1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-ja dhe NATO-ja këshillohen për ndërhyrjen ushtarake në Libi

22 Mars 2011

Derisa "koalicioni i të vullnetëshmve" krijon fakte në hapësirën ajrore mbi Libi, NATO dhe BE ose vende anëtare të veçanta përpiqen të gjejnë një rol në këtë ndërhyrje. Kështu ishte edhe në takimin e Brukselit.

https://p.dw.com/p/10e59
Ministri i jashtëm gjerman Guido Westerwelle duke folur para takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.Fotografi: dapd

Ministri i jashtëm finlandez Alexander Stubb nuk e kupton tërë shqetësimin rreth angazhimit ushtarak. Sipas tij, një pirg urithi nuk duhet bërë mal. Stubb e quajti historik mandatin e gjerë të OKB-së:

„Kemi këtu një rezolutë të OKB-së, e cila jep një mandat mjaft të gjerë për të mbrojtur civilët në Libi. Në mbështetje të këtij mandati ishin Bashkimi Evropian, Liga Arabe, Bashkimi Afrikan, gjithë bashkësia ndërkombëtare.“

UN Libyen Diplomatie Flugverbotszone
Votimi i shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit mbi zonën e ndalim-fluturimit për Libinë më 17 mars 2011.Fotografi: AP

Por Gjermania pati abstenuar në Këshillin e Sigurimit dhe me këtë u gjet në shoqërinë e shteteve si Rusia dhe Kina. Një sërë komentesh shtypi bën fjalë për izolim gjerman. Deri tani qeveritë e vendeve të BE-së kanë qenë të përmbajtura me kritikën. Megjithatë, ministri i Jashtëm luksemburgas Jean Asselborn, u distancua nga sjellja e Gjermanisë.

Gjermania "e izoluar"

„Ka një nuancë me Gjermaninë, por kjo ka të bëjë me përgjegjësinë e Gjermanisë, dhe unë nuk jam këtu për të ta kritikuar këtë gjë. Vetëm e konstatoj", tha ai.

Homologu i tij gjerman Guido Westerwelle shpreh para së gjithash keqardhje, që Evropa paraqitet sërish e ndarë: „E di, që kjo natyrisht nuk është e lehtë, kur brenda Evropës vendet vendosin në mënyra të ndryshme. Megjithatë, si ministër i jashtëm gjerman nuk mund të dërgoj ushtarë gjermanë në Libi sepse e bëjnë të tjerët, po duhet të jem vetë i bindur për këtë. Dhe ne vendosëm, që të mos marrim pjesë me ushtrinë tonë në ndërhyrjen ushtarake në Libi.“

Libyen Bürgerkrieg Frankreich Marine
Aeroplanmbajtësja franceze Charles de Gaulle duke u nisur drejt Libisë.Fotografi: AP

Westerwelle u ndie fillimisht i konfirmuar nga një deklaratë e Amr Moussas, sekretarit të përgjithshëm të Ligës Arabe, të dielën. Ky kishte shprehur mendimin, se aksionet ushtarake po tejkalonin mandatin. Por të hënën vetë Moussa deklaroi, se "ishte keqkuptuar dhe se vazhdonte të mbështeste rezolutën".

Mungesa e unitetit

Të paktën BE-ja arriti të pajtohej për sanksione të mëtejshme kundër personave dhe institucioneve libiane. Me gjasa sanksionet kundër industrisë së naftës do të pasojnë së shpejti.

Por Evropa është e ndarë edhe në pyetjen, se kush duhet ta udhëheqë në të ardhmen aksionin ushtarak. Deri tani ishte një nismë e shteteve të veçanta, fillimisht Francë, Britani e Madhe dhe SHBA, tani shtohen edhe të tjera. Por ministri i jashtëm italian Franco Frattini gjykon, se tani kërkohet NATO-ja.

„Ne besojmë se ka ardhur koha që nga një koalicion të vullnetëshmve të mbërrijmë te një qasje brenda NATO-s, e bashkërenduar më mirë. Sepse NATO-ja ka aftësinë, përvojën për të drejtuar një aksion të mirëkoordinuar.“

Por te NATO-ja grindja vazhdon. Franca është kundër marrjes së komandës nga aleanca, sepse, thotë ajo, NATO-ja ka nam tepër të keq në botën arabe. Edhe Turqia është e mbyllur ndaj kësaj. Dhe kur vetëm një anëtar i NATO-s thotë jo, nuk shtrohet për diskutim një udhëheqje prej NATO-s.

Autor: Christoph Hasselbach / Elert Ajazaj

Redaktoi: Bahri Cani