1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-ja dënon procesin farsë në Iran

9 Gusht 2009

Bashkimi Evropian u shpreh „tejet i shqetësuar“ për procesin kundër më shumë se 100 opozitarëve në Teheran. Të paditur janë edhe bashkëpunëtorë vendas të ambasadave evropiane si dhe një franceze.

https://p.dw.com/p/J6Rg
Pamje nga salla e gjyqit ku zhvillohet procesi kundër reformatorëve në Iran.
Procesi kundër reformatorëve në Iran

Qeveritë perëndimore flasin për një „proces farsë“ përpara Gjykatës së Revolucionit. Presidenca suedeze e BE-së protestoi të shtunën (08.08.) ashpër: “Çdo veprim ndaj një vendi anëtar, një shtetasi apo punonjësi ambasade, do të shihet si qëndrim kundër gjithë Bashkimit Evropian”. BE-ja kërkoi lirimin e menjëhershëm të të akuzuarve. Kritikë massive erdhi kryesisht nga Franca dhe Britania e Madhe.

Në shërbim të fuqive të huaja?

Vazhdimi i procesit masiv në Teheran kundër dhjetëra politikanëve reformatorë, opozitarëve dhe demonstruesve kritikë ndaj rregjimit, pa në bankën e të akuzuarve edhe punonjës iranianë të ambasadave franceze dhe britanike. Ata akuzohen për spiunazh, nxitje të trazirave dhe tentativë, për rrëzimin e sistemit islamik në Iran, me mbështetje nga jashtë. Vëzhguesit mendojnë, se pranimet e fajit nga të akuzuarit, janë bërë nën torturë. Një proces i tillë masiv në Iran nuk është zhvilluar qysh prej revolucionit islamik përpara 30 vjetësh.

Gjoja pranim faji dhe lutje për mëshirë

Francezja Clotilde Reiss, në sallën e gjyqit.
Francezja Clotilde Reiss, në sallën e gjyqit.Fotografi: AP

Edhe francezja Clotilde Reiss, e cila u arrestua në aeroportin e Teheranit më 1 korrik, u nxorr përpara gjykatësve. Reiss kishte dhënë pesë muaj mësim në Universitetin Isfahan, si lektore e gjuhës franceze. Sipas agjencisë së lajmeve IRNA, ajo ka pranuar, se i vjen keq, që e shtyrë nga kureshtja, ka marrë pjesë pas zgjedhjeve presidenciale, në një demonstratë kundër Presidentit Mahmud Ahmadinexhad. Sipas IRNA-s, Reiss ka pranuar, se ky ka qenë një gabim dhe është lutur “ta falin”.

Veç kësaj sipas agjencisë iraniane të lajmeve 24-vjeçarja ka pranuar se ka hartuar për ambasadën franceze, “informacione të njëanshme” mbi protestat. Autoritetet në Paris i hodhën poshtë si “krejt pa bazë”, akuzat për spiunazh kundër francezes Reiss.

Autor: dpa/ap/reuters/exh

Redaktoi: Bahri Cani