1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-ja dhe Turqia & Krijimi i qeverisë në Gjermani

9 Tetor 2005

Në qendër të komenteve të shtypit të huaj vazhdon të jetë maratona e bisedimeve për krijimin e qeverisë në Berlin. Ndër temat evropiane të javës është në fokus të analistëve edhe hapja e bisedimeve të antarësimit mes Brukselit dhe Ankarasë.

https://p.dw.com/p/ArtT

Gazeta ekonomike e Parisit "LES ECHOS" lidhur me bisedimet e koalicionit në Berlin, shënon, që ato duhet të mbyllen urgjentisht dhe me sukses: "Qysh prej fundit të majit ekonomia më e madhe evropiane po përjeton vakuumin e pushtetit. Qëkurse socialdemokratët dhe ekologjistët pësuan goditje të rëndë në zgjedhjet e Nordrhein-Vestfalisë, qeveria po përpiqet vetëm për çështjet e ditës. Ka mëse gjysmë viti që nuk po përgatitet dhe nuk po zabtohet asnjë reformë e rëndësishme. ... 4.7 milionë të papunët dhe bota e biznesit shtrojnë pyetjen, nëse ka kuptim që për javë të tëra të preokupohemi vetëm për krijimin e "një koalicioni të madh"...", shkruan "LES ECHOS".

Gazeta italiane "LA REPUBLIKA" që del në Romë, vlerëson se bisedimet për krijimin e koalicionit në Berlin janë në udhë të mbarë: "Duket se po konturohet një zgjidhje dhe një marrëveshje. Koalicioni i madh mes qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë papritur duket fare i afërt për reformat dhe ripërtëritjen e Gjermanisë. ... Tani mungon vetëm emri i kancelarit. ... Në këtë mënyrë po fillon të zgjidhet kriza në Gjermani dhe Evropa shpreson që tashmë ka kaluar çasti i pasigurisë politike në vendin më të rëndësishëm antar të BE-së", shkruan "LA REPUBLIKA".

Gazeta "LUXEMBURGER WORT" komenton: "Populli, sovrani ... dëshiron shumicën e qendrës. Por para së gjithash ai dëshiron një politikë të qendrës! Me reforma të drejta dhe me një hop të ri. Mesazhi tashmë ka mbërritur edhe në selitë e partive Adenauer dhe Brand në Berlin. ... Koalicioni i madh po vjen. Merkeli do të jetë e para kancelare", nënvizon "LUXEMBURGER WORT".

Edhe austriakja "DER STANDARD" analizon me tone të ngjashme: "Mbi 70% e gjermanëve nëpër anketime thonë, se politikanët duhet të kryejnë detyrën e tyre, të krijojnë qeverinë. ... Ndaj hapësira e veprimit për aktorët në Berlin po ngushtohet. Procesi duhet të avancojë më shpejt nga ç´preferojnë "fituesit e shumtë" të zgjedhjeve" shkruan "DER STANDARD".

Lidhur me hapjen e bisedimeve të antarësimit të Turqisë në BE, gazeta daneze "DAGENS NYHETER" shprehet me nota pozitive: "Bisedimet e antarësimit ... i hapin një mundësi historike një vendi mysliman për t´u integruar në union. Me të drejtë mund të thuash, se zgjerimi përbën një nga arritjet më të mëdha të BE-së. Ajo ka ribashkuar Evropën e ndarë me dhunë. Ajo ka përhapur demokracinë dhe të drejtat e njeriut në një mënyrë që SHBA nuk ia kanë arritur kurrë. Shtetet që janë duke hedhur hapat e para drejt demokracisë, si së fundi Ukraina, po orientohen drejt BE-së. Nëse unioni dështon në këtë detyrë duke u përqëndruar vetëm nga brenda, pa u zgjeruar, atëherë shtrohet me të drejtë pyetja, përse ia vlen në thelb ky union", tërheq vëmendjen danezja "DAGENS NYHETER".

Britanikja "THE GUARDIAN" thekson: "Qeveritë duhet të përpiqen vazhdimisht për t´i bindur zgjedhësit e tyre, se rruga e zgjerimit historik është politika e duhur. Eshtë e rëndësishme që zgjedhësve t´u vihet në dukje, se do të duhen së paku dhjetë ose më shumë vjet derisa Turqia t´i përmbushë kërkesat e BE-së. Nëse arrihet kjo, atëherë ky vend do të jetë edhe më i pasur se sot dhe në shumë drejtime do të ndryshojë pozitivisht. Për Evropën do të ishte dritëshkurtësi po të përjashtonte një vend mysliman me demokraci të hapur, një gjë e tillë do të favorizonte populizmin dhe paragjykimet", komenton "THE GUARDIAN".

E përditshmja spanjolle "EL MUNDO" që botohet në Madrid komenton me nota kritike: "Ashtu si në rastin e kushtetutës evropiane edhe për çështjen e Turqisë BE-ja nuk kishte parashikuar një "plan B" si alternativë. Bisedimet e antarësimit mund të mbyllen vetëm me pranimin e Turqisë si antare me të drejta të plota. Propozimi i Austrisë, për t´i ofruar Ankarasë një partneritet të privilegjuar, u hodh poshtë. Por problemi i vërtetë nu ka të bëjë as me kushtetutën turke, as me kulturën apo fenë, problem është numri i madh i banorëve të këtij vendi dhe niveli ekonomik. BE-ja ende s´ka kapërdirë zgjerimin e fundit. Ndërsa tani shumë shtete të BE-së trëmben të pranojnë një vend me 70 milionë njerëz dhe me një ekonomi krejtësisht të varfër", nënvizon "EL MUNDO".