1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: BE e shqetësuar për fatin e Gjykatës Speciale

Bekim Shehu
12 Janar 2018

BE, thotë se çdo përpjekje për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale, rrezikon punën e përbashkët të BE-së dhe Kosovës të bërë vitet e fundit për sundimin e ligjit.

https://p.dw.com/p/2qkDp
Kosovo Parlament Misstrauensvotum
Fotografi: Getty Images/AFP

Bashkimi Evropian vazhdon të shprehet i shqetësuar me nismën e 43 deputetëve të Parlamentit të Kosovës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, iniciativë kjo që vazhdon të jetë në pritje në kuvend. Në një deklaratë për medie, zyra e BE-së në Kosovë, thotë se "kjo iniciativë që është ende në pritje në Parlamentin e Kosovës është shqetësuese për Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare".

"Çdo përpjekje për të shfuqizuar ose ndryshuar mandatin e Dhomave të Specializuara dëmton seriozisht një angazhim të tillë dhe do të rrezikonte punën e përbashkët të BE-së dhe Kosovës për sundimin e ligjit të bërë vitet e fundit. Kjo do të ndikonte negativisht në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në. BE-ja, kërkon që krijuesit e nismës së parlamentit ta tërheqin atë", thuhet në deklaratë.

Sipas zyrës së BE-së në Prishtinë, në vitin 2014 Kosova u angazhua me BE-në në themelimin e Dhomave të Specializuara që ishte një hap i rëndësishëm për të demonstruar angazhimin e Kosovës për sundimin e ligjit. Si rezultat, BE mirëpriti krijimin e Dhomave të Specializuara nga Parlamenti i Kosovës në vitin 2015, thuhet më tej.  

"BE mirëpret deklaratat e fundit publike nga udhëheqësit politikë në mbështetje të respektimit të detyrimeve të Kosovës. BE përgëzon mediet dhe shoqërinë civile për ngritjen e zërit të tyre kundër kësaj iniciative të dëmshme. Bashkimi Evropian  mbështet fuqishëm progresin e Kosovës në integrimin e saj evropian. Progresi i Kosovës drejt integrimit në BE, duke përfshirë përpjekjet e vërteta të Kosovës për të garantuar demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe pajtimin sot më shumë se kurrë ka nevojë për mbështetje. Udhëheqësit e Kosovës duhet ta mbajnë Kosovën në mënyrë të vendosur në agjendën evropiane, në përputhje me dëshirat dhe pritshmëritë e popullit të Kosovës", thuhet në komunikatën e zyrës së BE-së në Prishtinë.

Ministrja e integrimit evropian në qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, është shprehur për mediet lokale se sado e padrejtë që është Gjykata Speciale për rastin e Kosovës, shteti duhet të tregohet serioz dhe t'i respektojë obligimet e marra ndërkombëtare. Dhurata Hoxha, vjen nga Partia Demokratike e Kosovës, kryetari i së cilës, Kadri Veseli, është kryetar i parlamentit të Kosovës.  

"Mendoj se sado e padrejtë që është kjo Gjykatë Speciale në rastin e Kosovës, ne duhet të vazhdojmë t'i përmbushim obligimet tona ndërkombëtare dhe të tregohemi shtet serioz. Edhe kryetari i kuvendit të Kosovës Kadri Veseli e ka theksuar rëndësinë e mbajtjes së raporteve të mira me bashkësinë ndërkombëtare", është shprehur ministrja e integrimeve evropiane Dhurata Hoxha. 

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nga ana e tij, nuk është deklaruar shumë për Gjykatën Speciale, ndërsa, është shprehur se "qeveria që ai e drejton do ta respektojë vendimin, nëse 61 deputetë të kuvendit të Kosovës votojnë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale".

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ndërkaq, në një editorial është shprehur se Kosova e ka merituar më së paku që t'i ndodhë Gjykata Speciale. Por, sipas tij, "ajo do të ndodhë, edhe pse ka qindra argumente që flasin kundër saj".

Kërkesa e BE-së drejtuar deputetëve të kuvendit të Kosovës që ta tërheqin iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, vjen vetëm një ditë pasi dy emisar, një nga Gjermania dhe një nga Fanca, Dr. Christian Hellbach dhe Thomas Bertin, qëndruan në Kosovë, ku ua bënë më dije udhëheqësve politik kosovar pasojat që mund të ketë Kosova nëse shfuqizohet ligji për Gjykatën Speciale.

"Vizita e emisarëve zhvillohet në sfondin e shqetësimeve në Berlin dhe Paris lidhur me përpjekjet e fundit për të shfuqizuar ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të specializuar", shkroi ambasada gjermane në një komunikatë për medie.

Deputetët e parlamentit të Kosovës janë në pushim deri më 15 janar, mirëpo, nisma për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për ta shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale akoma nuk është shuar, megjithë thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare.