbimi i fshehtë do të ishte ai po të punonte me deklarata për shtypin! Pastaj thuhet se ky shërbim i fshehtë i ka informuar "shërbimet e fshehta mike" në SHBA për objekte të ndryshme, të cilat do të ishin mirë të mos përfshiheshin në bombardime. Po kjo ishte diçka e vetëkuptueshme, as edhe ndonjë akt i vecantë humanitar. Në fund thuhet se shërbimi i fshehtë gjerman ka verifikuar të dhëna për qëndrimin e Sadamit dhe i ka konfirmuar këto, gjë që ky shërbim i fshehtë e hedh poshtë. Po të ketë qenë puna vërtet kështu? A do të kishte qenë një punë që nuk duhet bërë dhënia e ndihmës për të ndaluar punët e një diktatori? Me siguri që jo. Me fjalë të tjera: gjërat duhet të liheshin ashtu siç kanë qenë."

Ja edhe mendimi i komentatorit të HANDELSBLATT që del në Dyseldorf:

"Kjo pjesëmarrje ende nuk është fiksuar. Tani duhet të sqarohen faktet, ndoshta nga një komision hetimor. Opozita nuk do që ta lërë t'i ikë ky shans. Po mirë do të ishte të sqarohej edhe se pse në Uashington shpërndahen krejt papritur me kaq zell informacione, të cilat e kompromentojnë aleancën e vjetër qeveritare, por që e sjellin para vështirësive edhe ekzekutivin e ri. Në fillim erdhi informacioni se ministri i atëhershëm i brendshëm, Oto Shili ka qenë informuar për rrëmbimin e gjermanit
El Masri, kurse tani i ofrohet revistës Panorama informacioni se Shërbimi Informativ Gjerman ka qenë aktiv si vëzhgues në pozitë të avancuar. Këtë mund ta quash, për t'i mbetur besnik zhargonit ushtarak "hapje zjarri drejt teje nga të tutë", një aksident. Mund ta quash të tillë, por nuk duhet ta quash patjetër të tillë."