1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE kërkon nga Beogradi të bashkëpunojë me Ahtisarin

Viron Gjymshana31 Janar 2007

Bashkimi Europian dëshiron të bindë Beogradin, sidomos presidentin Tadiç dhe kryeministrin e deritanishëm Koshtunica që të presin dhe të diskutojnë me Marti Ahtisarin për të arritur në një zgjidhje të statusit të Kosovës

https://p.dw.com/p/ArZ9
Martti Ahtisaari dhe Frank-Walter Steinmeier
Martti Ahtisaari dhe Frank-Walter SteinmeierFotografi: AP

Bashkimi Europian po përpiqet të bindë zyrtarët e lartë në Beograd që ata ta presin dhe të diskutojnë me Ahtisarin rreth propozimit të tij për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Kjo kërkesë e BE-së vjen pas deklaratave të kryeministrit serb, se ai nuk ka tagër të takohet tashmë me Ahtisarin, dhe me të duhet të takohet kryeministri i ardhshëm.

Zyrtarët e lartë në Beograd madje ia kanë bërë të qartë Brukselit se koha më e përshtatshme për vizitën e Ahtisarit në Beograd duhet të jetë pas formimit të qeverisë së re serbe.

Në vetë vendet anëtare të Bashkimit Europian qëndrimet për këtë çështje janë të ndara. Ministri i jashtëm francez Filip Dauste Blazy la të kuptohet fund-javën e kaluar, gjatë takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, se një mundësi e tillë, pra shtyrja e paraqitjes së propozimit të Ahtisarit pas formimit të qeverisë së re serbe, ndofta ia vlente të merrej parasysh.

Por, jo më larg se dje, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Atlantike, Jaap de Hop Scheffer, ndër të tjera nënvizoi qartë se NATO mbështet kalendarin e punës të Marti Ahtisarit, që me fjalë të tjera do të thotë, që paraqitja e propozimit nuk duhet shtyrë pas datës së parashikuar më 2 shkurt.

Një ditë më pas dhe pikërisht sot, ishte shefi i politikës së jashtme të BE-së Havier Solana, që shprehu shpresën se si Tadiçi ashtu edhe Koshtunica do ta presin Ahtisarin dhe do të diskutojnë me të rreth propozimit të tij për statusin e Kosovës.

Me këtë rast zyrtari i lartë i BE-së deklaroi se Bashkimi Europian dëshiron që në Beograd të formohet një qeveri proeuropiane që do të mbajë një qëndrim konstruktiv edhe në zgjidhjen e statusit të Kosovës.